Politika 2026-10-14 18:26:58 Nga VNA

Tirana në flakë për të dytën ditë, protestuesit sulmojnë Ministrinë e Arsimit dhe Kryeministrinë, policia përgjigjet me ujë dhe gaz lotsjellës

Ndaje në Whatsapp
Tirana në flakë për të dytën ditë, protestuesit

Tirana po përjeton një tjetër pasdite përplasjesh të dhunshme. Për të dytën ditë radhazi, protesta e studentëve është shndërruar në një konfrontim të ashpër me Policinë e Shtetit, ndërsa flakët kanë përfshirë mjedise pranë institucioneve dhe forcat e rendit kanë ndërhyrë me autobotë uji dhe gaz lotsjellës.

Protesta nisi përpara Ministrisë së Arsimit, ku mijëra të rinj u mblodhën pas bojkotimit të mësimit në disa universitete të kryeqytetit. Por tensionet u përshkallëzuan kur grupe protestuesish shkulën kangjellat metalike, thyen xhamat dhe hodhën gurë, pllaka trotuari e kokteje molotovi drejt godinës.

Zjarri përfshiu ambiente të Ministrisë së Arsimit, ndërsa një degë e Raiffeisen Bank pranë saj u përfshi gjithashtu nga flakët. Ngjarjet janë konfirmuar edhe nga agjencia ndërkombëtare Reuters, e cila ka raportuar për përmasat e protestës dhe ndërhyrjen e policisë. 

Gjatë pasdites, protesta u zhvendos drejt Kryeministrisë. Sipas raportimeve nga terreni, godina e qeverisë u godit me gurë dhe mjete molotovi, ndërsa një pishë pranë saj u përfshi nga flakët. Policia përdori ujë me ngjyrë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit dhe për të penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Përplasjet nuk janë kufizuar vetëm në një pikë të kryeqytetit. Në Rrugën e Durrësit janë djegur kosha mbeturinash, janë dëmtuar objekte dhe janë ngritur barrikada të improvizuara. Associated Press raporton se protestuesit janë përleshur me forcat e policisë, ndërsa këto të fundit kanë përdorur autobotë uji për të rimarrë kontrollin e rrugëve.

Ambasada Amerikane lëshon një tjetër alarm sigurie
Ndërsa përplasjet vijonin, Ambasada Amerikane në Tiranë paralajmëroi sërish shtetasit e saj të shmangin demonstratat, duke theksuar se dhuna mund të përhapet në zonat përreth ndërtesave qeveritare. Personelit diplomatik i është rekomanduar të qëndrojë larg protestës.

Në terren ka mbërritur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ndërsa mediat raportojnë për një protestues të lënduar në kokë, për të cilin është kërkuar ndërhyrja e ambulancës. 

Bilanci i një dite më parë ishte i rëndë: 16 persona të arrestuar dhe 49 të proceduar penalisht, sipas njoftimit të Policisë. Mes të lënduarve ishte edhe 19-vjeçari Ledion Balla, i cili pësoi frakturë në këmbë dhe deklaroi se ishte kalimtar, jo pjesëmarrës në protestë. Pas publikimit të pamjeve të transportimit të tij, pesë punonjës policie u pezulluan nga detyra. 

Protesta, e nisur me kërkesa për kushte më të mira në universitete, mbështetje financiare dhe perspektivë punësimi, ka marrë tashmë përmasa më të gjera kundër qeverisë. Përplasjet e dy ditëve kanë sjellë dëmtime të institucioneve, ndërhyrje të forcave të rendit dhe një klimë gjithnjë e më të tensionuar politike.

Deri në raportimet e fundit të verifikuara, nuk ka ende një bilanc përfundimtar zyrtar të të lënduarve dhe të ndaluarve të 14 tetorit.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news