Politika 2026-10-20 13:44:00 Nga VNA

Spiropali flet me heshtje, bojkoton mbledhjen e grupit parlamentar. Por a mjafton kaq për të sfiduar Ramën?

Ndaje në Whatsapp
Spiropali flet me heshtje, bojkoton mbledhjen e grupit parlamentar. Por a

Elisa Spiropali ka zgjedhur sërish të flasë përmes mungesës së saj. Pas letrës publike ku i kërkoi Edi Ramës të hapte rrugën për një zgjidhje politike, ajo nuk mori pjesë në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të drejtuar nga kryeministri.

Spiropali ishte e vetmja deputete që mungoi në mbledhje. Arsyeja nuk është bërë e ditur, ndaj mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një bojkot politik apo për një mungesë të motivuar ndryshe. Megjithatë, pikërisht aty ajo kishte mundësinë t’ia shprehte Ramës drejtpërdrejt kundërshtimet e saj.

Më 16 tetor, përmes një letre publike, ish-ministrja e Jashtme i kërkoi kryeministrit të reflektonte për protestat, të merrte përgjegjësi për krizën dhe të mos përdorte shumicën parlamentare si mburojë ndaj pakënaqësisë qytetare. Ajo theksoi se as zgjedhjet e parakohshme, as rotacioni politik nuk duhet të konsiderohen tabu.

Kjo nuk është përplasja e parë mes tyre. Në muajt e fundit, Spiropali ka kritikuar mënyrën e drejtimit të Partisë Socialiste dhe trajtimin e zërave kundërshtues. Në prill, pas paralajmërimit për përjashtim nga grupi, ajo i kërkoi publikisht Ramës ta përjashtonte nëse nuk respektohej e drejta e saj për të folur.

Por kundërshtimet publike nuk janë shoqëruar gjithmonë me votë kundër në Kuvend. Edhe për nisma që i ka kritikuar, përfshirë reformën territoriale, Spiropali ka votuar në përputhje me qëndrimin e shumicës socialiste.

Këtu lind edhe pyetja për peshën reale të qëndrimit të saj politik. Mungesa në mbledhjen e grupit mund të interpretohet si distancim, por pa një shpjegim publik nuk mund të përcaktohet nëse ishte një akt i qëllimshëm kundërshtimi.

Përballja politike nuk matet vetëm me deklarata apo me një karrige bosh. Ajo kërkon qëndrime të qarta, argumente të shprehura drejtpërdrejt dhe vendime parlamentare që përputhen me bindjet e deklaruara.

Sepse nëse i kërkon Ramës të hapë rrugën, por sa herë vjen puna te vota vazhdon t’ia hapësh ti rrugën atij, atëherë rebelimi yt mbetet vetëm në fjalë. Dhe në këtë rast, Spiropali nuk është gjë tjetër veçse një Erion Braçe në version femër.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news