Sociale 2026-10-20 17:46:59 Nga VNA

Shqipëria, e parafundit në rajon për rritjen ekonomike, investimet ngadalësohen

Ndaje në Whatsapp

Shqipëria, e parafundit në rajon për rritjen ekonomike,

Shqipëria regjistroi rritjen e dytë më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën.

Sipas raportit më të fundit ekonomik të Komisionit Europian për vendet kandidate, ekonomia shqiptare u zgjerua me 3.6% me bazë vjetore, në të njëjtin nivel me mesataren e ponderuar të rajonit, e cila shënoi ritmin më të lartë të rritjes që prej tremujorit të dytë të vitit 2024.

Ndërsa shumica e ekonomive të rajonit përshpejtuan rritjen, Shqipëria shënoi një ngadalësim të lehtë, nga 3.7% në tremujorin e parë në 3.6% në të dytin. Veçanërisht i dukshëm ishte ngadalësimi i investimeve, që u rritën me vetëm 1.8%, nga 4% në tremujorin e mëparshëm, në një kohë kur vendet e tjera të rajonit regjistruan përshpejtim.

“Rritja e investimeve vijoi të ngadalësohej, duke zbritur në 1.8% me bazë vjetore, nga 4.0% në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe 9.9% në tremujorin e katërt të vitit 2025, por mbeti mbi nivelin prej 0.6% të regjistruar një vit më parë.”, thuhet në raport.

Sipas Komisionit Europian, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor u mbështet kryesisht nga konsumi i familjeve dhe investimet. Shqipëria kishte rritjen më të lartë të konsumit privat në rajon, prej 4.6% me bazë vjetore, e ndjekur nga Kosova me 4.4%. Rritja e konsumit u mbështet nga ecuria e fortë e pagave, që vijuan të nxisnin kërkesën e brendshme.

Megjithatë, zhvillimet në investime paraqesin një tablo të ndryshme. Shqipëria ishte i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku ritmi i rritjes së formimit bruto të kapitalit fiks u ngadalësua në tremujorin e dytë të vitit. Në të kundërt, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi regjistruan zgjerim të ndjeshëm të investimeve, përkatësisht me 16.5% dhe 26.5%, të nxitura kryesisht nga rritja e shpenzimeve kapitale publike.

Shqipëria përmirëson pozicionin e jashtëm, turizmi mbështet suficitin

Pavarësisht ritmit relativisht më të ulët të rritjes ekonomike, Shqipëria ishte ndër vendet që dhanë kontributin kryesor në përmirësimin e pozicionit të jashtëm të rajonit.

Sipas raportit, bilanci i llogarisë korrente të Shqipërisë, i matur për katër tremujorët e fundit, kaloi në suficit prej 0.2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë të vitit 2026.

Ky përmirësim u mbështet nga rritja e eksporteve të shërbimeve, kryesisht turizmi, si dhe nga përmirësimi i bilancit të të ardhurave parësore, pjesërisht si rezultat i të ardhurave më të larta nga puna afatshkurtër dhe ndërkufitare jashtë vendit.

Shqipëria ishte gjithashtu ndër vendet ku rezervat valutore u rritën më ndjeshëm në krahasim me një vit më parë.

Në nivel rajonal, deficiti mesatar i ponderuar i llogarisë korrente, i matur për katër tremujorët e fundit, u ngushtua në 4.6% të PBB-së, ose 0.8 pikë përqindjeje më pak se një vit më parë.

Përmirësimi u nxit kryesisht nga Shqipëria dhe Serbia. Në këtë të fundit, deficiti i llogarisë korrente u ul nga 5.5% në 4% të PBB-së, falë rritjes së eksporteve të automjeteve dhe remitancave.

Në të kundërt, në Maqedoninë e Veriut, deficiti u zgjerua me 1.3 pikë përqindjeje, duke arritur në 4.9% të PBB-së, si pasojë e rënies së remitancave dhe rritjes së deficitit tregtar të mallrave.

Mali i Zi vijoi të kishte pozicionin më të dobët të jashtëm në rajon, me deficit të llogarisë korrente prej 20.9% të PBB-së, nga 18% një vit më parë.

Investimet e huaja direkte neto, si përqindje e PBB-së, ishin më të ulëta se një vit më parë në shumicën e ekonomive të rajonit. Ato varionin nga 1.8% e PBB-së në Maqedoninë e Veriut në 6.4% në Kosovë. Sipas Komisionit Europian, vetëm në Shqipëri dhe Kosovë investimet e huaja direkte mbuluan më shumë se dy të tretat e deficitit të llogarisë korrente.

Ballkani përshpejton rritjen, Maqedonia e Veriut kryeson

Ekonomia e Ballkanit Perëndimor u rrit mesatarisht me 3.6% në tremujorin e dytë të vitit 2026, nga 3.2% në tremujorin e parë, duke shënuar ritmin më të lartë të zgjerimit në dy vitet e fundit, pavarësisht mjedisit të jashtëm sfidues.

Përshpejtimi u nxit kryesisht nga Serbia, ekonomia më e madhe e rajonit, ku rritja ekonomike arriti në 3.8%, nga 3.2% në tremujorin e mëparshëm.

Maqedonia e Veriut regjistroi rritjen më të lartë, prej 4.3%, nga 3.1% në tremujorin e parë. Kosova u rendit e dyta, me 4.1%, megjithëse ritmi i rritjes ishte ngadalësuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Mali i Zi përshpejtoi rritjen nga 2.5% në 3.8%, ndërsa Bosnjë-Hercegovina shënoi një përmirësim të lehtë, nga 2.3% në 2.4%.

Shqipëria, me rritje prej 3.6%, u rendit e parafundit, ndërsa ishte një nga dy ekonomitë e rajonit, së bashku me Kosovën, që nuk regjistruan përshpejtim të rritjes në krahasim me tremujorin e parë.

Financat publike, Shqipëria përjashtim nga përkeqësimi rajonal

Ndërsa shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor po përballen me përkeqësim të bilanceve fiskale, Shqipëria ka regjistruar një ecuri më pozitive.

Sipas Komisionit Europian, në tetë muajt e parë të vitit 2026, të ardhurat buxhetore u rritën përgjithësisht me ritme të forta në rajon, por zgjerimi i shpenzimeve ishte edhe më i lartë, me përjashtim të Shqipërisë.

Rritja e shpenzimeve u nxit kryesisht nga zgjerimi i investimeve publike në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

Si rezultat, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi regjistruan deficite fiskale më të larta se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa Serbia kaloi nga një buxhet i balancuar në një deficit të moderuar.

Në të kundërt, Shqipëria regjistroi një suficit buxhetor më të lartë, ndërsa Kosova vijoi të kishte suficit, por më të ulët se një vit më parë.

Edhe borxhi publik shënoi rënie në shumicën e ekonomive të rajonit në qershor 2026, krahasuar me fundin e vitit 2025.

Ulja më e madhe e raportit të borxhit publik ndaj PBB-së u regjistrua në Mal të Zi, me 4.2 pikë përqindjeje, e ndjekur nga Shqipëria, me 3.9 pikë përqindjeje.

Në fund të qershorit, borxhi publik i Shqipërisë ishte 49% e PBB-së, ndërsa ai i Malit të Zi arriti në 58.5%.

Inflacioni përshpejtohet në rajon, Kosova me çmimet që rriten më shpejt

Inflacioni mesatar vjetor në Ballkanin Perëndimor u përshpejtua në 4% në tremujorin e dytë të vitit 2026, nga 3.2% në tre muajt e mëparshëm.

Presionet inflacioniste vijuan edhe gjatë tremujorit të tretë, me rritjen e çmimeve të konsumit që varionte nga 2.5% në Maqedoninë e Veriut në 7.2% në Kosovë.

Sipas Komisionit Europian, inflacioni u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i ushqimeve, transportit dhe energjisë.

Pavarësisht shtimit të presioneve mbi çmimet, bankat qendrore të vendeve të rajonit që kanë autonomi monetare i mbajtën të pandryshuara normat bazë të interesit gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026./Monitor.al/

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news