Politika 2026-10-09 14:03:00 Nga VNA

Reforma e re territoriale shkrin 15 bashki, ja cilat qytete humbasin statusin e bashkisë

Ndaje në Whatsapp

Reforma e re territoriale shkrin 15 bashki, ja cilat qytete humbasin statusin e

Shqipëria do të ketë 46 bashki nga 61 që ka aktualisht. Kuvendi miratoi në orët e para të mëngjesit të 9 tetorit reformën e re administrativo-territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi të tjera vendore. Vendimi u mor pas një seance të gjatë, të shoqëruar me debate dhe tensione mes mazhorancës dhe opozitës.

Reforma u miratua me 85 vota pro dhe 39 kundër, duke kaluar pragun prej 84 votash të nevojshme për miratimin e saj. Harta e re pritet të zbatohet në zgjedhjet vendore të vitit 2027, kur qytetarët do të votojnë për drejtuesit e 46 bashkive.

Cilat janë 15 bashkitë që shkrihen?

Sipas hartës së miratuar, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, Klosi me Matin dhe Rrogozhina me Kavajën. Në qarkun e Beratit, dy bashki, Dimali dhe Poliçani, humbasin statusin si njësi më vete dhe bashkohen me Beratin.

Në qarkun e Fierit, Patosi bashkohet me Fierin, ndërsa Divjaka me Lushnjën. Selenica do të jetë pjesë e Bashkisë Vlorë, ndërsa Maliqi bashkohet me Korçën.

Ndryshimet prekin edhe jugun e vendit. Këlcyra bashkohet me Përmetin, Memaliaj me Tepelenën dhe Libohova me Gjirokastrën. Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit, Cërriku dhe Belshi bashkohen me Elbasanin, ndërsa Përrenjasi me Librazhdin.

Në total, rreth 225 mijë banorë jetojnë në territoret e bashkive që preken drejtpërdrejt nga ndryshimet. Megjithatë, shkrirja e bashkive nuk do të thotë zhdukje e qyteteve apo fshatrave përkatëse. Ato do të vazhdojnë të ekzistojnë si njësi administrative, por nuk do të kenë më bashki dhe kryetarë të veçantë.

Mazhoranca e ka argumentuar reformën me nevojën për të ulur shpenzimet administrative, për të forcuar financat vendore dhe për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve. Sipas socialistëve, bashkimi i njësive vendore do të krijojë administrata më funksionale dhe do të mundësojë përdorim më të mirë të fondeve publike.

Por përtej argumenteve të qeverisë, mënyra se si u miratua reforma ka ngritur pikëpyetje për përfshirjen e qytetarëve, rolin e opozitës dhe qëndrimin e disa deputetëve socialistë që e kritikuan projektin, por në fund votuan pro.

Qytetarët, opozita dhe deputetët “rebel” socialistë

Çështja e parë lidhet me qytetarët e 15 bashkive që humbasin statusin e tyre. Shumica e këtyre bashkive drejtohen nga socialistët, por kjo nuk do të thotë se banorët janë dakord me shkrirjen. Në Maliq, banorë të zonës kishin paralajmëruar protesta kundër bashkimit me Korçën.

E njëjta situatë ishte në të gjitha bashkitë e tjera, ku përvçse qytetarët u shprehën kundër në ato pak konsultime publike që u zhvilluan, edhe këshillat bashkiak të secilës bashki votuan kundër shkrirjes.

Çështja e dytë është roli i opozitës. Partia Demokratike kundërshtoi projektin e socialistëve dhe propozoi një ndarje tjetër territoriale, me 100 bashki. Megjithatë, pjesëmarrja e saj në procesin parlamentar nuk arriti të sillte një marrëveshje politike apo të parandalonte mazhorancën që të bënte ndryshime të njëanshme.

Në fund, kundërshtimi i demokratëve nuk pati ndikim në rezultatin e votimit dhe reforma u miratua me votat e mazhorancës. E përmbledhur me një fjali, opozita në këtë reformë shërbeu vetëm si dekor që i dha normalitet politik gjithë procesit.

Çështja e tretë lidhet me qëndrimin e deputetëve socialistë. Erion Braçe dhe Vullnet Sinaj kishin shprehur kundërshtime të forta ndaj reformës, madje kishin votuar kundër draftit në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Edhe Elisa Spiropali e kritikoi publikisht projektin gjatë diskutimeve në Kuvend. Ajo argumentoi se ulja e numrit të bashkive nuk mund të quhet reformë e mirëfilltë nëse nuk shoqërohet me më shumë kompetenca, financa dhe pavarësi për pushtetin vendor.

Por kur erdhi momenti vendimtar, kundërshtimet nuk u kthyen në vota kundër. Braçe, Spiropali dhe Sinaj votuan pro reformës. Madje, Braçe vijoi të shprehte kundërshtime edhe pas përfundimit të seancës, pavarësisht votës së tij në mbështetje të projektit.

Ky qëndrim ngre një pyetje të thjeshtë, çfarë ndryshoi nga momenti kur këta deputetë kritikuan reformën deri në çastin kur e miratuan? A u morën parasysh shqetësimet e tyre apo në fund mbizotëroi qëndrimi i partisë?

Në fund, reforma territoriale nuk është vetëm historia e 15 bashkive që humbasin statusin e tyre. Është edhe historia e mënyrës se si merren vendimet që prekin qytetarët, e një opozite që nuk arriti të ndikojë në rezultatin përfundimtar dhe e deputetëve të mazhorancës që, pavarësisht kritikave, votuan sipas urdhrit të shefit.

 

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news