Editorial 2025-11-15 13:37:00 Nga VNA

Edi Rama i jep “detyrë shtëpie” Gjykatës Kushtetuese: lironi nga burgu Erion Velinë

Ndaje në Whatsapp
Edi Rama i jep “detyrë shtëpie” Gjykatës Kushtetuese:

Nga Desada Metaj

Edi Rama tha sot në një takim me qytetarët e Tiranës se “asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë apo delegim”. Pavarësisht punës së madhe të Anuelës (Ristani) me nënkryetarët, sipas tij qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që ta drejtojë atë.

Ai shtoi se përpjekjet e qeverisë për të zgjidhur situatën nuk kanë funksionuar, pasi “Gjykata Kushtetuese refuzoi t’i hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë”, duke pamundësuar që kryetari i bashkisë të jetë në detyrë dhe duke përcaktuar se as këshilli bashkiak e as qeveria nuk kanë të drejtë të hapin proces për zgjedhje. Prandaj, sipas Ramës, nëse nuk mund të ketë zgjedhje në Tiranë, Gjykata Kushtetuese duhet ta kthejë Veliajn në zyrë për të “normalizuar situatën që është çdo ditë e më e vështirë për kryeqytetin”.

Thua se Gjykata Kushtetuese është institucioni i pastrimit, rregulimit dhe qetësimit të kaosit urban të Tiranës. Përtej deklaratave të Kryeministrit, Edi Rama harron një fakt të thjeshtë: ai vetë e nisi personalisht procedurën e paligjshme për shkarkimin e Erion Veliajt, duke përdorur këshilltarë të PS-së dhe madje edhe të PD-së, me një manovër ekstra–ligjore.

Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pikërisht këtë vendim të inicuar nga Rama, të ekzekutuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe të vulosur nga Presidenti në formën e një dekreti për zgjedhje të paligjshme në Tiranë. Tashme me kartën e djegur të Veliajt, Rama i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar ta nxjerrë atë nga qelia që të ushtrojë detyrën në zyrë. Sikur Gjykata të ishte institucioni që duhet t’i zgjidhë hallin politik, elektoral dhe urbanistik, e jo të mbikëqyrë kushtetutshmërinë.

Në këtë pikë duhet thënë hapur: Edi Rama duhet të ketë kurajon t’u thotë edhe njerëzve të vet se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk kishte objekt Erion Veliajn, por kishte vetë Edi Ramën. Gjykata e kapi në faj Kryeministrin për mënyrën se si tentoi ta shkarkonte Veliajn. Ajo tha qartë se Veliaj mund të shkarkohet si çdo kryebashkiak tjetër, por jo me atë shkak dhe jo me atë procedurë që përdori Rama.

Prandaj, nëse Rama paska vërtet hallin e qeverisjes së Tiranës dhe nëse beson se Veliaj ka kryer shkelje të rënda kushtetuese, atëherë le ta shkarkojë. Mjetet ligjore i ka. I duhet vetëm vullneti. Pra të dalë hapur, pa u fshehur, përballë Veliajt. Por këtë ai nuk e bën — dhe ia hedh topin e përgjegjësisë Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, javët e fundit, Rama ka bërë një kthesë 180 gradë. I pafuqishëm të zgjidhë ngërçin me zv.kryeministren dhe i vetëdijshëm se edhe Veliaj mund ta dëmtojë në mënyrë të pavarur, Rama është shndërruar papritur në “qingjin e urtë” që kërkon të mbrojë edhe banjaminin e vet. Sepse Ballukun, mesa duket, as që e ka ndërmend ta prekë. Në këtë situatë të përkohshme dobësie, Rama ka zgjedhur të shpallë armikun e radhës: Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë në tërësi.

Ndërkohë të gjithë harrojnë një detaj të thjeshtë: Veliaj mund të ushtrojë kompetencat edhe nga vendi ku ndodhet, sepse ligji ia lejon. Mund ta delegojë firmën. Mund të japë dorëheqjen. Mund edhe të refuzojë të bashkëpunojë me Ramën. Janë të gjitha skenarë të hapur, të mundshëm, në një çorbë politike të prishur të një mazhorance ku SPAK ka prishur shumë shije dhe shumë ekuilibra.

Si përherë, Rama kërkon të nxjerrë gështenjat e nxehta me duart e të tjerëve — këtë herë duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese të nxjerrë jashtë qelisë Erion Veliajn. Por në fakt, Veliaj mund të vazhdojë të ushtrojë kompetencat edhe atje ku ndodhet, ose t’i delegojë ato. Janë zgjedhje personale të tij. Sikundër edhe Rama ka plot rrugë ligjore për ta shkarkuar… ose për të bashkëpunuar me të.

Mjafton të ketë kurajon ta bëjë vetë — jo t’ua kërkojë të tjerëve. 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news