Editorial 2025-11-12 18:12:00 Nga VNA

Atentati në Rinas që ekspozoi dështimin e AMP-së dhe përgjegjësinë e Ministrisë së Brendshme

Ndaje në Whatsapp
Atentati në Rinas që ekspozoi dështimin e AMP-së dhe

Ngjarja e ndodhur pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku mbeti i vrarë Gilmano Dani dhe u plagos Muçi Shaljani, agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), nuk është një ngjarje e zakonshme kriminale. Ajo është pasqyra më e qartë e një krize që nuk ka të bëjë me rrugën apo territorin e bandave, por me brendinë e vetë shtetit.

Në letër, gjithçka është e qartë. Policia e Shtetit ushtron veprimtarinë e saj profesionale e operacionale në bazë të ligjit dhe nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ushtron vetëm kontroll administrativ, pa ndërhyrë në operacione apo hetime. Dhe për ta garantuar këtë ekuilibër, në varësinë e saj ndodhet Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) – struktura që heton punonjësit e policisë kur abuzojnë, devijojnë apo bien në kontakt me botën e krimit.

Pra, AMP është kontrollori i kontrollorit: institucioni që ruan ndarjen mes shtetit dhe ligjit, duke mbikëqyrur ata që mbikëqyrin rendin. Për këtë arsye, çdo agjent i saj është i detyruar të ruajë standardin më të lartë të integritetit profesional dhe moral.

Por ngjarja e Rinasit e përmbysi këtë rend.

Agjenti Muçi Shaljani, që duhej të hetonte lidhjet e policisë me krimin, ndodhej në shoqërinë e Gilmano Danit, një person me të kaluar të rëndë kriminale dhe lidhje të njohura me grupin e Emiljano Shullazit. Vetë prania e tij në atë shoqëri bie ndesh me çdo normë të shërbimit publik dhe me vetë arsyen e ekzistencës së AMP-së.

Ky rast nuk është më një rast individual; është një simptomë e qartë e një defekti sistemik. Ai tregon se kontrolli ka dështuar në dy drejtime themelore: në përzgjedhjen dhe verifikimin e punonjësve të AMP-së dhe në mbikëqyrjen që Ministria e Brendshme duhet të ushtrojë mbi këtë agjenci. Ligji e kufizon ministren në fushën e ndërhyrjeve operative, por i ngarkon përgjegjësinë për të garantuar që në AMP të mos hyjnë njerëz që e përmbysin vetë misionin e saj.

Në praktikë, ky dështim ka prodhuar një paradoks të rrezikshëm: organi që duhet të kontrollojë policinë është bërë shembull i shkeljes së ligjit. Kur “kontrollori i kontrollorit” përfundon në shoqërinë e krimit, çdo garanci për integritet institucional bie. Dhe bashkë me të bie besimi publik, që është themeli i çdo strukture ligjore.

Ngjarja e Rinasit nuk mund të mbyllet si një dosje e zakonshme hetimore. Ajo është provë e qartë se mekanizmi i kontrollit të brendshëm të shtetit ka nevojë për një rishikim të plotë, nga rekrutimi te llogaridhënia. Sepse në momentin që hallka që duhet të ruajë pastërtinë e sistemit bëhet pjesë e ndotjes, shteti humbet armën e fundit për t’u mbrojtur nga vetja.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news