Editorial 2025-10-23 19:27:00 Nga VNA

Spiropali në Izrael: Diplomaci pa busull dhe një “harresë” e qëllimshme ndaj Palestinës

Ndaje në Whatsapp
Spiropali në Izrael: Diplomaci pa busull dhe një

Nga Desada Metaj

Ndërkohë që të vetmet takime zyrtare që zhvillohen sot në Izrael janë ato të negociatorëve ndërkombëtarë për paqen në Lindjen e Mesme, ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zgjedhur një tjetër axhendë. Prej dy ditësh ajo shfaqet nëpër takime, konferenca dhe ceremoni, duke folur për “marrëveshje tregtare” me shtetin e Izraelit – një nismë që në pamje të parë duket ekonomike, por që në thelb ngre pikëpyetje serioze politike.

Në ditën e dytë të vizitës së saj, Spiropali u takua me ministrin e Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, dhe me kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana. Gjatë fjalës së saj, ministrja shqiptare u ndal te “marrëveshja e paqes” dhe te “plani 20-pikësh i paqes i presidentit Donald Trump”, për të cilin tha se ka potencial të sjellë stabilitet në rajon. Ajo foli për kapituj të rinj bashkëpunimi dhe theksoi se “Shqipëria është e udhëhequr nga i njëjti angazhim për paqen si Izraeli”.

Në një ton më të butë emocional, Spiropali kujtoi historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar atë si “trashëgimi njerëzore që jeton ende sot”. Më tej, ajo falënderoi Izraelin për njohjen e Kosovës dhe nënvizoi fushat ku dy vendet po zgjerojnë bashkëpunimin – nga inovacioni te turizmi, shëndetësia, arsimi dhe bujqësia.

Por pas gjithë kësaj gjuhe diplomatike, mbetet një problem themelor: Spiropali, në mënyrë të përsëritur, po flet për “abstenimin e Shqipërisë” në votimet ndërkombëtare që lidhen me Palestinën, duke injoruar faktin se Shqipëria e ka njohur zyrtarisht shtetin palestinez që prej vitit 1988. Çdo referencë e saj ndaj “dy shteteve” shoqërohet me një ambiguitet që krijon përshtypjen se Tirana po përpiqet de facto të shmangë njohjen e Palestinës, për të ruajtur raportet e ngushta me Izraelin.

Në kohën kur sipas mediave presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mësohet t´i ketë thënë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahut: “Bibi, nuk mund të luftosh me botën. Mund të fitosh beteja të veçanta, por bota është kundër teje”, diplomacia e Elisës ka vendosur të rreshtohet kundër botës. Në këtë dritë, vizita e saj merr kuptime të tjera: jo thjesht një përpjekje për “bashkëpunim ekonomik, madje në sektorë shumë strategjik”, por një mesazh politik i rreshtimit pa rezerva në krah të Izraelit, në një kohë kur diplomacia botërore është e ndarë mbi mënyrën se si duhet trajtuar konflikti me Palestinën.

Në kontrast, kur në krye të diplomacisë shqiptare ishte Ditmir Bushati, Shqipëria votoi pro rezolutës për Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së — një akt që ruante koherencën serioze me pozicionin historik të vendit në politikën e jashtme.

Sot, në vend të një qëndrimi të qartë diplomatik, Shqipëria rrezikon të shfaqet si një vend joserioz, që ndryshon pozicion sipas vizitës së radhës në funksion të përkrahjeve politike qartazi individuale.

Edhe më e paqartë bëhet menaxhimi dhe e ardhmja e diplomacisë shqiptare pas nënshkrimit nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve të memorandumit të bashkëpunimit me fokus diplomacinë publike dhe trajnimin e diplomatëve të rinj. Duke patur parasysh që diplomacia izraelite mund të jetë e suksesshme në botë, sepse mbështetet nga burime të konsiderueshme financiare dhe forcë inteligjence e ushtarake efikase, është e dyshimtë se sa do të jetë në gjendje diplomacia shqiptare të mësojë dhe zbatojë nga përvoja e diplomacisë izraelite. E kundërta dihet që Shqipëria nuk ka çfarë të ofrojë përvojë diplomacie.

Vizita e Spiropalit në Izrael, me gjithë gjuhën e saj të qetë diplomatike, e thellon perceptimin e një politike të jashtme të politizuar, një diplomaci pa kujtesë, pa koherencë, pa busull politike dhe mbi të gjitha pa marrë parasysh interesat afatgjata të shtetit shqiptar. Na mbetet të shpresojmë që të paktën diplomatët shqiptarë që do të trajnohen në Izrael të arrijnë të mësojnë nga atdhedashuria e diplomatëve izraelitë dhe ta aplikojnë atë për vendin e tyre.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news