Politika 11 June 2026, 11:40 Nga VNA

Berisha shpall heqjen e “non grata”-s, por emri i tij vijon të figurojë në listën zyrtare të Departamentit të Shtetit

Ndaje në Whatsapp
Berisha shpall heqjen e “non grata”-s, por emri i tij vijon të

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi këtë të enjte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur t’i heqin statusin “non grata”, i vendosur ndaj tij në maj të vitit 2021 nga administrata amerikane.

Lajmi u konfirmua nga vetë Berisha në momentin kur mbërriti në seancën plenare të Kuvendit, ku u prit me duartrokitje nga deputetët e opozitës. Edhe pse nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ai dha një koment të shkurtër nga foltorja.

“Unë erdha, u krye”, tha Berisha.

Njoftimi ka shkaktuar entuziazëm në radhët e opozitës, por deri më tani mungon çdo konfirmim zyrtar nga institucionet amerikane. As Ambasada e SHBA-së në Tiranë dhe as Departamenti Amerikan i Shtetit nuk kanë publikuar ndonjë deklaratë lidhur me një vendim të tillë.

Madje, në faqen zyrtare të Departamentit të Shtetit, në seksionin ku publikohen personat e sanksionuar sipas nenit 7031(c), emri i Sali Berishës vazhdon të figurojë në listën e publikuar për vitin fiskal 2021, së bashku me bashkëshorten e tij Liri Berisha dhe djalin Shkëlzen Berisha.

Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën e vendimit të pretenduar nga Berisha. Deri në këtë moment nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për heqjen formale të sanksionit apo për një lehtësi administrative që mund t’i mundësojë ish-kryeministrit të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara.

Burime pranë Partisë Demokratike pretendojnë se Berisha është njoftuar për vendimin nga përfaqësues të administratës amerikane dhe ai pritet të udhëtojë drejt SHBA-s. Por pa u bërë publik asnjë dokument zyrtar, mbetet e paqartë se çfarë ka ndryshuar konkretisht në statusin e tij juridik ndaj autoriteteve amerikane.

Për momentin, i vetmi fakt i verifikueshëm publikisht është se emri i Berishës vijon të jetë i pranishëm në listën e publikuar nga Departamenti i Shtetit, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga institucionet amerikane për të sqaruar nëse sanksioni është hequr, pezulluar apo nëse bëhet fjalë për një zhvillim tjetër procedural.

Video

Teksa Gentian Gjyli ish-kreu i ARRSH del nga SPAK një qytetar i drejtohet me fjalët: S'ju vjen turp që keni vjedhur lekët e popullit!

🔴LAJM I FUNDIT/ Flakadanët u kushtojnë dy muaj jashtë Kuvendit pesë demokratëve, Berisha përjashtohet për 10 ditë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme