Bota 27 June 2025, 15:49 Nga VNA

415 milionë euro që ndanë qeverinë: Shpërthen skandali me subvencionet e BE-së, bien kokat në Greqi

Ndaje në Whatsapp
415 milionë euro që ndanë qeverinë: Shpërthen skandali

Një skandal i përmasave të mëdha ka tronditur skenën politike greke, duke sjellë dorëheqjen e Ministrit të Emigracionit Makis Voridis dhe tre zëvendësministrave, pas zbulimeve për keqmenaxhimin sistematik të fondeve të Bashkimit Europian të destinuara për fermerët grekë gjatë gjashtë viteve të fundit.

Skandali shpërtheu pasi Komisioni Europian vendosi një gjobë prej 415 milionë euro ndaj Greqisë — shifër që mund të arrijë deri në 600 milionë euro — për dështimin në administrimin korrekt të subvencioneve bujqësore dhe për mungesën e kontrollit në ndarjen e tyre. Sipas BE-së, fondet janë shpërndarë në mënyrë të paligjshme, duke krijuar një sistem të tërë abuzimesh dhe favorizimesh që ka përjashtuar fermerët realë nga mbështetja e nevojshme.

Një dosje hetimore voluminoze prej 3.000 faqesh, e hartuar nga Prokuroria Evropiane dhe tashmë në duart e parlamentit grek, përmban prova dërrmuese, përfshirë përgjime telefonike të siguruara nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës. Bisedat e përgjuara midis ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të tjerë zbulojnë një rrjet manipulimesh dhe ndërhyrjesh politike për ndarjen e fondeve në mënyrë klienteliste, duke përdorur mekanizmat shtetërorë si mjete për favore personale e politike.

Përmbajtja e regjistrimeve ka zemëruar opinionin publik në Greqi dhe ka ngjallur shqetësim në Bruksel. Sipas hetimeve, akuzat përfshijnë akses të paautorizuar në bazat e të dhënave, manipulim të aplikimeve dhe marrëveshje të tipit “quid pro quo” midis zyrtarëve të zgjedhur dhe stafit të agjencive shtetërore. Në shumë raste, fonde janë dhënë për aktivitete bujqësore që nuk kanë ekzistuar kurrë, ose për zhvillimin e kullotave të cilat përfituesit nuk i kanë zotëruar e as marrë me qira.

Në zemër të këtij skandali ndodhet agjencia shtetërore OPEKEPE, përgjegjëse për menaxhimin e subvencioneve bujqësore, që në të kaluarën ka qenë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Bujqësisë, dikaster të cilin e ka drejtuar pikërisht Makis Voridis përpara se të emërohej Ministër i Emigracionit. Voridis, i njohur edhe për qëndrimet e tij të ashpra dhe shpesh ekstreme sa i përket politikave të emigracionit, ka dhënë dorëheqjen të premten pasdite, e cila është pranuar nga Kryeministri Kyriakos Mitsotakis.

Së bashku me të, dorëheqjen e kanë dhënë edhe tre zëvendësministra: Tasos Haxhivassiliou (Zëvendësministër i Jashtëm), Dionysis Stamenitis (Zëvendësministër i Zhvillimit Rural), dhe Christos Boukoros (Zëvendësministër i Qeverisjes Dixhitale), si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Zhvillimit Rural, Giorgos Stratakos. Të gjithë dorëheqjet janë pranuar nga kreu i qeverisë.

Skandali, që vijon të zgjerohet nga dita në ditë, ka hapur rrugën për hetime të mëtejshme ndaj zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit, të cilët dyshohet se kanë miratuar pagesa pa verifikime në terren, duke lejuar mashtrime me fonde të konsiderueshme. Mes rasteve të hetuara, janë evidentuar qytetarë që kanë përfituar miliona euro nga fondet e BE-së për aktivitete bujqësore inekzistente, apo për prona që nuk i zotëronin as ligjërisht e as me kontrata qiraje.

Hetimet pritet të vazhdojnë me intensitet në javët në vijim, ndërsa presioni ndaj qeverisë Mitsotakis dhe lidhjeve të saj me figurat kyçe të përfshira në këtë aferë po rritet. Paralelisht, Brukseli ka paralajmëruar se do të shtojë mbikëqyrjen dhe kushtëzimet për fondet që Greqia do të marrë në të ardhmen nga buxheti i përbashkët europian.

Video

Ç’të bën vëllai, s’ta bën as opozita.

“A mendoni se po shihni një revolucion këtu?” Kështu i përgjigjet Edi Rama gazetarit amerikan Andrew Callaghan, kur ai e pyet për protestat e lëvizjes “Revolucioni i Flamingove” dhe për qytetarët që kërkojnë ndryshim. Rama thotë se protestuesit kanë të drejtë të dalin në rrugë. Por intervista nuk shkon deri në fund: sipas Channel 5, kryeministri largohet gjatë bisedës, e cila ishte pjesë e një investigimi më të gjerë ku trajtohen edhe raportet e tij me Jared Kushner.

Hajdari i përvishet Veliajt për “çorbën e fantazive”, por për Ramën asnjë fjalë

Në protestë…

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme