Bota 23 Dhjetor 2024, 09:43 Nga VNA

Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në Siri

Ndaje në Whatsapp
Turqia ia zë vendin Iranit si forcë e huaj mbizotëruese në

Rënia e Qeverisë së Bashar al-Assadit nga duart e rebelëve, përfshirë atyre të mbështetur nga Ankaraja, e ka bërë Turqinë forcë të huaj mbizotëruese në Siri, në kurriz të Iranit dhe aleates së tij, Rusisë.

Turqia dhe Irani kanë garuar për vite kundër për ta shtrirë ndikimin e tyre në Kaukazin Jugor dhe duket se rivaliteti mes tyre tani ka shkuar deri në Levant.

“Republika islamike ka pasur shqetësime të jashtëzakonshme lidhur me ndikimin turk në Siri, qoftë ekonomik, politik apo ushtarak, edhe shumë kohë para rënies së Assadit. Por, me humbjen e aleatit të vetëm shtetëror të Iranit në rajon, këto shqetësime pritet të shtohen çdo herë e më shumë”, tha Behnam Taleblu, analist për Iranin në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (FDD), me seli në Uashington.

Megjithatë, ekspertët thonë se profili gjithnjë në rritje i Turqisë në Siri, në dëm të Iranit, nuk do të thotë patjetër se marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Teheranit do të preken në mënyrë të ndjeshme.

Çfarë kërkon Turqia?

Pas fillimit të luftës civile siriane në vitin 2011, Irani dhe Rusia e mbështetën Assadin, ndërsa Turqia i mbështeti grupet rebele që e kundërshtuan sundimin e tij.

Irani kishte nevojë që Assadi të qëndronte në pushtet për ta përdorur Sirinë si platformë për t’i financuar dhe armatosur partnerët dhe përfaqësuesit e vet, veçanërisht grupin libanez Hezbollah.

Për Rusinë, sundimi i Assadit ua mundësonte Moskës ta mbante bazën ajrore Hmeimim dhe bazën detare në Tartus, duke i siguruar asaj qasje më të lehtë në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Detin Mesdhe.

Nga ana tjetër, Ankaraja në Siri e donte një qeveri në më të përshtatshme me vizionin dhe politikat e saj rajonale, veçanërisht ato që do t’i frenonin grupet kurde në verilindje të Sirisë. Një koalicion partish kurde, përfshirë Partinë e Bashkimit Demokratik (PYD), udhëheq Administratën Autonome të Veriut dhe Lindjes së Sirisë.

Krahu i armatosur i PYD-së, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG), i udhëheq Forcat Demokratike Siriane (SDF), të mbështetura nga SHBA-ja.

"Turqia i ka pasur tri shqetësime kryesore në Siri: luftimin e YPG/PYD, mundësimin e kthimit të refugjatëve sirianë në Siri dhe parandalimin e flukseve të mëtejshme të refugjatëve drejt Turqisë", tha Daria Isachenko, eksperte për Turqinë në Institutin Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë.

Rënia e Assadit më 8 dhjetor ka ndalur fluksin e refugjatëve drejt Turqisë, por "dy shqetësimet e para mbeten", shtoi Daria Isachenko.

Siria tani kontrollohet praktikisht nga organizata e shpallur terroriste nga SHBA-ja, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), dhe aleatët e saj – disa prej të cilëve janë të lidhur me Turqinë, rivalin e Iranit.

Isachenko thotë se ndikimi në rritje i Turqisë në Siri mund ta forcojë edhe më tej pozicionin e Ankarasë në Detin Mesdhe, nëse Turqia e nënshkruan një marrëveshje detare në stilin e Libisë me autoritetet e reja në Damask.

Rruga përpara

Rritja e prestigjit të Turqisë dhe dobësimi i pozicionit të Iranit në Siri mund të kenë pasoja për zhvillimet në Kaukazin e Jugut, ku Irani, Rusia dhe Turqia luftojnë për ndikim.

Ekspertët thonë se derisa bisedimet në Astana – një format i sponsorizuar nga këto tri vende për t'i dhënë fund konfliktit në Siri – mund të kenë dështuar, ato prapëseprapë shërbyen si një platformë për menaxhimin e interesave të ndryshme.

Koordinimi dhe konsultimi për menaxhimin e konflikteve midis Turqisë dhe Iranit, si dhe Rusisë, në Lindjen e Mesme dhe Kaukazin e Jugut nuk duhet përjashtuar", tha Daria Isachenko.

Ajo shtoi se edhe në Siri, Turqia dhe Irani mund të gjejnë disa interesa të përbashkëta, si për shembull gjetja e një kundërshtari të përbashkët si Izraeli, i cili ka hyrë në territorin sirian menjëherë pas rënies së Assadit.

Megjithatë, disa argumentojnë se Teherani do të përpiqet ta minojë ndikimin e Turqisë në Siri, me shpresën për ta shndërruar vendin në të ashtuquajturin "bosht i rezistencës" – rrjeti i lirë i aleatëve dhe përfaqësuesve rajonalë të Iranit.

“Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike do të kërkojë mënyra për ta kthyer ndikimin në Siri”, tha Behnam Taleblu nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive (FDD).

Çështja kurde

Mbështetja e SHBA-së për Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, është dobësuar vitet e fundit për shkak të një kombinimi faktorësh, përfshirë tërheqjen e shumicës së trupave amerikane në vitet 2018 dhe 2019 dhe presionin nga aleati i NATO-s, Turqia.

Ankaraja, e cila kreu një inkursion në Sirinë veriore në vitin 2019 kundër forcave kurde, tani është në një pozicion të fortë për të sfiduar më tej kurdët, thonë ekspertët.

Që nga rënia e Assadit, grupet rebele të mbështetura nga Ankaraja janë përplasur me forcat kurde dhe kanë marrë qytetet Manbij dhe Tarafat, të cilat më parë ishin nën kontrollin kurd pranë kufirit me Turqinë.

Wladimir van Wilgenburg, një analist me bazë në Kurdistanin irakian, i cili është bashkautor i librit për kurdët sirianë, thotë se prania e 900 trupave amerikane që kanë mbetur mund të ofrojë një farë lloj mbrojtjeje për kurdët, por situata mbetet e pasigurt.

“Administrata e re në Damask ka gjasa të parapëlqejë marrëdhëniet me Turqinë e jo me SDF-në”, tha ai.

“Situata është e vështirë për kurdët, përveç nëse arrijnë një marrëveshje me HTS”, sipas tij.

Lideri i HTS-së, Ahmad al-Sharaa, i njohur më parë me emrin e luftës Abu Muhammad al-Jolani, dëshiron t’i bashkojë të gjitha grupet e armatosura në Siri nën një flamur të vetëm. Por, nëse SDF-ja do të bashkohej, kjo do të ishte fundi i autonomisë kurde në Siri, thotë Wilgenburg./ REL

Video

Aksi kombëtar Prrenjas–Elbasan është bllokuar për mbi 12 orë, duke lënë mijëra automjete dhe qytetare të izoluar në temperatura nën zero. Trafiku vijon të jetë i paralizuar nga Qukësi deri në Fushë Labinot, për shkak të ngricave, motit të keq dhe mungesës së ndërhyrjes nga firmat e mirëmbajtjes. Drejtuesit e mjeteve raportojnë mungesë ndihme, informacioni dhe masash nga autoritetet, ndërsa situata konsiderohet alarmante dhe një dështim serioz në menaxhimin e emergjencave dimërore. Bllokimi vijon edhe në orët e mbrëmjes, pa një njoftim zyrtar për zgjidhje.

Një situatë e vështirë ka përfshirë disa akse rrugore në Qarkun e Shkodrës gjatë orëve të fundit, ku reshjet e breshërit dhe dëborës kanë krijuar vështirësi të konsiderueshme në qarkullimin e automjeteve. Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër janë regjistruar një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë, të cilët raportojnë se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, kanë mbetur të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore. Bllokimet janë evidentuar në disa akse rrugore, konkretisht nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Aktualisht, në këtë aks po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka nisur formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor. Sipas raportimeve, mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin në drejtim të qytetit të Koplikut. Nga informacionet më të fundit bëhet me dije se aksi rrugor Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht. Ndërkohë, aksi rrugor Selcë–Qafë Berdelëcit paraqet problematika serioze për shkak të ngricave të shumta, si pasojë e të cilave disa automjete janë detyruar të kthehen në fshatin Tamarë.

Aktorja e njohur hollivudiane Angelina Jolie ka vizituar anën egjiptiane të pikëkalimit Rafah me Gazën, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të Gjysmëhënës së Kuqe dhe drejtues mjetesh që transportojnë ndihma humanitare. Sipas mediave lokale, aktorja dhe ish-e dërguara speciale e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) e ka zhvilluar këtë vizitë për të parë nga afër gjendjen e palestinezëve të plagosur të transferuar në Egjipt, si dhe për të ndjekur procesin e dërgimit të ndihmave humanitare drejt territorit të Gazës.

Një tërmet i fuqishëm goditi sot Meksikën, duke shkaktuar panik në disa zona të vendit. Sipas autoriteteve, lëkundjet u regjistruan me magnitudë 6.3–6.5 ballë dhe u ndjenë fort në Mexico City, duke detyruar presidenten Claudia Sheinbaum të ndërpresë konferencën për shtyp. Epiqendra ndodhej në shtetin Guerrero, në një thellësi rreth 10 kilometrash, ndërsa deri më tani nuk raportohet për dëme serioze apo viktima.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme