Bota 16 Dhjetor 2024, 09:08 Nga VNA

Si po i përgatit Rusia fëmijët ukrainas që të luftojnë kundër shtetit të tyre?

Ndaje në Whatsapp

Rusia po e përdorë një organizatë rinore ushtarake, Yunarmia, për të strehuar adoleshentët besnikë në territoret e pushtuara të Ukrainës dhe për t’i përgatitur ata për të luftuar në luftën e Moskës kundër vendlindjes së tyre.

Zhvillimi i Yunarmias mes pushtimit në shkallë të plotë dëshmohet edhe nga dokumente të papublikuara më parë nga autoritetet pushtuese ruse, të cilat janë marrë në posedim nga grupi i hakerëve ukrainas, KibOrg, grup që ia ka dhënë këto dokumente, njësisë hulumtuese të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Skemat, dhe partnerëve të tij medial.

Yunarmia, apo Ushtria Rinore, u krijua më 2016 me iniciativën e ministrit të atëhershëm rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Kjo organizatë thotë se ka 1.3 milion anëtarë. Fëmijët, nga mosha 8-vjeçare, mund t’i bashkohen kësaj organizate përmes plotësimit të një pyetësori në një aplikacion në telefon.

Organizata pretendon se lehtëson zhvillimin shpirtëror, moral, shoqëror dhe intelektual të të ashtuquajturve kadetë të Yunarmias. Po ashtu thotë se “formon një motivim pozitiv për t’i përmbushur detyrat kushtetuese dhe përgatit djemtë e rinj për shërbim në Forcat e Armatosura të Federatës Ruse”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, takohet me anëtarët e organizatës Yunarmia, në shtator të vitit 2019.

Presidenti rus, Vladimir Putin, takohet me anëtarët e organizatës Yunarmia, në shtator të vitit 2019.

Më 2017, kadetët e Yunarmias marshuan së bashku me ushtarët në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, ceremoni e cila u udhëhoq nga presidenti rus, Vladimir Putin. Këtë vit, fëmijët e organizatës Yunarmia nga rajoni Luhansk, i pushtuar nga Rusia, morën pjesë në festimet ushtarake në qytetin rus, Novosibirsk.

Rusia ka hapur degën e parë të Yunarmias në territoret e pushtuara të Ukrainës në Krime, disa muaj pas formimit zyrtar të organizatës. Deri në shtator të vitit 2016, Yunarmia ishte përhapur në mbarë gadishullin e Detit të Zi, sipas Oleh Okhredkos, analist në Qendrën e Edukimit Qytetar, Almenda. Kjo qendër përbëhet nga një grup ukrainasish, që dokumenton shkeljet e të drejtave të fëmijëve në kohë lufte.

Më 2014, Rusia pushtoi Krimenë dhe mbështeti luftën në rajonet lindore ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut, që njihen edhe si Donbas.

Yunarmia “u krijua me ide specifike të riedukimit ushtarak jo vetëm për [fëmijët] rusë, por edhe për fëmijët ukrainas nga territoret e pushtuara”, tha Kateryna Rashevska, avokate nga Qendra rajonale për të Drejtat e Njeriut, qendër që është detyruar të zhvendoset nga Krimeja në Kiev, pas pushtimit rus.

Deri në janar të vitit 2022, një muaj para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Yunarmia kishte 29.000 anëtarë vetëm në Krime, sipas të dhënave të Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Autoritetet ligjzbatuese të Ukrainës e kanë akuzuar udhëheqjen e organizatës Yunarmia në Krimenë e pushtuar për shkelje të mbrojtjes së civilëve, që garantohet me Konventën e Gjenevës, duke cituar një nen të konventës që ndalon “propagandën që synon regjistrimin vullnetar të civilëve”.

Dy djem nga Yunarmia me armë në duar në një ngjarje në Sevastopol, në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia, në gushtin e vitit 2019.

Dy djem nga Yunarmia me armë në duar në një ngjarje në Sevastopol, në Gadishullin e Krimesë të pushtuar nga Rusia, në gushtin e vitit 2019.

Iryna Sedova, eksperte e Grupit për të Drejtat e Njeriut në Krime, mbështet akuzën e bërë nga shteti.

“Ne konsiderojmë se aktivitetet e kësaj organizate shkelin ligjin ndërkombëtar humanitar dhe udhëheqësit e kësaj organizate po kryejnë krime lufte kundër banorëve të Krimesë, në veçanti, ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që po zombifikohen dhe de facto i përfshijnë në mënyrë të pavullnetshme në Yunarmia”, deklaroi ajo për Radion Evropa e Lirë më 2022.

Si përgjigje ndaj këtyre akuzave, kreu i degës së Yunarmias në Sevastopol, Volodymyr Kovalenko, tha se Qeverinë aktuale të Ukrainës e konsideron jolegjitime dhe mohoi se ka kryer ndonjë krim.

Megjithatë, që nga pushtimi disa ish-anëtarë të Yunarmias nga zonat e pushtuara i janë bashkuar ushtrisë ruse për të luftuar kundër Ukrainës.

Në mesin e tyre: Illya Zozulskiy, 23 vjeç, nga fshati Poltavka i Krimesë, i cili është një artiljer i dekoruar me medaljen prestigjioze Zhukov, sipas mediave ruse. Media ruse, Mash, raportoi në janar të vitit 2023 se ai ishte një nga 50 “mentorët” nga Yunarmia, që po luftonin.

Zozulskiy nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë dhe partnerët e saj medial.

Më 19 nëntor, Britania njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj Yunarmias, duke e cilësuar atë si “organizatë paramilitare ruse, qendrore për përpjekjet e Putinit që me forcë të dëbojë apo indoktrinojë gjeneratën e re të Ukrainës”. Britania tha se organizata “është e përfshirë në përpjekjen sistematike të Rusisë për të fshirë identitetin kulturor dhe kombëtar ukrainas”.

Njoftimi për sanksione ndodhi mes raportimeve se ushtria ruse për herë të parë ka rekrutuar banorë nga pjesët e pushtuara të Ukrainës.

Yunarmia nisi të operonte në Donbas vetëm pasi Putini, pa ofruar prova, pretendoi në shtator të vitit 2022 se rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut, së bashku me atë të Zaporizhjas dhe Hersonit ishin pjesë e Rusisë. Që nga viti 2019, një grup i ngjashëm i quajtur Garda e Re – Yunarmia, ka operuar në Donbas.

Më 2023, “shtëpitë” e Yunarmias – ambiente shkollore të përshtatura për qitje me armë dhe trajnime sportive – u hapën në pjesët e pushtuara të Donjeckut dhe Luhanskut. Sipas dokumenteve të ofruara nga KibOrg, Yunarmia përdor ndërtesa shkollore pa paguar para, dhe merr ndihmë financiare dhe ndihmë tjetër nga Qeveria federale ruse dhe nga selia e Yunarmias në Moskë.

Skemat pranuan dhjetëra dokumente shkollore nga KibOrg të fëmijëve që jetojnë në zonat e pushtuara. Shumica e fëmijëve ishin të listuar se ishin anëtarë të Yunarmias ose që merrnin pjesë në aktivitetet e kësaj organizate.

Një shembull është një nxënës i klasës së tetë që vjen nga një prej qytetet që është nën pushtimin rus në rajonin e Donjeckut, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për të mbrojtur atë, pasi është i mitur. Sipas një llogarie në rrjete sociale të vendlindjes së tij, ai mori pjesë në kampin e trajnimit të quajtur Mbrojtësit 2024, dhe fitoi medaljen e bronzit për çmontimin dhe montimin e një pushke të llojit AK-74.

Pjesëmarrësit “u stërvitën të përdornin armë dhe morën trajnim bazik ushtarak, studiuan taktikat moderne dhe metodat e luftës”, u tha në postim. Aty po ashtu u tha se “më shumë se 300 nxënës” nga Rusia dhe rajonet e Donjeckut dhe Zaporizhjas “bënë betimin për besnikëri ndaj Yunarmias”.

Ish-anëtarët e Gardës së Re-Yunarmia nga pjesët e pushtuara të rajonit të Donjeckut po luftojnë në luftën kundër Ukrainës.

Stanislav Sikorskiy nga Horlivka, i cili ka përfunduar shkollën e mesme më 2018, ishte anëtar edhe i Yunarmias edhe i Gardës së Re-Yunarmia, sipas llogarisë së këtij të fundit në rrjetin social, Vkontakte. Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, ai ishte “në radhët” e ushtrisë ruse dhe luftoi në betejat që u zhvilluan në rajonin e Hersonit./REL

Video

Një varkë turistike u fundos pranë plazhit Fonte da Telha, pasi u përplas disa herë nga një tufë balenash vrasëse (orka). ? Pamjet dramatike tregojnë orkat duke ndjekur dhe goditur anijen me vela, deri sa ajo u zhyt në det. ? Në bord ndodheshin 5 persona, të cilët u shpëtuan në kohë falë ndihmës së një varke tjetër. ⛵ Në një incident tjetër, pranë Cascais, një tjetër varkë me 4 persona u përball me të njëjtën tufë orkash – edhe ata shpëtuan pa lëndime. ? Që prej vitit 2019, në brigjet e Portugalisë dhe Spanjës janë raportuar qindra sulme të orkave ndaj mjeteve lundruese. Shkencëtarët ende nuk kanë një shpjegim të qartë për këtë sjellje të pazakontë.

Një automjet tip Benz është përfshirë nga flakët në Levan. Sapo ka vënë re zjarrin, drejtuesi i mjetit ka ndaluar dhe ka dalë menjëherë prej tij, duke shpëtuar pa lëndime. Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, por automjeti është shkrumbuar plotësisht.

Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Fier–Patos, në afërsi të fshatit Portëz. Dy automjete, një tip Volkswagen Golf dhe një tip Renault, janë përplasur përballë, teksa lëviznin në drejtim të kundërt me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, një prej automjeteve ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës, ndërsa drejtuesi i mjetit ka shpëtuar pa lëndime serioze. Dyshohet se shkak i aksidentit mund të jetë bërë një manovër e gabuar e njërës prej makinave.

?Ushtria izraelite shkatërroi plotësisht të hënën kullën Al-Ghafri, një ndërtesë 20-katëshe në pjesën perëndimore të Gazës, e cila ishte ndër ndërtesat më të larta në zonë. Para sulmit, banorët u njoftuan dhe u kërkua që ta braktisin ndërtesën brenda disa minutash. ?Video e mëposhtme tregon momentet kur familjet janë filmuar teksa hidhnin sendet e tyre nga dritaret në panik, ndërsa përpiqeshin të shpëtonin çfarë të mundnin, pasi Izraeli u kishte dhënë atyre "pak minuta për të ikur" nga Kulla Mahna në qytetin e Gazës, përpara se ajo të bombardohej dhe të shkatërrohej.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme