Në 28 nëntor 1912, në një dhomë të vogël në Vlorë, në sarajet e familjes Vlora, një grup burrash ndërmorën një nga aktet më të rëndësishme të historisë shqiptare. Nënshkrimet e tyre sollën lindjen e shtetit shqiptar. Por ato nënshkrime, aq të guximshme dhe aq historike, për shumë prej tyre u kthyen në firmën e dënimit dhe përndjekjes.
Për të kuptuar dhunën që përjetuan më pas, duhet kujtuar një e vërtetë që studiuesit e totalitarizmit e sjellin gjithnjë në vëmendje: kërcënimi më i madh i regjimeve shtypëse është shkatërrimi i sferës publike, çrrënjosja e hapësirës ku individi flet, mendon dhe vepron. Harresa dhe fshirja e historisë. Shqipëria e shekullit XX e provoi këtë, me firmëtarët e Pavarësisë.
Ata, që nënshkruan lirinë, u kthyen në shënjestër të dhunës politike, të torturave dhe të fshirjes nga kujtesa.
Shefqet Daiu, elbasanlliu patriot, shkruesi i Deklaratës së Pavarësisë, deputet dhe hartues i një abetareje shqip, u arrestua dhe vdiq i torturuar më 1946. Ai ishte një nga penat më të qarta të kohës. Ai hartoi tekstin e Deklaratës së Pavarësisë. Por në vitin 1946, njeriu që i dha Shqipërisë fjalën e lirisë, u dënua, u torturua dhe u ekzekutua nga regjimi komunist. As emri, as vepra, as sakrifica nuk u përmendën për dekada të tëra.
Lef Nosi, ruajtësi i dokumentit, i pushkatuari i harruar.
Nënshkrues dhe protektori i deklaratës origjinale të Pavarësisë deri sa u arrestua më 1944. Ishte një nga mendjet më të ndritura të kombit, erudit, koleksionist, studiues, burrë shteti. Por në shkurt të vitit 1946 u pushkatua si „armik i popullit“. Biblioteka iu shpërbë, emri iu zhduk nga librat, dhe kontributi iu la në hije.
Qazim Kokoshi, patrioti që i mbijetoi Gestapos, por jo hetuesisë shqiptare
Kokoshi, një nga patriotët shqiptarë që shumicën e viteve aktive në politikë ia kushtoi kauzës kombëtare dhe demokracisë në Shqipëri, megjithëse u arrestua, internua nga nazistët, teksa vendosi pas luftës të kthehej në atdhe, u arrestua më 1946. Por hetuesia komuniste nuk pati të njëjtin “mëshirë” si ajo naziste. Vdiq nën tortura në vitin 1947. Sot, kujtimi për të mbetet vetëm në dokumente të rralla historike dhe administrative të shtetit shqiptar.
Xhelal Koprëncka, firmëtari i fshirë nga historia
Hero i heshtur i pavarësisë, i diplomuari i shkollës prestigjioze amerikane Robert College në Stamboll, u vra pabesisht në vitin 1919 për aktivitetin e tij patriotik. Regjimi komunist e shpalli “reaksionar”, ia hoqi emrin nga lista e firmëtarëve, i shkatërroi varrin dhe, sipas dëshmive, eshtrat ia hodhi në një vend të pashënuar. Edhe nipi i tij u torturua në Spaç dhe u dënua me pushkatim 70 vjet pas gjyshit, më 1979.
Sami Vrioni, aristokrati i ditur që vdiq në burg
Ish-ministër në Perandorinë Osmane, shok dhe koleg i Ismail Qemalit u kthye në Shqipëri dhe ishte ndër firmëtarët dhe delegat në kuvendin e Vlorës më 1912. Përfaqësuesi i një familjeje me tradita dhe në një sërë postesh administrative dhe politike, ndonëse mbetej liberal në pikëpamjet e tij politike, mbylli sytë pas hekurave të burgut në 1947, në varfëri dhe në harresë.
Bedri Pejani, një udhëheqës i njohur, i dorëzuar për ekzekutim
Delegati i Plavës, Gucisë, Pejës, prizrenaliu ishte përfaqësues dhe themelues i Komitetit „Mbrojtja Kombëtare e Kosovës“, nuk rreshti së përpjekuri për kauzën kombëtare shqiptare derisa si kryetar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit u kap dhe u dorëzua tek serbët, për ta pushkatuar më 1948. I quajtur “armik”, ndërsa ishte një nga mendjet më të ndritura të kombit.
Zini Abaz Kanina, një vit torturë dhe fund i menjëhershëm
Një ndër përfaqësuesit më të denjë të Kaninës, kishte një karrierë të vyer si përkthyes, arsimtar, letrar dhe shërbeu në disa poste të administratës shtetërore shqiptare prej 1912 deri në fund të Luftës, teksa u arrestua më 1951, pas kthimit nga Italia si drejtor i Bankës së Shqipërisë në Romë. E mbajtën të izoluar, e torturuan për një vit, e dënuan dhe pak pas lirimit vdiq më 1959. Asnjë nderim, asnjë ceremoni, asnjë kujtim publik nuk u bë për të. Mik i Naim Frashërit, bashkëpunues i ngushtë me Mit‘hat Frashërin, Ali Asllanin dhe Aristidh Ruçin u la në harresë për shkak të kontributit patriotik dhe intelektual të tij, që i bënte hije bajraktarëve të udhëheqjes komuniste pas 1945.
Aristidh Ruçi, nga tregtar i madh, në varfëri ekstreme pas burgut
Delegat dhe firmetari i Deklaratës së Pavarësisë, ishte një nga manjatët më të shquar të Qytetit të Vlorës, filantrop, intelektual, patriot, themelues i Komitetit „Mbrojtja Kombëtare“ kundra italianëve më 1920, dhe bashkëthemelues i Shoqërisë „PërLindja“. Ruçi firmosi deklaratën me kontributin e tij si luftëtar dhe bashkëthemelues dhe nënshkrues edhe i Memorandumit të Gërçes. Ruçi ishte aktiv në rrugëtimin shtetëror të Shqipërisë mes dy luftërave botërore, duke iu kundërvënë tendencave autoritariste, aq sa u arrestua dhe u internua prej fashistëve në Itali. Ndonëse ishte themelues i Kryqit të Kuq shqiptar në Vlorë, pas kthimit prej internimit në Itali, u arrestua dhe u burgos si tregtar i madh, me akuzën e mospagimit të tatimit të jashtëzakonshëm të luftës dhe iu konfiskua e gjithë pasuria duke e lënë të jetonte. Vdiq në 1950, ndërsa shtypi i kohës e kaloi në heshtje të plotë.
Ferit Vokopola, përkthyesi i Kur’anit që jetoi nën përbuzje
Nënshkrues i Deklaratës, stenografoi fjalimin e Ismail Qemalit në Kuvendin e Vlorës, i diplomuar për jurisprudencë dhe ekonomi në Stamboll, ka mbajtur një sërë postesh publike në Shqipëri deri më 7 Prill 1939, disa herë ministër, deputet, letrar, përkthyes dhe poliglot mbetet njeriu që i dha shqipes një nga përkthimet më të rëndësishme religjioze, Kuranit dhe të kalendarit osman. Gjatë luftës nuk u angazhua politikisht, u mor me revistën që themeloi „Njeriu“, dhe shkrimet tek „Zani i Naltë“, por u burgos më 1945. Pas lirimit nga burgu prej amnistisë, jetoi në izolim shoqëror deri në vdekjen e tij në 1969 duke u marrë kryesisht me përkthime nga osmanishtja.
Qemal Karaosmani, firmëtari që shoqëroi Ismail Qemalin
Elbasanlliu mik i Ismail Qemalit dhe i shumë firmëtarëve të tjerë, patriot i denjë, shoqëroi flamurin nga Durrësi në Vlorë. Nënshkroi aktin e pavarësisë si “Qemal Elbasani”. Shërbeu si ministër dhe si drejtues i lartë publik, deputet disa herë deri më 1939. Por pas vdekjes së tij në 1946, familja u persekutua, pasuria u sekuestrua, emri iu la në hije për dekada.
Hajredin Cakrani, patrioti i shpallur armik
Firmëtar, anëtar i Pleqësisë së themeluar prej Kuvendit të Vlorës, ish-ministër, ushtarak i lartë, organizator i ushtrisë shqiptare të kohës. Luftëtar dhe një ndër organizatorët e Luftës së Vlorës më 1920. Kontributi patriotik iu mohua, familja u ndoq, vëllai Bektashi iu shpall “kriminel lufte” dhe vdiq në burg.
Internimet dhe mërgimet – dënimi që vazhdoi përtej kufijve
Dervish Biçaku, Dhimitër Berati, Eqerem Vlora, Mustafa Kruja, Mit’hat Frashëri, Rexhep Mitrovica, të gjithë firmëtarë dhe patriotë me kontribute të jashtëzakonshme në themelimin e shtetit shqiptar u detyruan të linin atdheun pas vendosjes së regjimit komunist. U shpallën “armiq” dhe “kriminelë”, vetëm sepse nuk i përkisnin ideologjisë totalitariste komuniste. Në vend të nderit që meritonin, u la shenjë harresa për t‘ju errësuar kontributi deri në fillim të viteve 1990.
Fshirja nga kujtesa – krimi i dytë
Regjimet totalitare nuk mjaftohen duke shkatërruar trupin. Ato synojnë të shkatërrojnë kujtesën.
Emrat e firmëtarëve u zhdukën nga librat
— fotografitë u prishën
— biografitë u censuruan
— varret u shkatërruan
— fëmijët e tyre u shtynë në varfëri, internim dhe turp të imponuar.
I gjithë procesi ishte një shkulje rrënjësh kulturore dhe historike të shtetit shqiptar para 1945. Kjo ishte një përpjekje për të ndërtuar një komb pa të shkuar.
Por historia ka kujtesë të gjatë, te atyre qe kane ikur përmes pinjollëve të tyre dhe te bashkombasve që i nxorën nga errësira ku diktatura komuniste i mbajti.
Sot, 113 vjet pas atij nënshkrimi të madh, tragjeditë e tyre rikthehen për të na kujtuar se liria nuk është dhuratë, por sakrificë. Ata që nënshkruan aktin e Pavarësisë paguan një çmim të lartë për ta dhe kombin.
Dhe në një kohë kur historia prapë rrezikon të shtrembërohet, kujtimi i tyre është akt rezistence.
Kujtojmë. Nderojmë. Reflektojmë.






















