Lifestyle 2026-08-21 14:09:04 Nga VNA

Vapa dhe ilaçet: Medikamentet e zakonshme që mund ta bëjnë nxehtësinë të rrezikshme

Ndaje në Whatsapp

Vapa dhe ilaçet: Medikamentet e zakonshme që mund ta bëjnë

Mund të keni përballuar temperatura 40 gradë pa probleme dhe papritur një verë të ndiheni të rraskapitur, të djersini më shumë se zakonisht apo të dehidratoheni shumë shpejt. Shkaku mund të mos jetë vetëm vapa, por edhe ilaçi që merrni çdo ditë.

BBC ngre alarmin për një efekt relativisht pak të njohur të disa prej medikamenteve më të përdorura në botë. Antidepresivët, ilaçet për ADHD-në, tensionin e lartë dhe sëmundjet e zemrës mund të ndërhyjnë në mekanizmat me të cilët organizmi kontrollon temperaturën.

Rasti i 28-vjeçares Ileana Okumus është domethënës. Gjatë valës së të nxehtit në Bruksel, ajo nisi të djersinte menjëherë sapo dilte nga shtëpia dhe i duheshin deri në një orë për t’u freskuar. Një ditë, kur temperatura në apartament arriti 34°C, ajo fjeti rreth 18 orë dhe mezi zgjohej. Vetëm më vonë e lidhi reagimin e pazakontë të organizmit me ilaçet që merrte prej dy vitesh për depresionin dhe ankthin.

Sipas ekspertëve të cituar nga BBC, disa nga antidepresivët më të zakonshëm, përfshirë sertralinën, fluoksetinën, escitalopramin dhe venlafaksinën, mund të ndikojnë në hipotalamus, qendrën e trurit që rregullon temperaturën. Djersitja e tepërt prek rreth një në pesë persona që marrin antidepresivë dhe mund të çojë në humbje të lëngjeve dhe elektroliteve.

Edhe antipsikotikët mund të pengojnë mekanizmat normalë të ftohjes së trupit, ndërsa stimulantët e përdorur për ADHD, si Ritalin, mund të rrisin prodhimin e nxehtësisë dhe të ngushtojnë enët e gjakut. Madje mund të bëjnë që personi të mos kuptojë në kohë se po mbinxehet.

Por problemi nuk kufizohet te medikamentet psikiatrike.

Diuretikët dhe disa prej ilaçeve më të përdorura kundër tensionit të lartë, si inhibitorët ACE dhe ARB-të, mund të favorizojnë dehidratimin dhe çrregullimin e elektroliteve. Në raste të rënda, ekspertët paralajmërojnë për rritje të rrezikut të dëmtimit të veshkave, infarktit dhe komplikacioneve të tjera serioze.

Edhe beta-bllokuesit mund ta bëjnë më të vështirë largimin e nxehtësisë nga organizmi, sepse kufizojnë qarkullimin e gjakut drejt lëkurës.

Rreziku bëhet edhe më i rëndësishëm për personat që marrin disa medikamente njëkohësisht dhe për të moshuarit. Një studim amerikan i cituar nga BBC sugjeron se disa pacientë mbi 65 vjeç mund të kenë rrezik më të lartë për t’u shtruar në spital për probleme të lidhura me nxehtësinë edhe gjatë verës së zakonshme, pa qenë domosdoshmërisht në mes të një vale ekstreme të të nxehtit.

Por paralajmërimi nuk do të thotë se ilaçet duhen ndërprerë. Përkundrazi, BBC nënvizon se asnjë medikament nuk duhet ndërprerë pa u konsultuar me mjekun, pasi ndërprerja e trajtimeve mund të sjellë pasoja serioze.

Mesazhi është tjetër: në ditët shumë të nxehta, ilaçi që merrni çdo mëngjes mund të jetë një faktor rreziku për të cilin nuk keni menduar kurrë.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news