
Një konflikt mes disa të burgosurve është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Fier, në ambientet e dhomës së ajrimit. Si pasojë e përplasjes, dy të burgosur kanë mbetur të plagosur.
Sipas burimeve nga Spitali Rajonal i Fierit dhe institucioni i vuajtjes së dënimit, të plagosurit dyshohet se janë goditur me mjete të improvizuara, mes tyre edhe brisqe rroje.
Pas nisjes së konfliktit, forcat e sigurisë së burgut kanë ndërhyrë për neutralizimin e situatës dhe kanë rikthyer të burgosurit në qelitë e tyre.
Dy të plagosurit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën mjekësore. Sipas burimeve spitalore, gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Njëri prej të plagosurve mësohet se ka qenë në paraburgim. Ndërkohë, drejtuesit e institucionit janë thirrur për të shqyrtuar incidentin.
Rrethanat e plota të konfliktit mbeten ende të paqarta, ndërsa nuk janë bërë të ditur identitetet e të plagosurve apo personave të përfshirë. Pritet një reagim zyrtar për ngjarjen dhe masat e marra pas incidentit.






















