Editorial 2025-10-23 19:27:00 Nga VNA

Spiropali në Izrael: Diplomaci pa busull dhe një “harresë” e qëllimshme ndaj Palestinës

Ndaje në Whatsapp
Spiropali në Izrael: Diplomaci pa busull dhe një

Nga Desada Metaj

Ndërkohë që të vetmet takime zyrtare që zhvillohen sot në Izrael janë ato të negociatorëve ndërkombëtarë për paqen në Lindjen e Mesme, ministrja shqiptare për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zgjedhur një tjetër axhendë. Prej dy ditësh ajo shfaqet nëpër takime, konferenca dhe ceremoni, duke folur për “marrëveshje tregtare” me shtetin e Izraelit – një nismë që në pamje të parë duket ekonomike, por që në thelb ngre pikëpyetje serioze politike.

Në ditën e dytë të vizitës së saj, Spiropali u takua me ministrin e Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, dhe me kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana. Gjatë fjalës së saj, ministrja shqiptare u ndal te “marrëveshja e paqes” dhe te “plani 20-pikësh i paqes i presidentit Donald Trump”, për të cilin tha se ka potencial të sjellë stabilitet në rajon. Ajo foli për kapituj të rinj bashkëpunimi dhe theksoi se “Shqipëria është e udhëhequr nga i njëjti angazhim për paqen si Izraeli”.

Në një ton më të butë emocional, Spiropali kujtoi historinë e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke e cilësuar atë si “trashëgimi njerëzore që jeton ende sot”. Më tej, ajo falënderoi Izraelin për njohjen e Kosovës dhe nënvizoi fushat ku dy vendet po zgjerojnë bashkëpunimin – nga inovacioni te turizmi, shëndetësia, arsimi dhe bujqësia.

Por pas gjithë kësaj gjuhe diplomatike, mbetet një problem themelor: Spiropali, në mënyrë të përsëritur, po flet për “abstenimin e Shqipërisë” në votimet ndërkombëtare që lidhen me Palestinën, duke injoruar faktin se Shqipëria e ka njohur zyrtarisht shtetin palestinez që prej vitit 1988. Çdo referencë e saj ndaj “dy shteteve” shoqërohet me një ambiguitet që krijon përshtypjen se Tirana po përpiqet de facto të shmangë njohjen e Palestinës, për të ruajtur raportet e ngushta me Izraelin.

Në kohën kur sipas mediave presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mësohet t´i ketë thënë kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahut: “Bibi, nuk mund të luftosh me botën. Mund të fitosh beteja të veçanta, por bota është kundër teje”, diplomacia e Elisës ka vendosur të rreshtohet kundër botës. Në këtë dritë, vizita e saj merr kuptime të tjera: jo thjesht një përpjekje për “bashkëpunim ekonomik, madje në sektorë shumë strategjik”, por një mesazh politik i rreshtimit pa rezerva në krah të Izraelit, në një kohë kur diplomacia botërore është e ndarë mbi mënyrën se si duhet trajtuar konflikti me Palestinën.

Në kontrast, kur në krye të diplomacisë shqiptare ishte Ditmir Bushati, Shqipëria votoi pro rezolutës për Palestinën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së — një akt që ruante koherencën serioze me pozicionin historik të vendit në politikën e jashtme.

Sot, në vend të një qëndrimi të qartë diplomatik, Shqipëria rrezikon të shfaqet si një vend joserioz, që ndryshon pozicion sipas vizitës së radhës në funksion të përkrahjeve politike qartazi individuale.

Edhe më e paqartë bëhet menaxhimi dhe e ardhmja e diplomacisë shqiptare pas nënshkrimit nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve të memorandumit të bashkëpunimit me fokus diplomacinë publike dhe trajnimin e diplomatëve të rinj. Duke patur parasysh që diplomacia izraelite mund të jetë e suksesshme në botë, sepse mbështetet nga burime të konsiderueshme financiare dhe forcë inteligjence e ushtarake efikase, është e dyshimtë se sa do të jetë në gjendje diplomacia shqiptare të mësojë dhe zbatojë nga përvoja e diplomacisë izraelite. E kundërta dihet që Shqipëria nuk ka çfarë të ofrojë përvojë diplomacie.

Vizita e Spiropalit në Izrael, me gjithë gjuhën e saj të qetë diplomatike, e thellon perceptimin e një politike të jashtme të politizuar, një diplomaci pa kujtesë, pa koherencë, pa busull politike dhe mbi të gjitha pa marrë parasysh interesat afatgjata të shtetit shqiptar. Na mbetet të shpresojmë që të paktën diplomatët shqiptarë që do të trajnohen në Izrael të arrijnë të mësojnë nga atdhedashuria e diplomatëve izraelitë dhe ta aplikojnë atë për vendin e tyre.

Video

Uragani “Melissa” ka goditur Kubën, pak orë pasi shkaktoi shkatërrime të mëdha në Xhamajkë. Rreth 735 mijë persona janë evakuuar nga zonat lindore, ndërsa presidenti Miguel Diaz-Canel paralajmëroi për “dëme të mëdha” dhe kërkoi respektimin e urdhrave për evakuim. Në Xhamajkë, ku “Melissa” arriti kategorinë 5, mbi 500 mijë banorë mbetën pa energji elektrike dhe u dëmtuan spitale, shtëpi dhe rrugë. Kryeministri Andrew Holness njoftoi se janë raportuar të paktën tre viktima, ndërsa pritet që bilanci të rritet. Meteorologët e cilësuan “Melissën” si uraganin e tretë më të fuqishëm që ka goditur Karaibet, pas “Wilma-s” (2005) dhe “Gilbert-it” (1988).

Një operacion masiv policor kundër bandës Comando Vermelho ka kthyer Rio de Janeiron në zonë lufte. Deri tani janë konfirmuar 64 të vdekur, përfshirë 4 oficerë policie, ndërsa burimet lokale flasin për mbi 100 viktima në total. Më shumë se 2,500 forca policore morën pjesë në bastisjen e favelave Alemão dhe Penha, ku bandat reaguan me dhunë ekstreme, duke përdorur dronë me granata, pushkë automatike dhe autobusë të rrëmbyer për të bllokuar rrugët. Banorët raportuan shpërthime dhe të shtëna të pandërprera. Guvernatori Cláudio Castro e quajti situatën “luftë kundër narko-terroristëve”, ndërsa Presidenti në detyrë Geraldo Alckmin mblodhi qeverinë për të shqyrtuar ndërhyrjen ushtarake. Qyteti është paralizuar: 45 shkolla të mbyllura, transporti publik i pezulluar dhe mijëra njerëz të bllokuar. Ndërkohë, drejtuesi i rrjetit kriminal, Edgar Alves Andrade (Doca da Penha), vijon të jetë në arrati. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave pritet të rritet.

Alarm! Kreu i KLSH kërkon ndihmë në emër të stafit. Si mund të auditojmë kryeministrin?

Fredi Beleri pa arsim të lartë ankohet se në Shqipëri nuk ka Universitete në gjuhën greke.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news