Ndërtekst 2025-11-04 09:09:00 Nga VNA

“Çmenduria e turmave” në epokën moderne: Linda Baleta mbi diskriminimin e ri

Ndaje në Whatsapp
“Çmenduria e turmave” në epokën moderne: Linda

Ekspertja e komunikimit Linda Baleta sjell këtë herë për lexuesit e VNA një analizë refleksive të frymëzuar nga libri “Çmenduria e turmave” i Douglas Murray, lidhur me fenomenin e “Gen Hex” dhe diskriminimin moshor në vendin e punës

Gen Hex apo Gjenerata Magjepsëse: kahja e kundërt e diskriminimit moshor në vendin e punës

““Si në jetën publike ashtu edhe në atë private, në Internet dhe jashtë tij, njerëzit po sillen gjithnjë e më shumë në mënyrë iracionale, të ethshme, me mendësinë e tufës dhe thjesht, janë të pakëndshëm. Edhe pse simptomat i shohim kudo, nuk shohim shkaqet”.
— Çmenduria e turmave. Gjinia, raca dhe identiteti, Dagllas Mërri (Douglas Murray)

A ka marrë fund me të vërtetë gjuetia e shtrigave? Apo thjesht është përshtatur me kohën, duke ndërruar fjalorin dhe garderobën? Nga gratë e djegura në turrën e druve deri te vrasja e reputacionit të grave në vendin e punës, instinktet mbeten po ato. E njëjta mënyrë si dikur: gjej një grua, prania e së cilës të turbullon, qetësia apo vetëbesimi i paluhatur i së cilës perceptohet si kërcënim; grumbullo aleatët dhe ndiz shkrepësen e fjalëve kinse të pafajshme.

Turmat mesjetare kishin nevojë për spektakël të pasuar nga ndjenja e epërsisë morale. Turma moderne e vendit të punës kërkon narrative të përbashkët kundër konkurrencës së perceptuar, të pasuar nga uniformiteti. Akuzat nuk bëjnë më fjalë për magji, por për mungesë të rëndësisë. Turrat e druve janë shndërruar në izolim. Dhe ja po shfaq një mendim kundërthënës, që më lindi pasi lexova librin Çmenduria e turmave. Gjinica, raca dhe identiteti nga Dagllas Mërri.

A kemi guximin të flasim për herezinë e kohës sonë, për atë mendësi helmatisëse dhe përçarëse, atë të “diskriminimit moshor në kahje të kundërt”, sidomos ndaj grave? Po flas për diskriminimin e pashprehur të më të rinjve ndaj më të moshuarve. Ky lloj diskriminimi fsheh dorën pas ironisë, aftësisë së supozuar digjitale dhe fjalorit të posaçëm të progresit. Ai lulëzon në zyra të hapura dhe në biseda zyrash, ku monedha nuk është kompetenca, por viti i lindjes; jo reflektimi, por frazat e modës.

Mendojmë se kemi kapërcyer paragjykimet, por në fakt vetëm u kemi dhënë markë të re.

Kur Mërri shkruan për natyrën e turmës që karakterizon epokën tonë, më kujtohet sa shpejt lëviz emocioni krahasuar me arsyen, se si sajesat lëvizin më shpejt krahasuar me faktet dhe si njerëzit grupohen më shumë rreth ndjenjave apo agjendave të përbashkëta sesa rreth dëshmive të përbashkëta. Një pëshpëritje e hedhur në korridor në kohën e duhur në mëngjes bëhet “e vërteta” deri në drekë. Qesëndia e një më të reje ndaj një kolegeje më të moshuar që guxon të ngrejë vetullën përpara vrazhdësisë së qëllimshme shndërrohet në “provë”. Turma formohet jo përmes logjikës, por përmes infektimit emocional, duke u bërë kështu pjesë e rendit të ri moral, edhe nëse për këtë duhet të digjet besueshmëria e dikujt tjetër për ta mbajtur ngrohtë gjuetaren e pasigurt.

Epo, çfarë e bën dikë të denjë për t’u bërë pjesë e turmës “së adhuruar”? Është hardware apo software? Është data e lindjes apo rrjedha kohore gjatë së cilës ke mësuar të mendosh? Pse dikush ndjehet se ka të drejtë të vendosë që mosha e tjetrit përcakton vlerën e tij apo të saj për shoqërinë? Ta shpallësh një kolege grua jashtë mode vetëm sepse koha e saj mbi planetin Tokë i paraprin tëndes? Marrëzia nuk qëndron në dallimet, por në arrogancën e atyre që vendosin se cila version i njerëzimit ka të drejtën të përcaktojë “rëndësinë”.

Në vendin e punës, ky infeksion sjell pasoja. Mentaliteti i turmës rishkruan komunikimin dhe në fund, edhe performancën. Kultura zhvendoset për të favorizuar paraqitjen mbi kontributin. Dialogu i sinqertë rudhet. Kur përkatësia në “grupin cool” vlerësohet më shumë se mendimi kritik dhe besueshmëria, organizatat ndalojnë së nxëni. Risia nuk është inovacion. Hiret nuk janë kompetencë. Turma fiton momentin, por organizata humbet hapin.

Diskriminimi moshor në kahje të kundërt nuk është thjesht mungesë mirësjelljeje. Është qasje vetëshkatërruese, sepse ushqehet nga pasiguria ndërsa shitet si “vibe”. Ai e bën komunikimin copa-copa, e zëvendëson bashkëpunimin me ecjen mbi gjemba dhe i lë të gjithë më të pavlefshëm se më parë. Këtu më kumbojnë në veshë fjalët e Mërri për sjelljen si tufë: frika për t’u dalluar ende peshon më shumë se guximi për të menduar me kokë më vete.

Gjuetia e shtrigave mori fund kur njerëzit filluan ta shohin marrëzinë e saj. Ndoshta i njëjti zgjim nevojitet për zyrat tona: të kuptojmë se urtësia nuk e kërcënon progresin, se fryma e Gjeneratës X nuk përplaset me “vibe”-n e Gjeneratës Z. Shenja dalluese e vërtetë e një kulture pune të evoluar nuk është sa me zë e lavdëron rininë, por sa me hijeshi krijon hapësirë për të gjithë, pa lënë askënd pas apo mënjanë.

Video

Momentet e para të rikthimit të energjisë elektrike mbrëmë në QSUT, pas minutave të errësirës që krijuan ankth dhe pasiguri në godinat ku funksionojnë shërbime jetike.

Lëre oqeanin Evis. Rregullo dritat në QSUT.

Ish kreu Bashkisë Kavajë, Elvis Roshi, tashmë zyrtarisht i pandehur, është paraqitur sot në SPAK i shoqëruar nga avokati. Roshit iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre,” pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tenderat gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës. https://www.vna.al/kronika/ish-kryebashkiaku-i-kavajes-elvis-roshi-paraqitet-ne-prokurorine-e-posac-i19092

Presidenti rus Vladimir Putin mori pjesë në festimet për Ditën e Epifanisë Ortodokse më 19 janar, një ditë që përkujton pagëzimin e Jezusit në lumin Jordan. Sipas traditës ortodokse ruse, besimtarët duhet të zhytën tre herë nën ujë, duke simbolizuar Trinisë së Shenjtë. Festimet u zhvilluan në ambiente të hapura me temperatura të ulëta, ku presidenti mori pjesë në ceremoninë fetare si pjesë e përkujtimit të kësaj dite të shenjtë. Dita e Epifanisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit ortodoks, duke pasqyruar traditat dhe ritualet që praktikohen gjerësisht nga besimtarët rusë.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news