Bota 2026-11-05 15:24:19 Nga VNA

CNN: Humbja në zgjedhje dobëson Trumpin, demokratët përgatiten për hetime, republikanët mendojnë për pasardhësin e tij

Ndaje në Whatsapp
CNN: Humbja në zgjedhje dobëson Trumpin, demokratët

Humbja e thellë e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit ka hapur një kapitull të ri në presidencën e Donald Trumpit, duke vënë në pikëpyetje kontrollin e tij mbi Partinë Republikane dhe të ardhmen politike pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. I dobësuar nga rezultati elektoral, por pa shfaqur shenja tërheqjeje, presidenti amerikan pritet të hyjë në pjesën e fundit të mandatit me një strategji më të ashpër për të ruajtur ndikimin dhe për të çuar përpara agjendën e tij.

Sipas analizës së CNN, demokratët, tashmë në kontroll të të dyja dhomave të Kongresit, pritet të nisin hetimet e paralajmëruara ndaj Trumpit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Kjo do ta vendosë administratën përballë një presioni të vazhdueshëm politik dhe institucional, ndërsa brenda kampit republikan ka nisur të diskutohet gjithnjë e më shumë se kush mund të jetë pasardhësi i Trumpit në drejtimin e partisë. Për disa aleatë të tij, vitet e mbetura të presidencës mund të rezultojnë zhgënjyese, pasi presidenti nuk do ta ketë më mbështetjen parlamentare që i ka mundësuar të shtyjë përpara politikat e tij.

Megjithatë, Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e arritjes së marrëveshjeve me demokratët. Disa këshilltarë besojnë se aftësia e tij për të krijuar aleanca të papritura mund të jetë një avantazh në këtë fazë të presidencës. Edhe demokratët do të përballen me presionin për të dëshmuar se janë në gjendje të qeverisin dhe të japin rezultate konkrete, çka mund t'i shtyjë të negociojnë me Shtëpinë e Bardhë.

Por sinjalet e para nuk premtojnë një bashkëjetesë të lehtë politike. Trump e ka quajtur veten “Mr. Veto”, duke paralajmëruar se do të përdorë fuqinë presidenciale për të bllokuar nismat e demokratëve. Një burim i përfshirë në diskutimet e brendshme të administratës ka paralajmëruar se sjellja e presidentit do të varet nga qasja e Kongresit të ri. “Nëse ke një Kongres që është i gatshëm të arrijë marrëveshje, ai është njeri i marrëveshjeve. Nëse ke një Kongres që do të vijë dhe menjëherë do të përqendrohet vetëm te hetimet, atëherë do të përballesh me një version krejtësisht tjetër të Trumpit”, ka deklaruar burimi për CNN.

Rezultati i zgjedhjeve ishte një skenar për të cilin Trump dhe këshilltarët e tij ishin përgatitur, megjithëse presidenti zhvilloi një fushatë intensive njëmujore në shtetet republikane, në përpjekje për të ruajtur shumicat në Kongres dhe për të dëshmuar ndikimin e tij mbi partinë. Vetë Trump pranoi se kjo fushatë e kishte rraskapitur dhe se kishte nevojë për pushim. Megjithatë, humbja e të dyja dhomave të Kongresit përfaqëson goditjen më të rëndë politike për të, dhjetë vjet pasi hyri për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Një prej skenarëve që shqetëson aleatët e tij është mundësia që Trump të përpiqet të rikthejë në qendër të vëmendjes luftën me Iranin. Presidenti ka lënë të kuptohet se është i gatshëm të rifillojë operacionet ushtarake pas përfundimit të zgjedhjeve, ndërsa përpjekjet e negociatorëve amerikanë dhe iranianë për të arritur një marrëveshje të re nuk kanë prodhuar rezultat. Pa presionin elektoral për të kufizuar angazhimin në politikën e jashtme, Trump mund të përqendrohet edhe më shumë te ky konflikt.

Paralelisht, administrata po shqyrton mënyra për të përdorur kompetencat ekzekutive për të zbatuar pjesë të agjendës së presidentit që tashmë rrezikojnë të mos marrin miratimin e Kongresit. Në fokus janë veçanërisht politikat e emigracionit dhe shpenzimet federale. Personat pranë presidentit thonë se ai është i gatshëm të shtyjë kufijtë e autoritetit të tij kushtetues për të realizuar objektivat, pavarësisht kundërshtimit të demokratëve.

Trump pritet gjithashtu t'i kushtojë më shumë vëmendje politikës së jashtme dhe projekteve të tij personale në Uashington. Gjatë javëve të ardhshme ai ka planifikuar pjesëmarrjen në tri samite të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa një ditë pas zgjedhjeve organizoi papritur një aktivitet për të prezantuar punimet për ndërtimin e sallës së ballove në Shtëpinë e Bardhë.

Pas humbjes, presidenti nuk ka pranuar drejtpërdrejt përgjegjësinë për rezultatin e republikanëve. Ai ka kujtuar se humbjet e partisë së presidentit në zgjedhjet e mesmandatit janë një precedent i njohur në historinë amerikane, ndërsa ka kritikuar edhe disa prej kandidatëve republikanë, duke vënë në pikëpyetje popullaritetin e tyre dhe aftësinë për të mbledhur fonde. Kjo, pavarësisht se shumë prej tyre kishin marrë mbështetjen e tij gjatë fushatës.

Sipas CNN, Trump është ankuar privatisht edhe ndaj republikanëve që kanë kritikuar vendimin e tij për ta kthyer garën e mesmandatit në një referendum për presidencën e tij. Në të kaluarën, ai ka prirur t'ua atribuojë humbjet dobësive të kandidatëve ose pretendimeve për manipulime, pa bërë ndryshime të rëndësishme në strategjinë e tij politike.

Ndërkohë, në administratë nuk përjashtohet mundësia e një riorganizimi të stafit. Disa zyrtarë kanë nisur të mendojnë për të ardhmen e tyre politike dhe profesionale jashtë Shtëpisë së Bardhë, ndërsa këshilltarët kryesorë të Trumpit kanë identifikuar privatisht luftën me Iranin si një nga faktorët kryesorë të humbjes. Brenda kampit republikan ekziston shqetësimi se presidenti mund të kërkojë dikë për të fajësuar për rezultatin.

Humbja elektorale nuk e largon Trumpin nga pushteti, por e vendos përballë një Kongresi kundërshtar dhe një partie që gradualisht duhet të mendojë për epokën pas tij. Pyetja tashmë nuk është vetëm se si do ta përfundojë presidenti mandatin, por edhe nëse do të arrijë të ruajë kontrollin mbi republikanët në një kohë kur pasardhësit e mundshëm kanë nisur të shihen si pjesë e së ardhmes politike të partisë.

Lexo gjithashtu

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news