Bota 2026-01-01 10:45:00 Nga VNA

Taksa për prezervativët dhe çerdhe më të lira/ Plani i Kinës për të rritur lindshmërinë

Ndaje në Whatsapp
Taksa për prezervativët dhe çerdhe më të lira/ Plani

Qytetarët kinezë do të paguajnë një taksë shitjeje prej 13% për kontraceptivët duke nisur nga 1 janari, ndërsa shërbimet e kujdesit për fëmijët do të përjashtohen nga taksat. Masa vjen në kuadër të përpjekjeve të ekonomisë së dytë më të madhe në botë për të rritur normat e lindshmërisë.

Reforma e sistemit tatimor, e shpallur në fund të vitit të kaluar, heq shumë përjashtime që ishin në fuqi që nga viti 1994, kur Kina ende zbatonte politikën e saj disa dekadëshe të një fëmije. Gjithashtu, nga TVSH-ja përjashtohen shërbimet që lidhen me martesën dhe kujdesin për të moshuarit – pjesë e një pakete më të gjerë masash që përfshin zgjatjen e lejes prindërore dhe dhënien e ndihmave financiare. Përballë një popullsie në plakje dhe një ekonomie të ngadalësuar, Pekini po përpiqet të inkurajojë të rinjtë të martohen dhe çiftet të kenë më shumë fëmijë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se popullsia e Kinës është tkurrur për të tretin vit radhazi, me vetëm 9.54 milionë foshnje të lindura në vitin 2024 – rreth gjysma e lindjeve të regjistruara një dekadë më parë, kur vendi nisi të lehtësonte kufizimet për numrin e fëmijëve.

Megjithatë, vendimi për të taksuar kontraceptivët, përfshirë prezervativët, pilulat dhe pajisjet e kontrollit të lindjes, ka ngjallur shqetësime për shtimin e shtatzënive të padëshiruara dhe rritjen e rrezikut të HIV-it, si dhe ka shkaktuar reagime ironike në rrjetet sociale. Disa përdorues theksojnë se do të duhej shumë më tepër sesa prezervativë më të shtrenjtë për t’i bindur të kenë fëmijë.

Një tregtar u bëri thirrje blerësve të furnizohen përpara rritjes së çmimeve, ndërsa një përdorues i rrjeteve sociale shkroi me shaka: “Do të blej një sasi prezervativësh sa për gjithë jetën”. Të tjerë theksuan se njerëzit e dallojnë qartë koston e një prezervativi nga ajo e rritjes së një fëmije.

Sipas një raporti të vitit 2024 nga Instituti i Kërkimeve të Popullsisë YuWa në Pekin, Kina është një nga vendet më të shtrenjta për rritjen e fëmijëve. Shpenzimet rriten nga tarifat shkollore në një mjedis akademik shumë konkurrues dhe nga vështirësitë që gratë hasin në balancimin e punës me prindërimin.

Ngadalësimi ekonomik, i nxitur pjesërisht nga kriza e tregut të pasurive të paluajtshme që ka goditur kursimet, i ka bërë familjet – veçanërisht të rinjtë – të ndihen më të pasigurt për të ardhmen.

“Kam një fëmijë dhe nuk dua më,” thotë Daniel Luo, 36 vjeç, nga provinca Henan. “Është si rritja e biletës së metrosë. Kur rritet me një ose dy juanë, njerëzit nuk ndryshojnë zakonet. Sërish duhet ta marrësh metronë.”

Ai thotë se nuk shqetësohet nga rritja e çmimit të prezervativëve. “Një kuti mund të kushtojë pesë, dhjetë apo maksimumi 20 juanë më shumë. Brenda një viti, janë vetëm disa qindra juanë, plotësisht të përballueshme.”

Por për të tjerë, kostoja mund të jetë problem. Këtë thekson Rosy Zhao nga qyteti Xi’an, e cila shprehet se rritja e çmimit të kontracepsionit – një domosdoshmëri – mund t’i shtyjë studentët apo personat me vështirësi financiare “të marrin rreziqe”. Sipas saj, ky është “rezultati potencialisht më i rrezikshëm” i politikës.

Vëzhguesit janë të ndarë për qëllimin e reformës tatimore. Demografi Yi Fuxian nga Universiteti i Wisconsin-Madison thotë se ideja se taksa për prezervativët do të ndikojë në lindshmëri është “një teprim në analizë”. Sipas tij, Pekini po përpiqet të mbledhë të ardhura “kudo që mundet”, ndërsa përballet me rënien e tregut të banesave dhe rritjen e borxhit kombëtar.

Me gati 1 trilion dollarë, të ardhurat nga TVSH-ja përbënin rreth 40% të të ardhurave tatimore të Kinës vitin e kaluar. Sipas Henrietta Levin nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, taksimi i prezervativëve është “simbolik” dhe pasqyron përpjekjet e Pekinit për të rritur normat “jashtëzakonisht të ulëta” të fertilitetit./BBC

Video

Këto janë pamjet e momentit kur forcat speciale RENEA rrethojnë automjetin e Nertil Buzit, në operacionin e zhvilluar nën drejtimin e prokurorit Kristi Jorgji. Videoja është regjistruar menjëherë pasi 35-vjeçari liroi 24-vjeçaren Rozalinda Plaka, të cilën e mbajti peng për disa orë.

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Policia izraelite arrestoi nëntë protestues gjatë një demonstrate të zhvilluar në Tel Aviv kundër dhunës së ushtruar nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar. Sipas mediave ndërkombëtare, protestuesit kërkuan ndalimin e sulmeve ndaj palestinezëve dhe ndërhyrjen e autoriteteve për të frenuar përshkallëzimin e dhunës në territorin e pushtuar.

Tajfuni Hongxia goditi jugun e Kinës, duke detyruar evakuimin e më shumë se 800 mijë banorëve. Stuhia preku tokën në provincën Guangdong më 26 korrik, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 45 metra në sekondë. Autoritetet mbyllën shkollat, pezulluan pjesërisht transportin publik dhe hapën qendra të përkohshme strehimi për banorët. Tajfuni po lëviz drejt zonave të brendshme të vendit, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e përmbytjeve dhe dëmeve të mëtejshme.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news