Bota 31 January 2026, 08:51 Nga VNA

Kostoja e jetesës

Ndaje në Whatsapp
Kostoja e jetesës

Harrojeni përballueshmërinë. Europa ka një krizë disponueshmërie. Rregullimi i rreptë është kryesisht fajtor, shkruan The Economist

Është bërë modë të pretendohet se një pjesë e madhe e botës së pasur po vuan nga një krizë e përballueshmërisë. Dëshmitë e paraqitura variojnë nga çmimet e larta të vezëve në SHBA dhe të orizit në Japoni, te strehimi i shtrenjtë pothuajse kudo.

Edhe Europa nuk ka qenë imune ndaj këtyre shqetësimeve. Në maj, të anketuar nga e gjithë Europa thanë për Eurobarometrin, sondazhin zyrtar të Bashkimit Europian, se përballja me inflacionin duhet të jetë përparësia e Parlamentit Europian, duke e renditur më të rëndësishëm se mbrojtja, varfëria dhe punësimi.

Në pamje të parë, europianët kanë arsye për t’u shqetësuar për përballueshmërinë. Rritja ekonomike është shumë më e shpejtë në SHBA.

Dhe, ndryshe nga aleati i saj i pasur me lëndë djegëse fosile, kontinenti i vjetër pa kostot e energjisë të rriteshin ndjeshëm pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, teksa gazi natyror u bë shumë më i shtrenjtë.

Megjithatë, edhe në Europë, ankesat për përballueshmërinë janë të ekzagjeruara. Pas një periudhe rënieje, pagat reale po rriten, përfshirë edhe për më të varfrit.

Në fakt, problemi i kontinentit duket gjithnjë e më shumë se nuk është përballueshmëria, por disponueshmëria.

Në tregjet e tij shumë të rregulluara, çmimet nuk mund të përshtaten për të balancuar kërkesën dhe ofertën. Në vend të kësaj, rolin po e bën racionimi.

Goditja energjetike e Europës ka pasur padyshim efekte të qëndrueshme. Kur norma e inflacionit në Eurozonë arriti kulmin në 10.6% në tetor 2022, vetëm çmimet e energjisë kontribuuan me 3.8 pikë përqindje.

Problemet në zinxhirët e furnizimit dhe kërkesa e fuqishme e konsumatorëve pas heqjes së kufizimeve të pandemisë luajtën gjithashtu rol. Që prej asaj kohe inflacioni është zbutur, duke rënë në 2.1% në nëntor, por çmimet e energjisë dhe ushqimeve mbeten shumë më të larta se më parë (shih grafikun 1).

Me fjalë të tjera, çmimet për familjet janë rritur. Dhe pasi të ardhurat korrigjohen duke marrë parasysh këto çmime, ato janë më të ulëta se në vitin 2021.

Por përballueshmëria vlerësohet më mirë duke parë aftësinë e njerëzve për të blerë një gamë të gjerë mallrash: veshje, pajisje elektronike, automjete e të tjera, përveç ushqimit dhe energjisë.

Edhe pse llogaritjet sugjerojnë se pagat në Eurozonë, të korrigjuara sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, pësuan një goditje prej 4% nga mesi i vitit 2021 deri në fund të vitit 2022, ato janë rimëkëmbur që prej asaj kohe (shih grafikun 2).

Në tremujorin e tretë të vitit 2025, ato ishin rikthyer në nivelet e para konfliktit në Ukrainë.

Në shumë vende, pagat e më të varfërve janë rritur ndjeshëm. The Economist llogarit se, që nga gjysma e parë e vitit 2021, paga minimale reale është rritur me 30% në Poloni dhe me 11% në Gjermani.

Më pak familje thonë se nuk mund të përballojnë pushimet krahasuar me një dekadë më parë. Në fakt, ky tregues ka vijuar të bjerë në shumicën e vendeve edhe teksa inflacioni u rrit ndjeshëm.

Po strehimi, që shpesh përmendet si tregues i problemit të përballueshmërisë? Është e vërtetë që qiratë janë rritur në të gjithë Eurozonën: ato po rriten tani me një normë vjetore prej 3%, më shumë se dyfishi i ritmit mesatar të viteve 2010. Normat më të larta të interesit i kanë bërë edhe kreditë hipotekore më të shtrenjta.

Megjithatë, si përqindje e të ardhurave të familjeve, kostot e strehimit mbeten çuditërisht të qëndrueshme. Në Gjermani, Francë dhe Itali, një familje mesatare shpenzon 15–20% të të ardhurave për strehim, pothuajse njësoj si një dekadë më parë.

Pronarët e banesave me kredi hipotekore paguajnë më pak se sa paguanin më parë. Pjesa e familjeve që shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave të disponueshme për akomodim ka rënë që prej vitit 2021.

Vështirësia e vërtetë është gjetja e një banese. Në shumë qytete të mëdha, përfshirë Berlinin dhe Parisin, ku tregjet e strehimit janë fort të rregulluara, qiratë shpesh janë shumë nën nivelin e tregut. Kur një apartament bëhet i disponueshëm, ai mund të tërheqë qindra aplikime.

Bumi i qirave afatshkurtra për turistët në vende si Amsterdami apo Lisbona e përkeqëson situatën; më shumë banesa nuk mund të ndërtohen brenda natës.

Madridi në lulëzim, ku qiratë janë gjithashtu të rregulluara, po tërheq emigrantë nga Amerika Latine me një ritëm më të shpejtë sesa mund të ndërtojë banesa për ta.

Edhe nëse europianët mesatarisht nuk po shpenzojnë më shumë për strehim, ata mund të mos jetojnë aty ku do të dëshironin.

Një problem i tillë disponueshmërie shkon përtej strehimit. Në kujdesin shëndetësor, një tjetër treg i rregulluar, një vizitë te mjeku mund të jetë e vështirë për t’u siguruar.

Rreth 57% e pacientëve amerikanë thonë se kanë arritur të shohin një specialist brenda një muaji, krahasuar me 35% të pacientëve francezë. Hidraulikët mund të mos kenë kohë kur familjet kanë nevojë për ta.

Autoritetet europiane kanë identifikuar mungesa të kuzhinierëve, elektricistëve dhe infermierëve. Dhe disponueshmëria me siguri do të përkeqësohet teksa brezi më i madh i punëtorëve në Europë del në pension.

Blerësit europianë kanë më shumë fuqi blerëse sesa mund ta mendojnë. Por me shërbimet në mungesë, ka gjasa që pakënaqësia e tyre vetëm të rritet.

Video

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme