Bota 18 Janar 2026, 08:15 Nga VNA

Europa në vitin 2026

Ndaje në Whatsapp
Europa në vitin 2026

Në Europë, ky vit varet nga armët, rritja dhe politikat e gjelbra. Tri sfidat e mëdha me të cilat përballet Kontinenti i Vjetër, shkruan The Economist

Europa hyn në vitin 2026 nën presion nga të gjitha anët. Ajo duhet të gjejë paratë për të rindërtuar forcën e saj ushtarake përballë një Rusie gjithnjë e më armiqësore, duke zgjeruar njëkohësisht mbështetjen për Ukrainën ndërsa SHBA-ja tërhiqet.

Duhet të gjejë një mënyrë për të ringjallur rritjen ekonomike pas vitesh dobësimi të vazhdueshëm, teksa proteksionizmi përhapet në mbarë botën, përndryshe rrezikon një zhvendosje të mëtejshme të votuesve të pakënaqur drejt ekstremeve politike.

Dhe duhet të mbajë të gjallë tranzicionin klimatik nën presionin e pandërprerë të së djathtës populiste për të zbutur ose për të braktisur objektivat. Secila prej këtyre detyrave do të ishte e vështirë edhe po të trajtohej e vetme. Së bashku, ato janë një makth.

Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 hodhi në erë dekada rehatie, dhe sfidat vetëm sa po shtohen. Rusia është bërë më provokuese, duke prerë kabllo nëndetare në Baltik, duke zhvilluar një fushatë sabotimesh dhe vrasjesh në mbarë kontinentin dhe duke dërguar dronë në Poloni e Rumani, ndërsa avionët e saj shmangin me qëllim dhe në mënyrë të vazhdueshme hapësirën ajrore të NATO-s.

Pritet që e gjithë kjo të vazhdojë, madje të përkeqësohet, në vitin 2026. Qëndrimi i paqartë i Donald Trump ndaj aleatëve europianë të SHBA-së ka nxitur Vladimir Putinin, ndaj pritet që ai të vazhdojë të testojë kufijtë e durimit të NATO-s, teksa kërkon të përçajë aleancën.

Pothuajse të gjithë anëtarët e NATO-s tanimë plotësojnë objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes 2% të PBB-së, vendosur në vitin 2014.

Por tani ka një objektiv të ri, 3.5%, i vendosur në samitin e qershorit 2025. Dhe me përjashtim të Polonisë, Lituanisë dhe Letonisë, pak anëtarë kanë filluar t’u shpjegojnë votuesve të tyre se si do ta arrijnë këtë shifër.

Gjermania ka qenë më e guximshmja: kancelari i saj, Friedrich Merz, ka përjashtuar mbrojtjen nga Schuldenbremse (freni i borxhit i Gjermanisë) dhe ka shpalosur një rrugë se si do të përdoret ky mekanizëm për të arritur objektivin e ri që në vitin 2029. Spanja thotë se nuk është e detyruar të përmbushë këtë objektiv të ri.

Në vitin 2026, Europa do të shpenzojë më shumë për mbrojtjen sesa në çdo kohë tjetër që prej Luftës së Ftohtë. Megjithatë ajo është ende larg arritjes së “autonomisë strategjike” për të cilën ka këmbëngulur me të drejtë presidenti i Francës Emmanuel Macron.

Kështu që pritet që viti 2026 të dominohet nga debate se nga do të vijnë paratë shtesë për mbrojtjen dhe për Ukrainën. Përafërsisht, gjatë tre viteve të para të luftës, SHBA dhe Europa kontribuuan secila me rreth 50 miliardë dollarë në vit për Ukrainën.

Tani SHBA nuk jep më kontribut. Edhe nëse lufta merr fund, Ukrainës do t’i duhet mbështetje për vite me radhë. Në vitin 2026, politikanët do të duhet të përballen me këtë realitet.

Do të jetë gjithashtu një vit tjetër sfidues për ekonomitë e Europës. Inflacioni po zbutet dhe normat e interesit po ulen, por rritja mbetet e ngadaltë dhe shpenzimet shtesë për mbrojtjen nuk do të ndihmojnë shumë.

Rritja e produktivitetit ka mbetur në vendnumëro, forcat e vjetruara të punës po ulin prodhimin, dhe fondet e kapitalit sipërmarrës dhe vendet e punës po shpërngulen drejt SHBA-së dhe Azisë. Raportet borxh–PBB janë mbi 100% në Itali, Francë, Spanjë dhe Belgjikë.

Financat publike janë të tendosura nga borxhet e pandemisë, nga subvencionet e gjelbra dhe tani nga shpenzimet për mbrojtjen.

Tensioni do të rritet në vitin 2026, sepse qeveritë e dobëta janë treguar vazhdimisht të paafta për të zbatuar shkurtime në mirëqenie dhe kanë frikë të rrisin taksat. Në Francë, Macron mund të thërrasë zgjedhje të parakohshme parlamentare për të provuar të zgjidhë problemin.

Shtytja e re infrastrukturore e Gjermanisë, një fond 500 miliardë euro, pritet ta ndryshojë disi atmosferën. Rrugët, hekurudhat dhe rrjetet e reja të energjisë do të tërheqin investime private.

Në të gjithë Eurozonën parashikohet një rritje e lehtë, por vetëm deri në 1.2% nga 0.8% në vitin 2025. Eksportuesit europianë do të vazhdojnë të përballen me tarifa të larta në SHBA, tregun e tyre më të madh.

Sfida e tretë për t’u vëzhguar në vitin 2026 do të jetë në politikat klimatike. Objektivat ambicioze të BE-së për të ulur emetimet e gazeve serrë po hasin rezistencë. Së bashku me zvogëlimin e emigracionit, kundërshtimi ndaj politikave të gjelbra është një shenjë dalluese e së djathtës radikale, e cila është në rritje anembanë BE-së.

Ndalesa e makinave të reja me benzinë deri në vitin 2035 dhe arritja e emetimeve neto zero deri në vitin 2050 duken gjithnjë e më pak të realizueshme.

Dhe janë bërë thirrje për të zbutur mekanizmin e rregullimit kufitar të karbonit të BE-së, i cili vendoës tarifa për importet që prodhohen me procese që shkaktojnë shumë ndotje nga karboni dhe që pritet të hyjë në fuqi në vitin 2026.

Qeveritë mund të detyrohen të rishqyrtojnë politikat, sidomos nëse partia e ekstremit të djathtë Rassemblement National (Tubimi Kombëtar) fiton zgjedhjet parlamentare në Francë.

Europa i ka kthyer më parë fatkeqësitë në mundësi. Kriza e euros solli hapat e parë drejt unionit bankar dhe forcoi rolin e Bankës Qendrore Europiane si huadhënës i mundësisë së fundit; pandemia çoi në huamarrje të përbashkët; lufta në Ukrainë nxiti hapa drejt integrimit të mbrojtjes.

A do të sjellë viti 2026 diçka po aq të guximshme? Fatkeqësisht, kjo duket e pamundur.

Video

Shqipëria do ndryshojë kur të duam më shumë babën se kryetarin e partisë. Kushdo qoftë kryetari e cilado të jetë partia

Pas përfundimit të protestës, protestuesit kanë hedhur miell drejt Kryeministrisë. Në këtë moment, mbështetësit e “Shqipëria Bëhet” kanë identifikuar një person si të “infiltruar” mes tyre dhe për disa momente ka pasur përplasje me forcat e rendit. Situata është qetësuar disa minuta më vonë.

"Shqipëria Bëhet" protestë para kryeministrisë. Kërkohet dorëheqja e Edi Ramës. Me thirrjet “Edi Rama frikacak” dhe “Dorëheqje”, iu drejtuan kryeministrisë.

Pak momente më parë në lagjen 10 Korriku në Vlorë një mjet i rëndë i llojit skrep, i angazhuar në pastrimin e kanalit të Siavit, është përfshirë nga flakët gjatë punës. Sipas informacioneve paraprake, mjeti ka pësuar mbinxehje dhe më pas ka marrë flakë. Deri më tani nuk ka raportime për të lënduar.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme