Rajoni 27 Maj 2025, 18:47 Nga VNA

Autoritetet në Kosovë marrin nën kontroll edhe një objekt tjetër në Leposaviç! Salla sportive funksiononte sipas sistemit të Serbisë

Ndaje në Whatsapp
Autoritetet në Kosovë marrin nën kontroll edhe një objekt

Autoritetet lokale në Leposaviq, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë marrë kontrollin mbi sallën sportive në këtë qytet, e cila funksiononte sipas sistemit të Serbisë.

Nënkryetarja e komunës së Leposaviqit, Marina Bogojeviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se qëllimi i sallës sportive nuk do të ndryshojë dhe se të gjithë do të mund ta përdorin atë për të njëjtat qëllime si më parë.

Kjo është një nga një sërë aksionet e ndërmarra për marrjen nën kontroll të objekteve apo për mbylljen e institucioneve të Serbisë në qytetet e Kosovës, të cilat Prishtina i konsideron si të paligjshme dhe paralele.

Më herët gjatë majit, edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e Veriut morën kontrollin mbi sallën sportive të qytetit, pas së cilës u njoftua se salla do të mbetet funksionale dhe se ata që duan ta përdorin duhet t’u drejtohen personave përgjegjës për caktimin e terminëve.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe në fillim të vitit 2024. Fillimisht u mbyllën organet e përkohshme komunale, banka Kursimorja e Postës, Posta e Serbisë, Fondi për sigurim pensional dhe shëndetësor, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike dhe institucione të ngjashme.

Në valën e fundit të mbylljes së institucioneve që funksionojnë në sistemin e Serbisë, përveç sallave sportive, janë përfshirë edhe bibliotekat e qytetit, muzeu i qytetit në Mitrovicën e Veriut, Instituti për kulturë, rini, sport dhe shërbime të specializuara, si dhe Shoqëria Kulturo-Artistike “Kosovski Bozhur”.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, duke reaguar ndaj aksionit për marrjen në kontroll të objektit ku funksiononte salla sportive në Leposaviq, deklaroi se kjo u bë “me mbështetjen e disa serbëve që i shërbejnë interesave të [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit”.

Ndryshe, në krye të katër komunave në veri të Kosovës janë kryetarë shqiptarë, pasi serbët – me iniciativë të Listës Serbe – kishin bojkotuar zgjedhjet lokale. Megjithatë, në pushtetin lokal marrin pjesë edhe disa pjesëtarë të komunitetit serb, kryesisht nga partia e Nenad Rashiqit, ministër në detyrë për Komunitete dhe Kthim.

Lista Serbe tha se marrja e kontrollit mbi sallën sportive në Leposaviq është një “shkelje e rëndë të jetës së përditshme të qytetarëve, veçanërisht të të rinjve, të cilët po mbeten pa hapësira për aktivitete sportive, shoqërim dhe zhvillim të shëndetshëm psikofizik”.

“Dëshirojmë ta bëjmë të qartë se nuk pajtohemi me veprimet e njëanshme dhe të dhunshme të regjimit në Prishtinë, dhe nuk do të pajtohemi me ‘realitetin e ri’ që Kurti po përpiqet të krijojë në komunat serbe përmes forcës dhe armëve”, u tha në reagimin e kësaj partie.

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Kjo zyrë theksoi se objekti i sallës sportive është ndërtuar ekskluzivisht me mjete të Qeverisë së Serbisë dhe se atë e kanë përdorur qindra fëmijë për sport shkollor dhe aktivitete jashtëshkollore, rekreative, klube sportive, si dhe Fakulteti i Edukimit Fizik.

“Në këtë objekt janë mbajtur edhe provime dhe pjesë të ligjëratave nga fusha e edukimit fizik, prandaj salla ka pasur një rëndësi shumëfunksionale për këtë komunë”, u tha në njoftim.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha se po krijohen “kushte të pamundura” për jetën e komunitetit serb në Kosovë, duke pretenduar se kjo po bëhet me qëllim që ata të detyrohen të shpërngulen.

Në mesin e majit, Bashkimi Evropian deklaroi se veprimet e autoriteteve kosovare rrezikojnë të rrisin tensionet në terren dhe ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale si dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

Po ashtu, BE-ja u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të cilën palët u pajtuan më 2023 dhe që ta zbatojnë pa vonesa dhe parakushte të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Brukseli.

“Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor në rrugën evropiane për të dyja palët”, tha BE-ja.

Për këtë asociacion, palët kanë rënë dakord gjatë dialogut dhe ai ishte thënë se ka për qëllim, ndër të tjera, të rregullojë funksionimin e institucioneve serbe, të ardhurat dhe financimin nga buxheti i Serbisë./ REL

 

Video

?Dhjetëra anije dhe mijëra aktivistë po përgatiten të nisen drejt Gazës midis 31 gushtit dhe 4 shtatorit, pjesë e iniciativës së shoqërisë civile Global Sumud Flotilla. ?Qëllimi i tyre është të dërgojnë ndihma humanitare dhe të ushtrojnë presion mbi komunitetin ndërkombëtar për të ndërhyrë ndaj situatës së rëndë në zonë. ✍️Datat dhe portet e nisjes janë të ndryshme: më 31 gusht flota e parë do të niset nga Spanja dhe nga Genova, ndërsa më 4 shtator pjesa tjetër do të niset nga Sicilia, Tunizia dhe Greqia. Të gjitha anijet do të nisen drejt Gazës, duke mbledhur përfaqësues nga shumë vende të botës. https://www.vna.al/bota/flota-global-sumud-drejt-gazes-aktiviste-nga-italia-spanja-tunizia-dhe-greq-i13740

Të shtëna me armë në një shkollë katolike në SHBA, dyshohet se ka disa viktima Të paktën 10 persona janë qëlluar dhe dyshohet se disa prej tyre kanë humbur jetën, pas disa të shtënash me armë zjarri në një shkollë katolike në Minneapolis, Minesota të SHBA-së. Raportet e mediave lokale thonë se dy persona janë vrarë dhe katër janë plagosur rëndë, ndërsa dyshohet se një bombë, mund të jetë vendosur brenda ndërtesës. Incidenti i përgjakshëm ndodhi rreth orës 8:30 të mëngjesit të së mërkurës kur policia u thirr për raportime për të shtëna në kishë. Dëshmitarët përshkruan një burrë të veshur me të zeza dhe që mbante një pushkë gjahu. Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, tha në një postim se incidenti ndodhi në shkollë, ndërsa mbërriti menjëherë në vendngjarje.

? HISTORI NGA HAPËSIRA! SpaceX sapo shkroi historinë me fluturimin e 10-të provë të Starship ?. Pas disa dështimesh të mëparshme, anija gjigante e Elon Musk u ngrit nga Starbase, Teksas dhe, pas 66 minutash në hapësirë, realizoi një ulje të kontrolluar në Oqeanin Indian ??. Shiko videon e uljes mbresëlënëse dhe mëso pse ky sukses po cilësohet si pikë kthese për eksplorimin hapësinor! ?✨ https://vna.al/teknologji/starship-i-spacex-shenon-sukses-historik-ne-fluturimin-e-10-te-prove--i13734

IKMT zbarkon këtë mëngjes në zonën e Drimadhes në Dhërmi. Në fokus shembja e një objekti me konstruksion metalik. Objekti sipas IKMT ka dalë jashtë lejes së ndërtimit. Shembja e objektit do të kryhet me mjetet e IKMT dhe jo me shpërthim. Aksioni i IKMT vijon prej disa ditësh, ndërsa në fokus shembja e objekteve që nuk janë klasifikuar nga legalizimi ose nuk kanë leje ndërtimi.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme