Bota 7 December 2024, 13:33 Nga VNA

Rihapja e Notre Dame mbledh liderët botërorë në Paris

Ndaje në Whatsapp
Rihapja e Notre Dame mbledh liderët botërorë në Paris

Katedralja ikonike në Paris, Notre Dame, zyrtarisht do të rihapë dyert e saj më 7 dhjetor, pas zjarrit më 2019 që pothuajse shkatërroi tërësisht ndërtesën 861-vjeçare. Restaurimi, një arritje e jashtëzakonshme në pesë vjet për strukturën që iu deshën pothuajse dy shekuj që të ndërtohej, po shihet si triumf për presidentin francez, Emmanuel Macron, i cili ka shtyrë përpara këtë projekt, pavarësisht krizave të brendshme politike. Kjo ceremoni mbledh në Paris liderët botërorë, të ftuar dhe besimtarë, dhe ky tubim po shihet si momente i rrallë i unitetit, në kohën kur bota po përballet me ndarje dhe konflikte. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, Zonja e Parë amerikane, Jill Biden, Princi William i Britanisë dhe dhjetëra krerë shtetesh e qeverish – një listë prej 1.500 të ftuarish – përfshirë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani do të marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes të Notre Dame që mbahet nën harkun gotik të ndërtesës. Ceremonia do të udhëhiqet nga kryepeshkopi Laurent Ulrich. Fillimisht, ceremonia ishte paraparë të mbahej në oborrin e Katedrales, por për shkak të erërave të fuqishme që janë paraparë për të shtunën, autoritetet kanë vendosur që e gjithë ceremonia të mbahet brenda Notre Dame. udhëheqësin e katedrales, Olivier Ribadeau Dumas, ajo është “më shumë sesa një monument franceze” dhe është një trashëgimi e kulturës botërore. “Katedralja është një simbol i jashtëzakonshëm i unitetit. Një shenjë e shpresës, sepse ajo që dukej e pamundur është bërë e mundur”, tha ai. Ngjarjet e së shtunës janë një përzierje e traditave solemne fetare me ato kulturore. Në mbrëmje, ndërkaq do të ketë një koncert brenda katedrales për të nderuar ata që punuan në rindërtimin e saj. Pothuajse 170 peshkopë nga Franca dhe të huaj, së bashku me priftërinj nga 133 famullitë e dioqezës së Parisit do të marrin pjesë në ceremoninë e rihapjes. Rihapja e Notre Dame po ndodh në kohën kur bota po përballet me trazira, me luftëra në Ukrainë e Lindje të Mesme. Për të krishterët dhe për udhëheqësit e Notre Dame, ceremonia e rihapjes do të përçojë simbolin e unitetit dhe shpresës. Siguria do të jetë e madhe gjatë gjithë fundjavës, ashtu siç ishte në Paris kur u mbajtën Lojërat Olimpike më herët gjatë këtij viti. Île de la Cité – ishulli i vogël në lumin e Senës, që është shtëpi e Notre Dame – do të mbyllet për turistët dhe për personat jorezident dhe qase në të do të kenë vetëm të ftuarit dhe banorët e ishullit. Pranë brigjeve të Senës, 40.000 spektatorë do të akomodohen, të cilët do të mund të përcjellin festimet përmes ekraneve të mëdha. Për shumë, rihapja e Notre Dame nuk është vetëm një arritje e Francës, por e botës, teksa katedralja pritet të mirëpres 15 milionë vizitorë në vit, nga 12 milionë sa kishte pritur para zjarrit të madh. Pas zjarrit të vitit 2019, shumë shpejt u mblodhën pothuajse 1 miliard dollarë donacione nga e mbarë bota, duke dëshmuar se Notre Dame është një monument që tërheq vëmendjen e gjithë botës. REL

Video

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme