Kronika 22 August 2026, 19:42 Nga VNA

Fotoja virale e “kamerave të sigurisë” në Ksamil është thjesht një imazh i gjeneruar me IA nga VNA

Ndaje në Whatsapp
Fotoja virale e “kamerave të sigurisë” në Ksamil

Një sqarim, meqë historia mori një rrugë shumë më interesante nga sa e kishim menduar.

Fotoja që po shihni është një imazh ilustrues i gjeneruar nga ne në VNA për shkrimin mbi vrasjen e turistit portugez në Ksamil. Nuk është pamje e kamerave të sigurisë dhe nuk është paraqitur kurrë prej nesh si e tillë. Është një ilustrim pa identitete, pa fytyra të dallueshme dhe pa pretendimin se dokumenton momentin real të ngjarjes. Pra, krejtësisht brenda etikës së përdorimit të një fotografie ilustruese.

Deri këtu, asgjë e pazakontë.

Pastaj fotoja u bë virale. Mirë madje. Na bëri qejfin të kuptonim se VNA jo vetëm lexohet, por ndiqet me kaq vëmendje sa kopjohet edhe ilustrimi. Vetëm një detaj i vogël mund të kishte ngritur ndonjë dyshim: Saranda nuk ndodhet përballë Ksamilit, por në krah të tij, ndaj panorama e fotos nuk kishte si të ishte reale. Por, helbete, është fundjavë gushti dhe gjeografia mund të marrë edhe ajo pak pushim.

Problemi fillon kur një televizion i madh e merr fotografinë dhe raporton LIVE se ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë nga ngjarja.

Aty nuk kemi më të bëjmë me një “huazim” të vogël fotografie. Kemi pa dashje një eksperiment social shumë interesant për mënyrën se si prodhohet lajmi: një imazh ilustrues gjenerohet për një artikull, merret pa u verifikuar, shndërrohet rrugës në “kamerë sigurie” dhe përfundon në televizion si dokument i një vrasjeje reale.

Dhe kështu, paaftësia për të bërë një verifikim elementar të një fotografie ilustruese arriti ta bëjë median në Shqipëri të raportojë si fakt një të pavërtetë të madhe.

Në VNA morëm ndërkohë një informacion të vlefshëm: sa kohë u duhet disa mediave për të kopjuar një lajm dhe sa pak kohë u duhet për ta verifikuar. Përgjigjja për të dytën, me sa duket, është zero.

Ne prodhuam një foto ilustruese. Të tjerët prodhuan prej saj “pamjet ekskluzive të kamerave të sigurisë”.

Në fund, secili prodhon atë që di më mirë.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme