Politika 13 July 2026, 11:27 Nga VNA

Koncerti i Kanye West, PD kallëzon Ramën dhe Gonxhen në SPAK

Ndaje në Whatsapp
Koncerti i Kanye West, PD kallëzon Ramën dhe Gonxhen në SPAK

Partia Demokratike ka depozituar në SPAK një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, lidhur me financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West me një fond prej 4 milionë eurosh.

Në kallëzim, Grupi Parlamentar i PD-së pretendon se fondi rezervë i shtetit është përdorur në kundërshtim me ligjin për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat publike.

Sipas opozitës, Edi Rama dhe Blendi Gonxhja duhet të hetohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

PD argumenton se dy zyrtarët kanë vepruar në bashkëpunim për të përdorur fondin rezervë në favor të një aktiviteti privat, ndërsa pretendohet se janë shkelur edhe rregullat e konkurrencës, duke krijuar avantazhe të padrejta për një operator ekonomik të caktuar.

Deklarata PD

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përfaqësuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar z. Gazment Bardhi, ka depozituar sot në SPAK kallëzimin penal kundër Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit Blendi Gonxhja, për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, për propozimin dhe miratimin e financimit të 4.2 milion euro të një eventi privat të këngëtarit Kanye West.

Me Aktin Normativ Nr. 3, datë 06.07.2026, me propozimin e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, shtetasit Blendi Gonxhja, Këshilli i Ministrave ka vendosur financimin e pjesshëm të organizimit dhe mbarëvajtjes së një aktiviteti kulturor-artistik, me ndikim në promovimin e turizmit dhe imazhit të Republikës së Shqipërisë, koncerti i artistit të njohur ndërkombëtar, Kanye West (YE), që do të zhvillohet në Tiranë, në datën 11 korrik 2026, në masën 400.000.000 Lekë ose 4.2 milionë Euro.

 
Gjatë arsyetimit të nevojës, në relacion thuhet se në rastin konkret nevoja identifikohet së pari në planin praktik me faktin që organizimi i këtij eventi kërkon mbështetjen prej 400 000 000 (katërqind milionë) lekësh, pa të cilën evenimenti/koncerti rrezikon të dështojë, bazuar në komunikimet e zhvilluara mes përfaqësuesve të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe organizatorëve të koncertit dhe së dyti në planin juridik, për shkak të faktit se në legjislacioni në fuqi nuk ka një bazë ligjore, një dispozitë autorizuese ligjore, për nxjerrjen e një akti nënligjor, që të lejojë dhënien e një mbështetjeje të tillë, në kushte të tilla për një eveniment muzikor/artistik/kulturor me efekt të theksuar turistik. Theksojmë se qoftë sipas ligjit nr. 10 352, datë 18.11.2010, «Për artin dhe kulturën», të ndryshuar, qoftë sipas ligjit nr. 93/2015, «Për turizmin», të ndryshuar, është e pamundur të miratohet akt nënligjor për mbështetjen e këtij evenimenti në kushtet konkrete.

 
Në kallëzimin penal të depozituar nga grupi parlamentar i PD theksohet se “kuadri ligjor në fuqi ka sanksionuar detyrimin e autoriteteve shtetërore që, në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të tyre, të përdorin me eficencë dhe efektivtet burimet financiare shtetërore, duke respektuar parimet e qëndrueshmërisë së financave publike, barazisë para ligjit dhe konkurrencës së lirë. Në këtë drejtim, Kushtetuta, Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ashtu si dhe ligjet e dala në zbatim të tyre, kanë sanksionuar ndalimin e çdo sjellje apo veprimi të institucioneve shtetërore, të cilat cënojnë në vetvete Buxhetin e Shtetit, lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e palëve në ofrimin e mallrave dhe shërbimeve, pavarësisht nëse përdoren ose jo për qëllime publike. Rezulton se mbi bazën e një operatori ekonomik privat, shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka iniciuar procedurën për miratimin e aktit normativ, me qëllim që këtij operatori t’i akordohej një fond prej 4.2 milionë Euro, duke shfrytëzuar fondin rezervë të Buxhetit të Shtetit. Ky i fundit, referuar dispozitave ligjore të mësipërme, mund të përdoret vetëm për shpenzime të cilat nuk njihen dhe janë të pamundura të parashikohen, siç mund të jenë rastet e fatkeqësive natyrore, përmbytjeve, tërmeteve, epidemive dhe emergjencave civile. Në rastin konkret, nuk jemi përpara asnjërit prej këtyre rasteve, pasi koncerti muzikor ishte një ngjarje e planifikuar në kohë, dhe operatori ekonomik privat kishte mundësi që të aplikonte me përpara për të përfituar një fond të caktuar për realizimin e këtij aktiviteti, në përputhje me procedurat ligjore. Duke vepruar kështu, shtetasit Edi Rama dhe Blendi Gonxhja nga njëra anë ka cënuar fondin rezervë, që përbën një grupeve kryesore të shpenzimeve të Buxhetit të Shtetit, ashtu si edhe ka cënuar parimet e konkurrencës së lirë dhe mosdiskriminimit, pasi një mundësi e tillë nuk ka qenë e parashikuar për operatorët e tjerë ekonomikë, që po ashtu mund të aplikonin për të përfituar mbështetje financiare për realizimin e këtij koncerti apo të ngjashëm me të.”.

“Nga sa më sipër, është e qartë se shtetasi Edi Rama, me detyrë Kryeministër i Shqipërisë, dhe shtetasi Blendi Gonxhja, me detyrë Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin sa i përket shfrytëzimit të fondit rezervë për të mbështetur një aktivitet muzikor privat, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, e në këtë kuptim veprimet e tyre përmbushin elementin e anës objektive të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Nga ana tjetër, të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shkelur rregullat sa i përket lirisë së pjesëmarrjes dhe realizimit të barazisë së shtetasve në tendera publik, me qëllim krijimin e avantazheve dhe privilegjeve të padrejta për një operatori ekonomik të caktuar, duke përmbushur kështu elementin e anës objektive të veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar neni 258 i Kodit Penal.” – thuhet në kallëzimin e depozituar në SPAK.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme