Punonjësit e një supermarketi në shtetin amerikan të New Hampshire mbetën të habitur pasi zbuluan një gjarpër helmues të fshehur mes një ngarkese me banane të importuara nga Ekuadori.
Zvarraniku, një Ornate Cat-eyed Snake, rreth 45 centimetra i gjatë, u gjet brenda një arke me banane përpara se produktet të dilnin në shitje. Autoritetet e identifikuan si një specie me helm të lehtë, e cila zakonisht ushqehet me hardhuca dhe amfibë dhe nuk konsiderohet shumë e rrezikshme për njerëzit.
Sipas ekspertëve të organizatës Rainforest Reptile Shows, raste të tilla ndodhin disa herë në vit, pasi gjarpërinjtë dhe kafshë të tjera të egra shpesh fshihen në ngarkesat me fruta tropikale për t’u mbrojtur gjatë transportit.
Pas zbulimit, gjarpri iu dorëzua specialistëve, të cilët do ta mbajnë në një habitat të përshtatshëm ose do ta transferojnë në një kopsht zoologjik të akredituar. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua dhe bananet nuk kishin arritur ende te konsumatorët.






















