Irani nuk i është përgjigjur ende një mesazhi që nënpresidenti amerikan, JD Vance, i ka dërguar Mohsen Rezaeit, sekretarit të Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Lajmi është bërë i ditur të enjten nga një burim i lartë iranian i sigurisë, i cituar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars.
Sipas zyrtarit iranian, mesazhi është dërguar, por Teherani nuk ka kthyer ende përgjigje. Ai hodhi poshtë gjithashtu spekulimet e mediave mbi përmbajtjen e komunikimit, duke i cilësuar raportimet si të pasakta. Burimi theksoi se shkëmbimet e mesazheve mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë nuk janë të pazakonta dhe se kontakte të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, përfshirë gjatë administratës së ish-presidentit amerikan Barack Obama.
Të mërkurën, gazeta amerikane The Wall Street Journal raportoi se Vance i kishte dërguar një letër Rezaeit me synimin për të ringjallur negociatat e paqes. Duke iu referuar zyrtarëve amerikanë dhe personave të njohur me çështjen, gazeta shkruante se letra ishte dërguar me udhëzimin e presidentit Donald Trump, ndërsa Uashingtoni po shqyrtonte mundësinë që një kornizë diplomatike të shmangte rifillimin e sulmeve ushtarake amerikane kundër Iranit.
Megjithatë, Trump mohoi se kishte udhëzuar Vancein të niste negociatat me Teheranin. I pyetur për këtë çështje, presidenti amerikan deklaroi se komunikimi lidhej me nevojën e Iranit për furnizime mjekësore. “Jo, bëhet fjalë për faktin se ata kanë nevojë për ndihmë me furnizime mjekësore dhe gjëra të ndryshme”, u shpreh Trump.
Zhvillimet diplomatike vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Teheranit, ku palët kanë mosmarrëveshje lidhur me zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të qershorit dhe kalimin në Ngushticën e Hormuzit.






















