Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas protestave të studentëve në Tiranë, duke shprehur gatishmërinë për dialog me ta dhe duke akuzuar opozitën për aktet e dhunës.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë deklaroi se veprimet e dhunshme nuk përfaqësojnë studentët, të cilët i cilësoi si të ardhmen e vendit. Ai u shpreh se qeveria është e gatshme të dëgjojë kërkesat e tyre dhe të diskutojë për zgjidhje.
“Studentët janë e ardhmja dhe janë ata që shohin larg e duan të shkojnë larg shpejt. Janë të mirëpritur e për ta jemi gati të flasim e diskutojmë, të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, shkroi Rama.
Përgjegjësinë për tensionet kryeministri ia atribuoi opozitës, duke pretenduar se ajo po përdor dhunën për të penguar përparimin e vendit.
“Këto janë të tjera duar, duart që përpiqen të ulin poshtë Shqipërinë sa herë përpiqet të shkojë lart, janë duart e opozitës”, deklaroi ai.
Rama i cilësoi zhvillimet si “orë të vështira”, ndërsa theksoi se vendi do të vijojë rrugën drejt Bashkimit Europian. Në të njëjtën kohë, paralajmëroi ndëshkim ligjor për personat e përfshirë në aktet e dhunës.
“Kush mendon se ligji është larg, gabon. Kush ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë sepse Shqipëria nuk do të kthehet më pas”, përfundoi kryeministri.






















