Politika 2026-10-12 17:48:00 Nga VNA

Pas miratimit të reformës territoriale, PS nis fazën e dytë: Kërkon komision të posaçëm parlamentar

Ndaje në Whatsapp

Pas miratimit të reformës territoriale, PS nis fazën e dytë:

Pasi miratoi me votat e saj reformën territoriale, duke reduktuar numrin e bashkive nga 61 në 46, mazhoranca socialiste hedh hapin e radhës për ndryshimin e organizimit të pushtetit vendor. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale, këtë herë me fokus kompetencat, financimin dhe funksionimin e bashkive.

Nisma vjen vetëm pak ditë pas miratimit të hartës së re territoriale, e cila shkaktoi përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës. Partia Demokratike kundërshtoi ndryshimet, duke akuzuar socialistët se po ndërhynin në ndarjen administrative të vendit pa konsultimin e duhur me qytetarët dhe pa konsensus politik.

Megjithatë, socialistët e çuan përpara reformën me 85 vota, ndërsa tashmë synojnë të ndërhyjnë edhe në mënyrën se si do të funksionojnë njësitë e reja vendore pas zgjedhjeve të vitit 2027.

Sipas kërkesës së depozituar në Kuvend, komisioni i ri do të ketë për detyrë rishikimin e legjislacionit për vetëqeverisjen vendore, zgjerimin e kompetencave të bashkive dhe përcaktimin e standardeve minimale për shërbimet publike.

Një pjesë e rëndësishme e reformës do të përqendrohet te financat vendore. Socialistët propozojnë forcimin e decentralizimit fiskal dhe hartimin e një formule të re për shpërndarjen e transfertës së pakushtëzuar nga buxheti i shtetit, duke marrë për bazë të dhënat e Censit të vitit 2023.

Në projekt përfshihet edhe krijimi i një niveli rajonal funksional, i cili synon të përshtatë organizimin territorial me politikat e zhvillimit rajonal dhe kërkesat për përfitimin e fondeve të Bashkimit Europian.

Komisioni i propozuar do të përbëhet nga 16 anëtarë, të ndarë sipas përfaqësimit të grupeve parlamentare, ndërsa mandati i tij parashikohet të zgjasë nëntë muaj, me mundësi shtyrjeje me vendim të Kuvendit.

Gjatë kësaj periudhe pritet të shqyrtohen ndryshimet në ligjet për vetëqeverisjen vendore, financat vendore dhe zhvillimin rajonal. Në proces do të përfshihen edhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë, përfaqësues të bashkive, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile.

Synimi i mazhorancës është që ndryshimet ligjore të përfundojnë në kohë për të mundësuar funksionimin e bashkive sipas ndarjes së re territoriale pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Por edhe faza e dytë e reformës rrezikon të zhvillohet pa pjesëmarrjen e opozitës. Partia Demokratike ka paralajmëruar se nuk do të bëhet pjesë e komisionit të ri, duke argumentuar se kërkesat e saj nuk u morën parasysh gjatë punës së komisionit të mëparshëm.

Në këtë mënyrë, pas miratimit të hartës së re administrative pa konsensusin e opozitës, mazhoranca po përgatitet të vijojë edhe me ndryshimet në kompetencat dhe financimin e pushtetit vendor, ndërsa mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje politike për këtë fazë të reformës.

Lexo gjithashtu

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news