Opinion 2026-03-01 11:01:00 Nga VNA

Kur diktatura bëhet galeri

Ndaje në Whatsapp
Kur diktatura bëhet galeri

Nga Doriana Musai 

Nuk fshihet dot historia nga arti. Aq më pak historia e një diktature që ka vrarë, internuar dhe persekutuar njerëz të pafajshëm. Regjimet totalitare mishërohen në ndërtesat e tyre simbol. Ato mbajnë mbi supe ngarkesën e kohës që i prodhoi. Nuk janë thjesht beton apo arkitekturë; janë materializim i pushtetit.

Art-washing-u që po përdoret sot në Shqipëri – përpjekja për ta mbështjellë estetikisht trashëgiminë e diktaturës – nuk e lehtëson këtë peshë. Përkundrazi, e rëndon. Kur arti vendoset si filtër mbi një histori të patreguar, ai nuk shëron; ai maskon. Dhe maskat bien.

Ministri i Kulturës mund të mos e kuptojë këtë. Ose të mos dojë ta kuptojë. Por realiteti shoqëror nuk ndryshon me deklarata.

Djegia e fasadës – ku, për ironi, asnjë xham nuk u thye – nuk ka lidhje me ndonjë vepër arti të “ngjizur” mbi historinë e vilës së Enver Hoxhës. Qarja publike për “kryeveprën kulturore”, e cila në praktikë është bërë hapësirë kryesisht për artistë të huaj, ndërsa shqiptarët mbeten spektatorë, është zhvendosje e debatit nga thelbi.

Sepse thelbi nuk është arti.

Thelbi është simboli.

Në vitin 1997, gjatë kolapsit shtetëror në Shqipëri, shqiptarët i vunë flakën hipotekave, drejtorive të policisë, shtëpive të oficerëve dhe institucioneve shtetërore. U sulmuan struktura pushteti dhe dokumente pronësie – pra autoriteti. Por nuk pati një sulm të organizuar ndaj institucioneve të artit apo kulturës.

Rasti i vetëm i përmendur është ai në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku godina u qëllua me plumba nga persona që e ngatërruan me Parlamentin. Gjurmët e plumbave në derën e jashtme janë ende aty. Një akt i izoluar. Një gabim. Jo një mesazh kundër kulturës.

Ky fakt tregon diçka thelbësore: arti nuk është parë si armik. Pushteti po.

Prandaj, sulmi ndaj vilës së Enver Hoxhës nuk mund të lexohet si sulm ndaj kulturës.

Vila e diktatorit mbetet simbol i diktatorit. Ajo është shtëpia ku u jetësua privilegji absolut në një regjim që izoloi, internoi, pushkatoi dhe torturoi njerëz të pafajshëm – gra, fëmijë, të rinj. Nuk është hapësirë neutrale; është vend i ngarkuar me histori.

Kjo ngarkesë është anashkaluar në mënyrën si u trajtua transformimi i saj.

Qendra e artit u krijua pa konsultim publik, pa debat qytetar, me një vendim të drejtpërdrejtë qeveritar, duke e trajtuar pragmatikisht si pronë shtetërore. Por kjo pronë është pasuri e sekuestruar nga regjimi diktatorial, që asnjëherë nuk iu kthye pronarëve legjitimë.

Kemi kështu një paradoks të qartë: një vilë e marrë me forcë nga një regjim autoritar riaktivizohet sot me vendim qeveritar, pa pjesëmarrje publike, duke u trajtuar si thjesht objekt arkitektonik dhe hapësirë arti, ndërsa pesha e saj historike lihet në hije.

Ndërkohë, zjarri iu vu gjatë një proteste të organizuar nga mbështetës të Partisë Demokratike, dhe sot dënimi që artikulohet nga përfaqësues të qeverisë dhe mazhorancës formulohet si mbrojtje e artit nga dhuna. Këtu qëndron ironia.

Sepse nuk kemi debat për artin.

Kemi një konflikt të pazgjidhur me historinë.

Kur një simbol i diktaturës trajtohet si aset kulturor pa një përballje të ndershme me të shkuarën, dhe reagimi publik etiketohet si “sulm ndaj artit”, zhvendoset qëllimisht boshti i diskutimit: nga kujtesa te estetika, nga përgjegjësia historike te retorika morale.

Dhuna nuk është zgjidhje. Por as relativizimi simbolik nuk është pafajësi. Një instalacion nuk e bën një vend neutral. Ndryshimi i funksionit nuk e zhvesh një hapësirë nga memoria e saj.

Vila e diktatorit nuk është thjesht pronë shteti. Është simbol i një kohe që ende nuk është përballur si duhet dhe simboli nuk pastrohet me art.

Nëse historia nuk përballet, ajo rikthehet si konflikt. Nëse simboli zbukurohet, ai nuk neutralizohet – ai provokon. Sepse pushteti i djeshëm nuk shndërrohet në neutralitet me një vendim administrativ.

Askush nuk shkroi “Art Explora u dogj”.

U shkrua “Vila e Enver Hoxhës”. Edhe kaq mjafton për të kuptuar se çfarë mbetet realisht në mendjen e shoqërisë.

Muret mund të zbardhen, por krimet nuk zbardhen me kurim estetik.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news