Rajoni 2026-08-07 12:24:25 Nga VNA

Kosova ngre aktakuzë për krime lufte ndaj Milan Radoiçiç dhe 19 personave të tjerë

Ndaje në Whatsapp
Kosova ngre aktakuzë për krime lufte ndaj Milan Radoiçiç

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 20 personave, mes tyre biznesmenit dhe politikanit serb të Kosovës, Milan Radoiçiç, për krime lufte të kryera kundër civilëve shqiptarë në Gjakovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, të cilët dyshohet se vepronin si pjesëtarë të forcave të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, akuzohen se morën pjesë në një operacion ushtarako-policor ku u vranë 107 civilë.

Prokuroria thotë se gjatë operacionit, gratë dhe fëmijët u ndanë nga burrat. Gratë u grabitën, ndërsa burrat u ekzekutuan në shtëpitë e tyre, në oborre ose pranë urës së njohur si “Ura e Taliqit”. Pas masakrës, banesat e viktimave u plaçkitën dhe më pas u dogjën.

Për shkak se të gjithë të pandehurit ndodhen jashtë juridiksionit të Kosovës, Prokuroria ka kërkuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në mungesë.

Në prill të vitit 2025, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhër-arrest për Radoiçiçin dhe 19 persona të tjerë, të dyshuar për krime të kryera mes 7 dhe 10 majit 1999 në Gjakovë. Sipas hetimeve, trupat e shumë prej viktimave u gjetën pas luftës në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.

Autoritetet kosovare pretendojnë gjithashtu se të dyshuarit arrestuan dhe mbajtën në mënyrë çnjerëzore rreth 300 civilë shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera, të cilët më pas u transferuan në burgje në Kosovë dhe Serbi, për t’u liruar vetëm pas përfundimit të luftës.

Milan Radoiçiç është një emër i njohur për autoritetet e Kosovës. Ai është gjithashtu i akuzuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një efektiv i Policisë së Kosovës. Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për organizimin e sulmit, por ka mohuar se ka vepruar me urdhër të autoriteteve serbe.

Përveç kësaj, ai është përmendur edhe në hetime për korrupsion, si dhe është konsideruar nga autoritetet kosovare si një nga drejtuesit e grupit kriminal që dyshohet se organizoi vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviç, në vitin 2018. Megjithatë, për këtë çështje ai nuk është akuzuar zyrtarisht.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news