Një fustan i stilistes shqiptare nga Kosova, Diana Qerimi, është kthyer në një nga veshjet më të komentuara në tapetin e kuq të Festivalit të Filmit në Venecia.
Personazhi televiziv dhe influencuesja italiane Giulia De Lellis u shfaq me një fustan të bardhë, të punuar me motive që menjëherë ndezën komentet në rrjet. Vanity Fair Italia e përshkroi me ironi si një veshje që “duket sikur është bërë me çentrot e gjyshes”, për të shtuar më pas se në fakt frymëzimi është pikërisht ai.
Fustani mban firmën e Diana Qerimit, stilistes me bazë në Prishtinë, e njohur për krijimet elegante, sidomos fustanet e mbrëmjes dhe të nusërisë. Në këtë dalje, puna artizanale dhe estetika tradicionale u kthyen në element mode në një nga skenat më të ndjekura ndërkombëtare.
Pavarësisht komenteve ironike për “çentrot”, veshja arriti pikërisht atë që kërkon tapeti i kuq: të tërheqë vëmendje, të hapë diskutim dhe të mbetet në kujtesë. Për Diana Qerimin, dalja e Giulia De Lellis në Venecia është një tjetër moment ndërkombëtar për modën kosovare.






















