Lifestyle 28 Prill 2024, 13:43 Nga VNA

Sugjerime për një shëndet më të mirë

Ndaje në Whatsapp

ASKUSH nuk ka qejf të sëmuret. Sëmundjet janë të bezdisshme dhe të zbrazin xhepin, për të mos thënë më shumë. Jo vetëm të bëjnë të ndihesh keq, por edhe të pengojnë të shkosh në punë a në shkollë, të fitosh para ose të kujdesesh për familjen. Madje mund të kesh nevojë që dikush të të rrijë te koka, dhe ilaçet e mjekimet mund të kushtojnë goxha.

Nuk thonë kot «më mirë t’i parandalosh, se t’i kurosh». Disa sëmundje s’i shmang dot. E megjithatë mund të bësh shumë që t’i parandalosh ose të ngadalësosh përparimin e tyre. Shqyrto pesë sugjerime për një shëndet më të mirë.

1 MBAJ HIGJIENË TË MIRË

Sipas klinikës «Mejo» «mbrojtja më e mirë kundër sëmundjeve dhe përhapjes së tyre» është larja e duarve. Kur fërkon sytë ose hundën me duar me mikrobe, ftohesh e të zë gripi më kollaj. Prandaj, gjëja më e mirë është të lash duart rregullisht. Higjiena e mirë mund të parandalojë edhe sëmundje më të rënda, si pneumoninë dhe sëmundjet diarreike, që çdo vit bëhen shkak për vdekjen e mbi dy milionë fëmijëve nën pesë vjeç. Edhe përhapja e virusit vdekjeprurës të Ebolës mund të pakësohet thjesht duke bërë zakon larjen e duarve.

Ka disa raste kur është edhe më e rëndësishme të lash duart për të mbrojtur shëndetin tënd dhe të të tjerëve. Duhet t’i lash duart:

  • Pasi të shkosh në banjë.

  • Pasi t’i ndërrosh pelenat fëmijës ose pasi ta kesh çuar në banjë.

  • Para dhe pasi të mjekosh një plagë ose një të prerë.

  • Para dhe pasi të takosh një të sëmurë.

  • Para se të përgatitësh, të hash ose të shërbesh ushqim.

  • Pasi të teshtish, të kollitesh a të shfrysh hundët.

  • Pasi të prekësh një kafshë ose jashtëqitje kafshësh.

  • Pasi të hedhësh plehrat.

Mos u mjafto duke i larë duart shkel e shko. Studimet kanë treguar se një përqindje e madhe e atyre që përdorin banjat publike nuk i lajnë duart fare ose nuk i lajnë si duhet. Si duhet t’i lash duart?

  • Njomi me ujë të rrjedhshëm e të pastër dhe fërkoji me sapun.

  • Shkumoji mirë, pa harruar thonjtë, gishtat e mëdhenj, kurrizin e dorës dhe pjesën midis gishtave.

  • Fërkoji për të paktën 20 sekonda.

  • Shpëlaji me ujë të rrjedhshëm e të pastër.

  • Thaji me peshqir të pastër ose me letër duarsh.

Këto janë masa të thjeshta, por parandalojnë sëmundjet dhe shpëtojnë jetë.

2 PËRDOR UJË TË PASTËR

Në disa vende, çdo ditë njerëzit mundohen shumë që të sigurojnë ujë të pastër. Prapëseprapë, ai mund të kthehet në problem në çdo pjesë të botës po të ndotet nga përmbytjet, stuhitë, çarjet e tubacioneve ose nga shkaqe të tjera. Nëse nuk vjen nga një burim i sigurt ose nëse nuk ruhet si duhet, mund të shkaktojë parazitë, kolerë, diarre vdekjeprurëse, tifo, hepatit dhe sëmundje të tjera. Çdo vit rreth 1.7 miliardë raste me sëmundje diarreike lidhen me ndotjet e ujit të pijshëm.
  • Sigurohu që uji i pijshëm—uji për larjen e dhëmbëve, për akull, për larjen e ushqimeve dhe të enëve ose për gatim—të vijë nga një burim i pastër. Për shembull, të jetë ujë me shishe nga firma me emër ose ujë nga rezerva publike të trajtuara si duhet.

  • Nëse dyshon se tubacionet janë ndotur, zieje ujin para se ta përdorësh ose trajtoje me kimikate dezinfektuese të përshtatshme.

  • Kur përdor kimikate të tilla, si klori ose tableta për pastrimin e ujit, ndiq me kujdes udhëzimet e prodhuesit.

  • Përdor filtra cilësorë nëse mund t’i gjesh dhe nëse ta mban xhepi.

  • Ujin e trajtuar mbaje gjithmonë në enë të pastra e të mbuluara.

  • Sigurohu që çdo enë që përdor për të marrë ujë, si garuzhda, të jetë e pastër.

  • Mos i prek enët me duar të papastra dhe mos i fut duart apo gishtat në ujin e pijshëm.

3 BËJ KUJDES ME USHQIMET

Ushqime të shëndetshme të grupeve të ndryshme

Nuk ka shëndet të mirë pa ushqim të mirë. Prandaj duhet të mbash një dietë të shëndetshme e të ekuilibruar. Duhet të bësh kujdes me sasinë e kripës, të yndyrës e të sheqerit dhe me madhësinë e racionit. Ha fruta e perime dhe ndryshoje herë pas here menunë. Kur blen bukë, drithëra, makarona ose oriz, lexo listën e përbërësve e zgjidh ato me përbërje integrale. Ato kanë më shumë vlera ushqyese dhe fibra sesa ushqimet me drithëra të përpunuara. Për sa u përket proteinave, ha racione të vogla mishi pa dhjamë dhe, nëse është e mundur, përpiqu të hash peshk nja dy herë në javë. Në disa vende mund të gjenden ushqime të pasura në proteina me prejardhje bimore.

Përdorimi i tepërt i sheqerit dhe i yndyrave të ngurta, si gjalpi, mund të të çojë në mbipeshë. Për të ulur rrezikun, pi ujë, në vend të pijeve të ëmbla. Ha fruta, në vend të ëmbëlsirave. Pakëso yndyrat që merr nga sallami, mishi, gjalpi, ëmbëlsirat, djathi dhe biskotat. Gatuaj me vajra të shëndetshëm në vend të yndyrave të ngurta.

Kripa e tepërt, ose natriumi në veçanti, rrit tensionin e gjakut. Nëse ke probleme me tensionin, lexo informacionin në paketimin e ushqimeve që të marrësh sa më pak natrium. Në vend të kripës, përdor erëza dhe spec djegës për t’u dhënë shije gatimeve.

 
   

Lexo gjithashtu

Video

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Një 89-vjeçar ka hapur zjarr këtë të martë në qendër të Athinës, duke plagosur disa persona në dy sulme të njëpasnjëshme. Autori qëlloi fillimisht në një zyrë të sigurimeve shoqërore dhe më pas brenda një godine gjykate. Policia ka gjetur armën e krimit, një pushkë gjahu, dhe ka nisur një operacion masiv për kapjen e autorit. Ndërsa të plagosurit ndodhen në spital.

Kur e pyet Sali Berishën se ç’mendon për debatet Spiropali-Rama…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme