Sociale 23 Tetor 2025, 15:44 Nga VNA

Të rinjtë shqiptarë po zgjedhin zanatin përpara ‘diplomës’

Ndaje në Whatsapp
Të rinjtë shqiptarë po zgjedhin zanatin përpara

Gesi, një djalë i ri nga Lushnja, është diplomuar në universitet për shkenca politike. Megjithatë, prej tre vitesh ai punon në sektorin e turizmit në plazhin e Golemit në Durrës, herë si kamarier, herë si banakier dhe së fundmi si shef salle në një restorant buzë detit.

“Sektori i shërbimeve ka shumë nevojë për punonjës dhe pagat janë në përmirësim,” shpjegoi ai.

Në një kohë kur shumë të rinj që diplomohen në universitetet shqiptare përballen me pasiguri për punësim, ose përfundojnë duke punuar në profile që nuk kanë lidhje me studimet e tyre, një tjetër rrugë arsimore po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në Durrës: arsimi profesional.

I vlerësuar për shumë vite si një zgjidhje dytësore, arsimi profesional po kthehet çdo ditë e më shumë në një alternativë të zgjuar për qindra të rinj që kërkojnë një profesion të sigurt dhe të mirëpaguar.

Rritja e interesit për arsimim profesional nuk është e rastësishme, por vjen si rezultat i orientimit konkret drejt tregut të punës, lidhjeve me biznesin dhe përgatitjes praktike që u ofrohet nxënësve. Edhe bizneset në qytetin bregdetar po i drejtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje arsimit profesional, i cili u ofron të rinj më praktikë dhe të përgatitur për punë konkrete.

“Shumë të rinj diplomohen në universitete, por nuk arrijnë të punësohen në profesionin e tyre, sepse programet universitare shpesh nuk përputhen me nevojat reale të tregut të punës,” thotë për BIRN Neritan Golja, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës.

“Ne do të dëshironim që më shumë biznese të bashkëpunojnë me shkollat profesionale dhe universitetet për të ofruar atë që kërkon tregu,” shtoi ai.

Nga klasa në punë

Me bazë të fortë teorike, praktikë intensive, lidhje me biznesin dhe mundësi reale punësimi, arsimi profesional në Durrës po rikthehet fort si një zgjedhje me vizion.

Në një treg pune gjithnjë e më konkurrues dhe përballë sfidave që sjell inteligjenca artificiale, ky arsim po kthehet në një nga vlerat më të mëdha që një sistem arsimor mund t’u ofrojë të rinjve: një profesion në dorë dhe aftësi konkrete për të nesërmen.

Sipas të dhënave nga shkollat profesionale në Durrës, mbi 75% e nxënësve që përfundojnë arsimin profesional punësohen menjëherë pas diplomimit, shumë prej tyre edhe gjatë viteve të fundit të shkollës.

Ndërkaq, rreth 20% vijojnë më tej studimet në programe të larta profesionale ose universitare, duke e kthyer këtë rrugë në një bazë të fortë për zhvillim afatgjatë.

Regjistrimet në shkollat profesionale në Durrës janë rritur ndjeshëm këtë vit. Afro 600 nxënës janë regjistruar për herë të parë në shkollat “Beqir Çela” dhe “Hysen Çela”.

“Më i kërkuari është drejtimi ‘Shërbim i mjeteve të transportit’, i cili përbën rreth 40% të regjistrimeve në klasën e dhjetë dhe 40% të numrit total të nxënësve të shkollës,” tregon Fatmir Merkuri, drejtor i shkollës “Beqir Çela”, e cila njihet si “shkollë djemsh”.

“Interes të shtuar vitet e fundit ka për drejtimin Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, ku këtë vit janë regjistruar tre vajza,” shtoi ai.

Shkolla “Beqir Çela” është shndërruar në një kampus të vërtetë profesional me laboratorë modernë, një godinë të re praktike dhe një godinë të re konvikti për nxënësit nga rrethet. Risitë përfshijnë hapjen e dy degëve pas të mesmes, konkretisht “Diagnostikim dhe Menaxhim në Autoservis” dhe “Energjia e Rinovueshme” – programi i parë i këtij lloji në nivel kombëtar.

Këto programe jo vetëm që ofrojnë kualifikime më të avancuara, por e pozicionojnë shkollën si një institucion pionier në futjen e teknologjive të qëndrueshme dhe të gjelbra në arsimin profesional shqiptar.

Adeos, 19 vjeç, nga Durrësi, ka përfunduar degën e mekanikës së automjeteve, elektroauto, në shkollën “Beqir Çela” dhe këtë tetor nisi studimet 2-vjeçare në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

“Gjatë shkollës punoja si praktikant dhe paguhesha,” tha ai, ndërsa kujton se u punësua që në vitin e tretë dhe punonte pasditeve. “Tregu ka nevojë për profesionistë dhe këtë e ndjej çdo ditë,” shtoi ai.

Ndërkohë, në shkollën profesionale “Hysen Çela” në Durrës, degë si hoteleri-turizëm, teknologji ushqimore, ekonomi, konfeksione dhe teknologji informacioni janë ndër më të preferuarat. Kjo përkon edhe me zhvillimet ekonomike të zonës, ku turizmi është një nga motorët kryesorë.

“Këtë vit shkollor u regjistruan në klasat e 10-a 280 nxënës, ose 20% më shumë se vjet, ndërsa shkolla numëron 850 nxënës në total,” tha Blerina Dervishi, drejtoreshë e shkollës së mesme “Hysen Çela”.

“Vitet e fundit, dega më e kërkuar mbetet ajo e hoteleri-turizmit, me një interes gjithnjë në rritje,” shtoi ajo.

Të dy drejtuesit e shkollave të mesme profesionale të Durrësit shprehen se bashkëpunojnë ngushtë, përveçse me biznesin, edhe me Zyrën e Punës, ku nxënësit aplikojnë për të gjetur një vend pune, por edhe për të përfituar nga kurset afatshkurtra që ofrohen nga Qendra e Formimit Profesional.

Për Sarën, nxënëse e shkollës “Hysen Çela”, zgjedhja e arsimit profesional ishte e mirëmenduar. Ajo zgjodhi degën e hoteleri-turizmit, pasi ishte e bindur se do të gjente punë kudo – në restorante, hotele apo kuzhina.

“Kam pasion shërbimin dhe më pëlqen që mund të punoj edhe jashtë vendit,” tha ajo. “Por edhe këtu, në Durrës dhe në jug, turizmi po zhvillohet shumë dhe pagat janë të mira,” shtoi Sara.

Jo gjithmonë interesi i nxënësve u përgjigjet kërkesave të tregut të punës. Të rinjtë vlerësojnë me kujdes edhe stilin e jetesës që u mundëson profesioni. Degë si ajo e peshkimit kanë më pak nxënës, edhe pse tregu ka nevojë të madhe.

“Jeta në det nuk vlerësohet shumë nga të rinjtë,” thotë Arben Kume, me mbi 42 vite përvojë në peshkim.

“Preferojnë punët në tokë që i mbajnë më afër familjes,” shtoi ai.

Partneriteti me biznesin

Një element kyç i suksesit është bashkëpunimi i ngushtë me bizneset lokale dhe institucionet e punësimit. Dy shkollat bashkëpunojnë me Zyrën e Punës, Dhomën e Tregtisë dhe mbi 700 biznese, duke garantuar praktika dhe mundësi reale punësimi. Janë hapur edhe degë të arsimit dual, ku klasa zhvendoset te biznesi.

“Kemi marrëveshje me 400 biznese për praktika dhe punësim,” shpjegoi Blerina Dervishi.

Edhe kolegu i saj, Fatmir Merkuri nga shkolla “Beqir Çela”, raporton se ky institucion arsimor ka marrëveshje me 380 biznese.

“Shkolla bashkëpunon ngushtë me biznesin edhe për të përshtatur kurrikulën sipas nevojave të tregut,” tha ai.

Dhoma e Tregtisë në Durrës e mbështet fuqishëm këtë qasje.

“Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është një nga sfidat më të mëdha të bizneseve sot,” tha Neritan Gjola. “Bashkëpunimi me arsimin profesional është mënyra më e mirë për të ndërtuar një treg pune të qëndrueshëm,” përfundoi ai./BIRN/

 

Video

Mijëra mbështetës të presidentit të rrëzuar të Venezuelës, Nicolás Maduro, shkelën rrugët e Karakasit të premten në një protestë masive, duke kërkuar lirimin e tij, pas arrestimit nga forcat amerikane më 3 janar në një operacion ushtarak, sipas zyrtarëve lokalë dhe raporteve ndërkombëtare. Demonstrata u zhvillua në 68-vjetorin e rënies së diktaturës së Marcos Pérez Jiménez (1948–1958) dhe shënoi një nga tubimet më të mëdha pro-Maduro që nga operacioni ushtarak amerikan. Në sheshin kryesor pranë O’Leary në qendër të Karakasit, protestuesit valëviten flamuj dhe mbajnë pankarta duke kërkuar kthimin e Maduros dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, që aktualisht janë në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të përballen me akuza federale, përfshirë konspiracion për narco-terrorizëm. Një banderolë e madhe lexonte: “Ne i duam ata përsëri”, ndërsa qytetarë të shumtë shprehën zemërim ndaj asaj që e quajtën një “kapje të paligjshme” nga autoritetet amerikane. “Arrestimi i Maduros ishte i padrejtë,”

Cikloni “Harry” ka goditur ishullin e Siçilisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, të cilat sipas guvernatorit Renato Schifani arrijnë 720 milionë euro. Qeveria rajonale ka shpërndarë menjëherë 70 milionë euro për të përballuar emergjencat më urgjente. Situata e rëndë ndikohet nga reshje të vazhdueshme dhe dallgë deri në 9 metra, duke dëmtuar infrastrukturën, pasuritë arkeologjike dhe zonat bregdetare. Në Sardenjë, dëmet e shkaktuara nga moti i keq vlerësohen gjithashtu në qindra milionë euro, ndërsa autoritetet kërkojnë mbështetje shtesë financiare nga qeveria në Romë.

Policia në Long Island iu përgjigj një alarmi për vjedhje në një bankë, por në vendngjarje u përball me një situatë të pazakontë. Një dre ishte futur brenda godinës pasi kishte thyer një nga dritaret, duke shkaktuar dëme të shumta dhe duke mbetur e bllokuar brenda. Pas ndërhyrjes, efektivët arritën ta kapnin drerin në mënyrë të sigurt dhe ta nxirrnin jashtë përmes dritares së thyer.

Glauk Olldashi: Kujdes me ata që përzgjidhni për të folur në Foltore. Disa prej tyre kanë qenë tapë!

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme