Shefi i Reanimacionit në Spitalin Rajonal të Vlorës, Edmond Breshanaj, foli rreth gjendjes shëndetësore të personave që pësuan plagë për shkak të zjarrit që përfshiu hotel “Brooklyn” në Lungomaren e Vlorës, mëngjesin e së dielës.
“Situata ishte emergjente. 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës”, tha mjeku.
Ai shpjegoi se gjendja e njërës prej pacienteve paraqitet mjaft kritike për jetën për shkak të shkallës së djegies.
“Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një tjetër 50%. Dy prej tyre i nisëm në Qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e Djegie-Plastikës në QSUT”, tha më tej ai.
Nga zjarri në hotel morën plagë gjashtë persona të moshave 25-30 vjeç, 5 me origjinë nga Prishtina dhe Lipjani dhe 1 nga Rrësheni. Zjarri në hotel dyshohet të ketë nisur nga priza e frigoriferit në lokalin e katit të parë.






















