Samsung ka zgjedhur ironinë për t’iu përgjigjur hyrjes së Apple në tregun e telefonave të palosshëm. Pas prezantimit të iPhone Duo, modeli i parë foldable i Apple me çmim 1,999 dollarë, kompania koreano-jugore nisi një fushatë publicitare që vë në pah eksperiencën e saj shumëvjeçare në këtë kategori.
Në qytete të mëdha si Seul, Tokio dhe Londër, Samsung ka vendosur reklama me sloganin “Welcome to Foldables” – “Mirë se erdhe te telefonat e palosshëm”, duke kujtuar se vetë hyri në këtë treg që në vitin 2019. Kompania promovon gjithashtu Galaxy Z Fold 8, të prezantuar më pak se dy muaj më parë, me çmim 1,899 dollarë dhe të pajisur me inteligjencën artificiale Gemini të Google.
Por beteja nuk është kufizuar te reklamat. Pas prezantimit të Apple, Samsung publikoi një seri postimesh sarkastike në X, duke e akuzuar rivalin se po riciklon ide të vjetra. Mes thumbimeve ishin “reheating our leftovers” – “po ringrohni mbetjet tona” – dhe “So far, so same”, një lojë fjalësh për të sugjeruar se Apple nuk solli ndonjë risi të madhe.
Apple, nga ana tjetër, po përpiqet ta paraqesë iPhone Duo si një alternativë ndaj problemeve që sipas saj kanë telefonat ekzistues të palosshëm. CEO i ri i kompanisë, John Ternus, i kritikoi modelet aktuale duke thënë se duken “si dy telefona të ngjitur në mënyrë të sikletshme me njëri-tjetrin”.
iPhone Duo ka adoptuar një formë të ngjashme me pasaportën, koncept që Samsung përdor edhe në Galaxy Z Fold 8. Megjithatë, analistët e shohin çmimin prej 1,999 dollarësh si një lëvizje agresive të Apple: vetëm rreth 100 dollarë më shumë se rivali i Samsung.
Sipas Counterpoint Research, hyrja e Apple mund të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat në këtë treg. Kompania parashikon që Apple të arrijë 25% të tregut të telefonave të palosshëm, ndërsa Samsung pritet të mbajë rreth 38%.
Samsung ka avantazhin e tetë gjeneratave të telefonave foldable dhe të një rrjeti të madh global shpërndarjeje. Ironia është se Apple po hyn në këtë betejë duke përdorur edhe zinxhirin e furnizimit që Samsung ka ndërtuar ndër vite: ekranet e palosshme të iPhone Duo prodhohen nga Samsung Display.
Analisti Ben Wood i CCS Insight e përmbledh strategjinë e Apple ndryshe: kompania zakonisht nuk nxiton të jetë e para, por pret derisa një teknologji të piqet dhe më pas hyn në treg.
Kështu, shtatë vjet pasi Samsung hodhi në treg telefonin e parë foldable për publikun e gjerë, rivali i tij më i madh më në fund ka mbërritur. Dhe mesazhi i Samsung është i thjeshtë: mirë se erdhe, Apple — ne kemi qenë këtu që nga 2019-a.
Burimi: Reuters, 10 shtator 2026






















