Lifestyle 2026-09-03 07:42:16 Nga VNA

Al Pacino, Robert Pattinson, Penélope Cruz e Javier Bardem, filmat që pritet të bëjnë zhurmë në Festivalin e Venecias

Ndaje në Whatsapp
Al Pacino, Robert Pattinson, Penélope Cruz e Javier Bardem, filmat

Festivali i Filmit në Venecia rikthen në tapetin e kuq disa prej emrave më të mëdhenj të kinemasë. Edicioni i këtij viti sjell produksione të reja me Al Pacinon, Robert Pattinsonin, Penélope Cruz, Javier Bardem, John Malkovich dhe Sam Rockwell.

“The Guardian” ka përzgjedhur 12 filmat që pritet të tërheqin më shumë vëmendje në festival, nga dramat dhe thrillerët psikologjikë, te dokumentarët për Oasis dhe një projekt shtatëorësh kushtuar regjisorit Bernardo Bertolucci.

Mes filmave më të shumëpritur është “Father Joe”, një dramë e vendosur në botën e krimit të organizuar në Manhattan. Kiefer Sutherland luan Father Joe, një prift të vendosur të përballet me gangsterët, ndërsa Al Pacino interpreton një prej personazheve kryesore të historisë. Skenari është shkruar nga regjisori francez Luc Besson. 

Një tjetër premierë e shumëpritur është “Primetime”, me Robert Pattinsonin në rolin kryesor. Aktori interpreton prezantuesin amerikan Chris Hansen, i njohur nga programi televiziv “To Catch a Predator”. Filmi frymëzohet nga formati i emisionit, në të cilin persona që synonin të kryenin marrëdhënie seksuale me të mitur joshen drejt një shtëpie të kontrolluar, ku përballen fillimisht me kamerat dhe më pas me policinë. Përmes kësaj historie, filmi ngre pyetje mbi kufirin mes drejtësisë, spektaklit televiziv dhe shfrytëzimit të njerëzve për audiencë. 

Në Venecia do të shfaqen së bashku edhe Penélope Cruz dhe Javier Bardem. Çifti, i cili është i martuar edhe në jetën reale, interpreton një çift në “Bunker”, dramën e re të Florian Zeller. Bardem luan një arkitekt që pranon ofertën e një oligarku për të projektuar një bunker luksoz, ku mund të mbijetohet në rast të një katastrofe bërthamore. Ky vendim nis të shkaktojë tensione të forta në martesën e tij. 

Martin McDonagh, regjisori i “The Banshees of Inisherin” dhe “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, rikthehet me “Wild Horse Nine”. John Malkovich dhe Sam Rockwell interpretojnë dy agjentë të CIA-s në Kilin e vitit 1973, në prag të grushtit të shtetit kundër Salvador Allendes. Historia i çon më pas në Ishullin e Pashkëve, ku dalin në pah sekrete të errëta. Në film luajnë gjithashtu Steve Buscemi, Tom Waits dhe Parker Posey. 

Një tjetër rikthim i rëndësishëm është ai i regjisorit koreano-jugor Lee Chang-dong, i cili nuk ka realizuar një film të gjatë që prej “Burning”, në vitin 2018. Filmi i tij i ri, “Possible Love”, i prodhuar nga Netflix, ndjek historinë e dy çifteve, marrëdhëniet dhe fatet e të cilëve ndërthuren. 

Festivali do të sjellë gjithashtu “Oasis: Don’t Look Back in Anger”, një dokumentar që i çon kamerat pas skenës së turneut të ribashkimit të Oasis. Filmi përmban pamje nga provat dhe koncertet, si dhe një intervistë të përbashkët me Liam dhe Noel Gallagher. Marrëdhënia e trazuar mes dy vëllezërve ka qenë prej vitesh pjesë e historisë së grupit. 

Ndër projektet më të pazakonta është “Joie de Vivre…” i Luca Guadagninos, një dokumentar shtatëorësh kushtuar Bernardo Bertoluccit. Filmi është ndarë në dy pjesë dhe përfshin dëshmi nga bashkëpunëtorë, admirues dhe kritikë të regjisorit italian. Ai trajton jo vetëm filmat e Bertoluccit, por edhe polemikat që shoqëruan karrierën e tij.

Në listën e filmave që pritet të tërheqin vëmendje është edhe “Ink” i Danny Boyle, me Guy Pearce në rolin e Rupert Murdochut dhe Jack O’Connell si redaktori Larry Lamb. Historia rikthehet në vitin 1969, kur Murdochu bleu gazetën “The Sun” dhe nisi transformimin që do të ndryshonte përgjithmonë shtypin britanik. 

Me yje të Hollywood-it, regjisorë fitues çmimesh dhe rikthime të shumëpritura, Venecia pritet të shndërrohet sërish në një nga qendrat kryesore të botës së filmit. Disa prej premierave të festivalit mund të bëhen edhe protagoniste të sezonit të ardhshëm të çmimeve.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news