
Propozimi i Partisë Socialiste për reformën e re territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, i është dërguar zyrtarisht kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë që preken nga ndryshimet.
Në dokumentin e shpërndarë kërkohet që drejtuesit vendorë të paraqesin një qëndrim të argumentuar lidhur me propozimin për shkrirjen e bashkive të tyre dhe bashkimin me njësi të tjera vendore. Ata mund të paraqesin kundërshtime ose alternativa mbi projektin.
Në zbatim të ligjit, bashkitë dhe këshillat bashkiakë kanë 60 ditë afat për të kthyer përgjigjet e tyre. Gjatë kësaj periudhe, procesi duhet të shoqërohet me dëgjesa publike dhe konsultime me qytetarët e zonave që preken nga reforma.
Pas përfundimit të konsultimeve, secila bashki do t'i përcjellë Kuvendit dokumentin me argumentet dhe propozimet e saj, të cilat do të shqyrtohen përpara se projekt-harta të rikthehet për diskutim dhe votim në Parlament.
Propozimi i socialistëve parashikon një model të ri organizimi administrativ, të bazuar në strukturën bashki–qytet–njësi administrative, me synimin, sipas tyre, për të ruajtur identitetin e qyteteve dhe për të garantuar vijimin e ofrimit të shërbimeve në godinat ekzistuese të bashkive.
Sipas draftit, nuk parashikohen ndryshime në qarqet e Kukësit, Durrësit dhe Lezhës. Tirana është i vetmi qark që preket në aspektin territorial, me propozimin që Rinasi të kalojë nën administrimin e Bashkisë Tiranë, ndërsa Rrogozhina propozohet të bashkohet me Bashkinë Kavajë.
Ndryshimet më të mëdha parashikohen në qarqet e Elbasanit dhe Gjirokastrës, ku propozohet shkrirja e tre bashkive. Mazhoranca argumenton se reforma synon krijimin e bashkive më të mëdha dhe më funksionale, duke i konsideruar ato më të përgatitura për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Pas përfundimit të fazës së konsultimeve, projekt-harta pritet t'i nënshtrohet miratimit në Kuvend në fillim të muajit tetor.






















