
Qeveria suedeze ka vendosur të bllokojë përdorimin e ChatGPT dhe Claude në kompjuterët e punës të administratës qeveritare, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë e informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave konfidenciale.
Vendimi, i cili hyri në fuqi këtë të hënë, më 26 tetor, ndalon aksesin në versionet e këtyre platformave që përdoren përmes shfletuesve të internetit.
Masa u mor pas një kontrolli të kryer në Administratën Suedeze të Transportit, ku u konstatuan raste problematike të përdorimit të inteligjencës artificiale gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
Sipas autoriteteve suedeze, shqetësimi kryesor lidhet me rrezikun që punonjësit të vendosin informacione të ndjeshme shtetërore në platforma që nuk kanë marrëveshje të posaçme për mbrojtjen e të dhënave. Kjo mund të krijojë mundësinë që informacionet të ruhen ose të përdoren për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.
Drejtori i Digjitalizimit në Zyrat Qeveritare të Suedisë, Mikael Wettercrantz, paralajmëroi se përdorimi i platformave të paautorizuara mund të ketë pasoja për sigurinë e informacionit shtetëror.
Në vend të ChatGPT dhe Claude, qeveria suedeze u ka rekomanduar punonjësve përdorimin e Microsoft Copilot, një platformë që ka kaluar kontrollet e sigurisë dhe mbulohet nga një marrëveshje për mbrojtjen e të dhënave.
Megjithatë, kufizimi nuk përbën një ndalim të plotë të inteligjencës artificiale. Një numër i kufizuar punonjësish do të mund të përdorin ChatGPT dhe Claude përmes një platforme të posaçme, të kontrolluar nga autoritetet suedeze.
Masa të ngjashme janë ndërmarrë edhe nga Agjencia Suedeze e Taksave dhe Bordi Kombëtar i Kujdesit Institucional, ndërsa institucione të tjera po shqyrtojnë vendosjen e kufizimeve.
Vendimi nuk prek përdorimin e këtyre platformave nga qytetarët apo bizneset private në Suedi, por vetëm aksesin në sistemet e punës të institucioneve përkatëse shtetërore.






















