Opinion 15 June 2026, 09:05 Nga VNA

Protesta në ditën e 15-të: Mes revoltës dhe nevojës për organizim

Ndaje në Whatsapp
Protesta në ditën e 15-të: Mes revoltës dhe nevojës

Opinion nga Lori Sina

Në ditën e 15-të të protestës, do të duhej të kishim tashmë një strukturë të qartë, jo vetëm revoltë emocionale.

Protesta pa përfaqësim rrezikon të dëgjohet nga pushteti vetëm si zhurmë rruge. Protesta pa kërkesa të qarta rrezikon të shpërndahet. Protesta pa një strategji rrezikon të lodhë njerëzit, përpara se të lodhë pushtetin.

Nga ana ligjore, njerëzit mund të marshojnë me orë të tëra, mund të mbushin bulevardin, mund të thërrasin, të protestojnë, të kërkojnë dorëheqje. Kjo është e drejtë kushtetuese. Por shteti nuk bie juridikisht vetëm sepse njerëzit marshojnë. Pushteti largohet kur protesta kthehet në kosto politike, në presion institucional dhe në pamundësi për të qeverisur sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Këtu hyn paralelizmi me Serbinë.

Pas tragjedisë së Novi Sadit, Serbia u ngrit në këmbë. Studentë, qytetarë, profesorë, familje të zakonshme dolën në rrugë kundër korrupsionit, arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së pushtetit. Protestat u bënë masive. U fol për qindra mijëra njerëz në rrugë, madje për shifra që shkonin deri në 1.3 milion serbë.

Por çfarë ndodhi?

Vuçiçi u trondit, por nuk ra. Sistemi u drodh, por nuk u çmontua. Pushteti bëri lëshime, por nuk u dorëzua.

Dhe ky duhet të jetë mësim për ne.

Edhe sikur një milion njerëz të dalin në rrugë, nuk mjafton nëse pas tyre nuk ka strategji. Nuk mjafton marshimi. Nuk mjafton emocioni. Nuk mjafton as thirrja më e bukur në bulevard:

“Ramaaaa, jepeeee dorëheqjen!”

Është thirrje e fortë, po. Është thirrje që ndez sheshin, po. Por nëse mbetet vetëm kaq, pushteti e dëgjon, pret të mbarojë, numëron orët dhe të nesërmen vazhdon sikur asgjë nuk ka ndodhur.

Prandaj në këtë pikë, protesta duhet të kthehet në moment reflektimi.

A do të jetë kjo protestë vetëm një marshim i gjatë? Apo do të kthehet në një lëvizje qytetare me kërkesa të qarta, me përgjegjësi të qartë dhe me presion të përditshëm?

Dhe mbi të gjitha: duhet pasur shumë kujdes nga përçarja.

Sepse pushteti këtë pret. Pret që protesta të ndahet në grupe. Pret që njëri të quhet “i opozitës”, tjetri “i shitur”, tjetri “radikal”, tjetri “i butë”. Pret që energjia e qytetarëve të mos drejtohet më kundër qeverisë, por kundër njëri-tjetrit.

Kjo është arma më e vjetër e çdo pushteti të kalbur: përça revoltën, lodh njerëzit, relativizo kauzën dhe pastaj qeveris mbi rrënojat e zemërimit të tyre.

Prandaj protesta duhet të ruajë unitetin. Jo uniformitet mendimi, por unitet qëllimi. Mund të kemi mendime të ndryshme për mënyrën, për ritmin, për formën, por objektivi nuk duhet humbur: përgjegjësi politike, dorëheqje, hetim pasuror, përgjegjësi penale dhe transparencë për çdo projekt që prek pasurinë publike dhe territorin e vendit.

Sepse një pushtet që ka një kryeministër nudist dhe të paktën 20 ministra e kryebashkiakë në burg për korrupsion, nuk rrëzohet nga turpi apo largohet nga mirësjellja. Nuk trembet nga ecjet simbolike, nëse pas tyre nuk vjen organizim real.

Ndaj protesta duhet të rritet në pjekuri. Duhet të ketë fytyrë. Duhet të ketë emër. Duhet të ketë kërkesa të qarta. Duhet të ketë ritëm. Duhet të ketë vazhdimësi. Dhe mbi të gjitha, nuk duhet të bjerë në kurthin e përçarjes.

Ndryshe, rrezikojmë të përsërisim gabimin e Serbisë: shumë njerëz në rrugë, shumë zemërim në shesh, shumë brohoritje në mbrëmje, por pak rezultat në fund.

Dhe po, atëherë do të hyjmë në histori vetëm për sa bukur marshuam, jo për faktin nëse e detyruam dot pushtetin të përgjigjej, të jepte llogari dhe të dorëhiqej.

Video

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme