
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me grabitjen e një argjendarie, të ndodhur më 5 gusht në zonën e Paskuqanit.
Sipas burimeve hetimore, autorët kanë arritur të marrin bizhuteri floriri me vlerë rreth 1.5 milionë lekë. Hetimet paraprake tregojnë se ata e kishin studiuar me kujdes zonën përpara se të kryenin grabitjen.
Nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë rezulton se dy autorët kanë lëvizur nëpër rrugicat periferike të Kamzës, duke shmangur rrugët kryesore. Të njëjtin itinerar ata kanë ndjekur edhe gjatë largimit pas grabitjes.
Grupi hetimor dyshon se autorët e njihnin mirë zonën, çka përforcohet edhe nga rruga e zgjedhur për të hyrë dhe për t'u larguar. Gjithashtu, ekzistojnë dyshime se njëri prej tyre mund të jetë paraqitur si klient në argjendari disa ditë më parë, për të vëzhguar ambientin dhe për të identifikuar vendndodhjen e bizhuterive me vlerë.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë pasur edhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Ndërkohë, burime pranë hetimit bëjnë me dije se personat e dyshuar nuk kanë lidhje me grabitjen e ndodhur më 16 maj në një tjetër argjendari në Kamëz, pasi autorët e asaj ngjarjeje janë arrestuar.






















