Bota 2026-10-27 13:07:28 Nga VNA

Trafik i paligjshëm i vezëve njerëzore, 36 të ndaluar në Turqi: Shqipëria mes vendeve ku dyshohet se vepronte rrjeti kriminal

Ndaje në Whatsapp

Trafik i paligjshëm i vezëve njerëzore, 36 të ndaluar

Autoritetet turke kanë goditur një rrjet të dyshuar të trafikimit të paligjshëm të vezëve njerëzore, me lidhje në Shqipëri, Qipron Veriore dhe Gjeorgji. Në një operacion të zhvilluar njëkohësisht në 14 provinca të Turqisë, përfshirë Stambollin, janë ndaluar 36 persona, ndërsa hetimet përfshijnë gjithsej 53 të dyshuar.

Sipas ministrit turk të Drejtësisë, Akën Gyrlek, hetimet kanë zbuluar se 41 gra dyshohet se kanë shitur vezët e tyre gjithsej 811 herë, kundrejt pagesës, duke udhëtuar jashtë Turqisë për kryerjen e këtyre procedurave.

Gazeta turke Türkiye raporton se gratë udhëtonin nga Turqia drejt Qipros Veriore, Shqipërisë dhe Gjeorgjisë për të shitur vezët e tyre. Ky informacion e vendos Shqipërinë mes destinacioneve të dyshuara të rrjetit dhe jo thjesht mes vendeve me të cilat ai kishte lidhje.

Sipas të dhënave të publikuara nga autoritetet turke, mes 53 personave nën hetim përfshihen drejtuesi i dyshuar i rrjetit, pesë bashkëpunëtorë të tij, 41 gratë që dyshohet se kanë shitur vezët, dy mjekë gjinekologë dhe katër persona që organizonin udhëtimet jashtë vendit.

Hetimi nisi pas një denoncimi të paraqitur përmes CIMER, sistemit të komunikimit publik të Presidencës turke. Prokuroria e Anadollit në Stamboll nisi verifikimet, duke analizuar transaksionet bankare, komunikimet telefonike, të dhënat e Bordit të Hetimit të Krimeve Financiare (MASAK) dhe regjistrat e udhëtimeve ndërkombëtare.

Nga operacioni janë ndaluar 36 persona, ndërsa një tjetër ndodhej tashmë në burg. Autoritetet po vijojnë kërkimet për 16 të dyshuar të tjerë, shtatë prej të cilëve besohet se ndodhen jashtë Turqisë.

Çfarë dihet për lidhjen me Shqipërinë?

Sipas raportimeve të mediave turke, Shqipëria ishte një prej vendeve ku gratë udhëtonin për të shitur vezët e tyre. Megjithatë, deri tani nuk janë bërë publike emra klinikash, mjekësh apo ndërmjetësish në territorin shqiptar që mund të kenë qenë pjesë e rrjetit.

Nuk është sqaruar gjithashtu se sa nga 811 rastet e identifikuara nga hetuesit turq lidhen konkretisht me Shqipërinë dhe sa me Qipron Veriore apo Gjeorgjinë.

Edhe për Qipron Veriore nuk janë publikuar të dhëna mbi klinikat apo mjekët që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.

Ministri turk i Drejtësisë deklaroi se autoritetet do të vijojnë hetimet për të zbuluar të gjitha lidhjet e rrjetit dhe për të vënë përgjegjësit përpara drejtësisë.

“Asnjë përfitim financiar nuk mund të qëndrojë mbi dinjitetin njerëzor dhe integritetin fizik”, deklaroi Gyrlek.

Hetimi mbetet i hapur, ndërsa autoritetet turke po përpiqen të identifikojnë dhe kapin personat e tjerë të dyshuar si pjesë e rrjetit ndërkombëtar.

Burimet: Daily Sabah, Anadolu Agency dhe Türkiye, 19 tetor 2026.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news