Bota 2026-10-09 20:44:21 Nga VNA

GJNP kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve amerikane: Sulm ndaj sundimit të ligjit, nuk do të ndalemi

Ndaje në Whatsapp
GJNP kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve amerikane: Sulm ndaj sundimit

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka reaguar ashpër ndaj sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj institucionit, duke i cilësuar ato si një përpjekje për të penguar drejtësinë ndërkombëtare. Në një deklaratë zyrtare të publikuar të premten, gjykata theksoi se do të vazhdojë të përmbushë mandatin e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, pavarësisht presionit.

“Kjo masë synon një institucion të pavarur gjyqësor, të krijuar me traktat dhe të cilit 125 shtete palë i kanë besuar hetimin dhe ndjekjen penale të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimit të agresionit”, thuhet në deklaratën e GJNP-së.

Gjykata i cilësoi sanksionet si një “sulm ndaj sundimit të ligjit” dhe ndaj themeleve të rendit juridik ndërkombëtar. Sipas saj, masat amerikane synojnë të vështirësojnë funksionimin e institucionit dhe të krijojnë një klimë frikësimi për gjyqtarët, prokurorët dhe personat e tjerë që punojnë ose bashkëpunojnë me të.

Presidentja e GJNP-së, Tomoko Akane, deklaroi se institucioni nuk do të lejojë që këto masa të ndikojnë në ushtrimin e detyrave të tij dhe në përpjekjet për të garantuar përgjegjësinë penale për krimet më të rënda ndërkombëtare.

“Gjykata do të vazhdojë ta përmbushë plotësisht mandatin e saj, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, duke u bazuar vetëm në ligj dhe prova, në shërbim të viktimave të panumërta të krimeve të rënda”, u shpreh Akane.

Në deklaratë, GJNP-ja bëri të ditur se sanksionet pasuan vendimin e SHBA-së për të vendosur masa ndaj 13 gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur. Institucioni theksoi se do të vijojë punën e tij dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar burimet e nevojshme financiare dhe institucionale, në mënyrë që gjykata të vazhdojë veprimtarinë pa pengesa.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e një institucioni të vetëm, por edhe me ruajtjen e rendit ndërkombëtar të mbështetur në sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratë.

Gjykata theksoi gjithashtu se personat që angazhohen në shërbim të drejtësisë nuk duhet të përballen me ndëshkime për shkak të detyrave të tyre. Sipas saj, mënyra se si komuniteti ndërkombëtar do t'u përgjigjet këtyre masave do të ketë rëndësi për të ardhmen e drejtësisë ndërkombëtare dhe për viktimat e mizorive masive.

“Askush nuk duhet të ndëshkohet për shërbimin ndaj drejtësisë”, nënvizoi GJNP-ja, duke shtuar se brezat e ardhshëm do ta gjykojnë reagimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj kësaj situate.

Reagimi i gjykatës erdhi pas njoftimit të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për vendosjen e sanksioneve ndaj institucionit. Uashingtoni kundërshton juridiksionin e GJNP-së mbi shtetasit amerikanë dhe e konsideron veprimtarinë e saj ndaj tyre si të papranueshme.

Duke njoftuar masat, Rubio deklaroi se administrata amerikane nuk do të lejojë që gjykata të ndjekë penalisht shtetasit e SHBA-së.

“Presidenti Trump nuk do ta lejojë kurrë Gjykatën Ndërkombëtare Penale të ndjekë penalisht amerikanët. Prandaj, sot, Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale”, deklaroi Rubio.

Ai shkoi edhe më tej në qëndrimin e tij, duke kërcënuar se do t'i “japë fund GJNP-së”, nëse institucioni nuk ndal atë që ai i cilësoi si “kërcënime”.

GJNP-ja, me seli në Hagë, është një gjykatë e përhershme ndërkombëtare që heton dhe ndjek penalisht individë për krimet më të rënda të përcaktuara në Statutin e Romës. Ajo funksionon si gjykatë e shkallës së fundit, duke ndërhyrë kur sistemet gjyqësore kombëtare nuk janë të gatshme ose nuk janë në gjendje të zhvillojnë realisht procedimet përkatëse.

Përplasja mes Uashingtonit dhe GJNP-së rihap debatin mbi kufijtë e juridiksionit të gjykatës, pavarësinë e institucioneve ndërkombëtare dhe përgjegjësinë për krimet e rënda. 

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news