Editorial 2025-08-19 19:08:00 Nga VNA

Nga sulmet e Ramës ndaj gjykatësit Balliu te ato të Berishës ndaj SPAK. Reforma në Drejtësi një antipastë në pjatën e politikës.

Ndaje në Whatsapp
Nga sulmet e Ramës ndaj gjykatësit Balliu te ato të Berishës

Nga Desada Metaj

Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz – kështu reagoi sot kryeministri Edi Rama për çështjen e godinës ku ushtron aktivitet Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Sipas Ramës, gjykata ka marrë në mbrojtje një pallat të ndërtuar pa leje dhe të konfiskuar nga shteti, duke e lënë institucionin e rëndësishëm në mëshirë të një objekti të vjetër e të dëmtuar nga tërmeti. Kreu i qeverisë nuk kurseu as sulmet personale, duke e krahasuar vendimin me “një heroizëm absurd të prokurorëve dhe gjyqtarëve që punojnë në favor të ndërtuesve të paligjshëm” dhe duke thirrur “Zotin e madh” që organet e kontrollit të gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre i rrezikshëm.

Në dukje, është një tjetër reagim i zemëruar i një kryeministri që nuk gjen drejtësi në gjykata. Në fakt, është pasqyra më e qartë e një kulture politike që nuk e sheh drejtësinë si pushtet të pavarur, por si skenë të luftës ditore për pushtet. Rama e shpall sistemin gjyqësor të korruptuar dhe pengues të reformës vetëm kur një vendim nuk i shkon për shtat. E njëjta logjikë, por me ngjyra të tjera, përdoret nga Sali Berisha, i cili vetëm një ditë më parë sulmoi dy prokurorë të SPAK sepse preknin interesat e tij. Kur vendimi është i favorshëm, drejtësia është “e pavarur dhe e rilindur”. Kur nuk është, drejtësia është armik. Në këtë mënyrë, politika shqiptare nuk po tregon aspak pjekuri për të pranuar se gjykata nuk është tribunë partiake dhe prokuroria nuk është vegël elektorale.

Në vend që të mbështesin ndarjen e pushteteve, politikanët e parë të vendit, ish e aktualë, vazhdojnë të ushqejnë një kulturë ku drejtësia shihet si palë në betejën e tyre, jo si arbitër mbi ta. Dhe kur Rama i referohet Zotit për të “zgjuar gjykatësit nga gjumi”, duket më shumë si një predikues që i flet besimtarëve, jo si një kryeministër që respekton institucionet. Berisha, nga ana tjetër, shfaqet si gjykatës suprem i SPAK-ut, që vlerëson kush është prokuror i mirë dhe kush i keq sipas halleve të ditës.

Kjo është, në të vërtetë, fytyra më e qartë e politikës shqiptare: një politikë e papjekur, e paaftë për të kuptuar se drejtësia nuk është një orkestër që luan sipas dirigjentit të radhës. Derisa të vazhdojmë të shohim kryeministra e ish-kryeministra që shpallin heronj dhe tradhtarë në togë të zezë sipas interesit personal, Reforma në Drejtësi nuk do të shihet kurrë si një proces i besueshëm, por vetëm si një dekor i përshtatshëm për fjalime. Dhe ky është dënimi më i rëndë që politika i bën vetë drejtësisë: e shndërron në një shfaqje ku publiku e kupton se pushteti nuk kërkon ligj, por bindje. Dhe kur drejtësia bie në rolin e një skene politike, atëherë më kot pret dikush që ky vend të ketë ndonjëherë shtet të së drejtës.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news