Editorial 2026-01-15 19:36:00 Nga VNA

Berisha fiton në Kushtetuese, por humbet argumentin e gjykatës “në shërbim të Ramës”

Ndaje në Whatsapp
Berisha fiton në Kushtetuese, por humbet argumentin e gjykatës

Gjykata Kushtetuese mori sot vendimin për kërkesën e paraqitur nga Sali Berisha lidhur me tre qëndrimet e gjykatave më të ulëta mbi masën e arrestit shtëpiak. Kushtetuesja i dha të drejtë Berishës për arsyetimin se kohëzgjatja e mbajtjes së tij nën arrest shtëpiak ka qenë e tejzgjatur.

Për këdo që nuk e njeh çështjen në detaje, vlen të sqarohet se pasi masa e “detyrimit për paraqitje” iu zëvendësua me “arrest në shtëpi”, SPAK kishte detyrimin ligjor që çdo dy muaj të paraqiste në gjykatë një relacion mbi ekzistencën e kushteve të masës së sigurimit. Ky relacion është dërguar me vonesë. Për më tepër, sipas praktikës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, në raste të ngjashme kohëzgjatja e arrestit shtëpiak nuk mund të jetë kaq e gjatë. Strasburgu vlerëson se në këto raste, kohëzgjatja mesatare e arrestit në shtëpi duhet të jetë rreth dy deri në tre muaj.

Pavarësisht akuzave të vazhdueshme të Sali Berishës ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit vlerësoi se mbajtja e tij në arrest shtëpiak përtej këtyre afateve ka qenë e pajustifikuar, duke rrëzuar qëndrimet e gjykatave më të ulëta mbi këtë masë sigurie.

Por më shumë sesa një fitore juridike për kryetarin e Partisë Demokratike, ky vendim është një fitore morale – dhe njëkohësisht një fitore e Pirros. Për javë me radhë, nga podiumi i selisë së PD-së, Berisha ka sulmuar ashpër Gjykatën Kushtetuese dhe, herë pas here, ka lavdëruar anëtarë të saj vetëm sipas interesit të momentit politiko-personal. Sot, i njëjti institucion i jep të drejtë juridike, duke ia hequr njëherësh edhe kartën morale për ta sulmuar si një gjykatë “në shërbim të Edi Ramës”, etiketë që Berisha e përdor sa herë vendimet nuk i shërbejnë.

Për hir të së vërtetës, Gjykata Kushtetuese ka qenë kohët e fundit në qendër të zhvillimeve të forta politiko-juridike të vendit, jo vetëm për shkak të çështjes Balluku, por edhe për shkak të presioneve të vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama. Data 22 janar, kur pritet të shqyrtohet çështja në ngarkim të zv.kryeministres, mbetet sfida e madhe e kësaj gjykate, e cila funksionon me një anëtar të munguar dhe një tjetër me mandat të përfunduar – dhe me punë të siguruar tashmë nga qeveria.

Pikërisht për këtë arsye, vendimi i sotëm ka peshë që shkon përtej Sali Berishës. Ai vendos Gjykatën Kushtetuese nën vëzhgimin maksimal të publikut dhe e ekspozon atë ndaj një prove vendimtare besueshmërie, në një nga çështjet më të nxehta politiko-juridike të 30 viteve të fundit.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news