Kronika 2026-10-28 15:53:00 Nga VNA

Antiterrori: Një i ndaluar dhe 17 të proceduar për thirrje për dhunë në rrjetet sociale

Ndaje në Whatsapp
Antiterrori: Një i ndaluar dhe 17 të proceduar për thirrje

 

Një 33-vjeçar është ndaluar dhe 17 persona janë proceduar penalisht pas hetimeve për publikime në rrjetet sociale, që sipas Policisë përmbanin thirrje për dhunë dhe kërcënime në kontekstin e protestave të zhvilluara prej 13 tetorit në Tiranë dhe disa qarqe. Drejtoria e Antiterrorit ka referuar në prokurori edhe tetë raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin e administratorëve të llogarive.

I ndaluari është E. Xh., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”. Sipas Policisë, ai ka dërguar një mesazh kërcënues në llogarinë e Facebook-ut të një subjekti privat, duke pretenduar vendosjen e bombave në tri godina të tij.

Mes të proceduarve është A. K., 34 vjeç, i cili dyshohet se ka bërë thirrje për veprime të dhunshme në Instagram. Policia pretendon gjithashtu se ai ka hapur një llogari në “GoFundMe” për mbledhjen e fondeve, duke mashtruar qytetarët se i rrezikohej jeta. Gjatë kontrollit i është sekuestruar një bexh me të cilin, sipas njoftimit, prezantohej si gazetar për t’iu shmangur kufizimeve dhe shoqërimit nga Policia.

Materialet janë referuar edhe për E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, i cili dyshohet se përmes videove në rrjetet sociale ka ofruar para për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë, G. P., 37 vjeç, është proceduar për “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja”. Sipas Policisë, ai ka publikuar në mënyrë të përsëritur të dhëna personale, fotografi dhe video të punonjësve të policisë, të shoqëruara me komente fyese dhe akuzuese. Autoritetet pretendojnë se këto publikime rrezikojnë sigurinë e efektivëve dhe familjarëve të tyre.

Dy persona të tjerë, A. G., 56 vjeç, dhe A. A., 50 vjeç, janë proceduar për publikime që Policia i cilëson si thirrje për dhunë, nxitje urrejtjeje apo shkrime me përmbajtje antikushtetuese. Për O. M., 20 vjeç, janë referuar materialet pasi dyshohet se gjatë një proteste ka vendosur në fasadën e Universitetit Politeknik një banderolë me simbol nazist.

Edhe 11 persona të tjerë, të moshave nga 18 deri në 46 vjeç, janë proceduar nën dyshimin se kanë bërë thirrje për veprime të dhunshme përmes shkrimeve, mesazheve apo komenteve në platforma të ndryshme online.

Hetimet janë kryer nga Antiterrori, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Kibernetik dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Materialet u janë dërguar prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave që administrojnë tetë llogaritë e tjera.

Video

Një seancë parlamentare në Armeni është shndërruar në një përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Gjatë tensioneve në sallën e Parlamentit, ligjvënësit janë përfshirë në një konflikt të ashpër, ku situata ka degraduar deri në përdorimin e karrigeve kundër njëri-tjetrit.

Një person që po arratisej nga policia është përplasur me shpejtësi të lartë me një kamion të kompanisë FedEx, teksa kalonte në një kryqëzim në shtetin e Iowa-s, në SHBA.

Një garë e veçantë sportive është zhvilluar në qytetin Aberdeen të Skocisë, ku pjesëmarrësit kanë konkurruar duke ecur me duar, me kokën poshtë dhe këmbët lart. Fituese e garës është shpallur një trajnere e CrossFit-it, e cila më parë kishte marrë titullin “Gruaja më në formë fizike në Mbretërinë e Bashkuar”. Aktiviteti ka vënë në provë forcën fizike, ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve.

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e shembjes së një formacioni shkëmbor në zonën turistike të Kapadokias, në Turqi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e muzeut të hapur të Göreme-s, një nga vendet më të njohura turistike të rajonit. Sipas raportimeve, një pjesë e një shkëmbi të madh, i njohur në këtë zonë si “oxhaku i zanave”, është shembur, duke zënë poshtë disa persona. Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës dhe të kërkim-shpëtimit, të cilat kanë nisur punën për nxjerrjen e personave të mbetur nën dhe dhe gurë.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news