Bota 14 December 2024, 22:15 Nga VNA

Blinken: SHBA ka pasur kontakte direkte me grupin HTS që përmbysi Assadin

Ndaje në Whatsapp
Blinken: SHBA ka pasur kontakte direkte me grupin HTS që përmbysi

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të shtunën se zyrtarët amerikanë kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me grupin rebel sirian që udhëhoqi kryengritjen për përmbysjen e qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, por që konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Zoti Blinken është zyrtari i parë amerikan që konfirmon publikisht kontaktet midis administratës së Presidentit Biden dhe grupit Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, e cila udhëhoqi një koalicion grupesh të armatosura opozitare që rrëzuan Assadin nga pushteti të dielën e kaluar. Duke folur në një konferencë shtypi në Aqaba të Jordanisë, Sekretari Blinken tha se nuk do të diskutonte detajet e komunikimeve, por tha se ishte e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara t'i përcillnin mesazhe grupit në lidhje me qëndrimet e tij dhe planet e qeverisjes në një periudhë tranzicioni. "Po, ne kemi qenë në kontakt me HTS-në dhe palët e tjera," tha zoti Blinken. Ai shtoi se "mesazhi ynë për popullin sirian është ky: Ne duam që ata të kenë sukses dhe jemi të përgatitur t'i ndihmojmë ta bëjnë një gjë të tillë". HTS, e cila dikur ishte një degë e al-Kaidës, u përcaktua si organizatë e huaj terroriste nga Departamenti i Shtetit në vitin 2018. Ky përcaktim mbart me vete sanksione të rënda, përfshirë ndalimin e çdo "mbështetjeje materiale" për grupin ose anëtarët e tij. Megjithatë, sanksionet nuk i ndalojnë ligjërisht zyrtarët amerikanë të komunikojnë me grupet e caktuara. Në një intervistë të shtunën në televizionin sirian, udhëheqësi i grupit, Ahmad al-Sharaa, i njohur më parë si Abu Mohammed al-Golani, nuk foli për kontaktet e drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara, por tha se autoritetet e reja në kryeqytetin Damask janë në kontakt me ambasadat perëndimore. HTS ka ndërmarrë hapa për të vendosur sigurinë dhe për një tranzicion politik pas marrjes nën kontroll të Damaskut dhe është përpjekur të qetësojë publikun e kapur në befasi nga rënia e Assadit dhe të shqetësuar për xhihadistët ekstremistë midis rebelëve. Udhëheqësit e kryengritësve thonë se grupi është shkëputur nga e kaluara e tij ekstremiste. Al-Sharaa u shfaq në një video-mesazh të premten duke uruar "popullin e madh sirian për fitoren e revolucionit të bekuar". Zyrtarët amerikanë thonë se mirëpresin komentet e al-Sharaas për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe grave, por mbeten skeptikë se ai do t'i respektojë ato në planin afatgjatë. Të premten, rebelët dhe opozita e Sirisë bashkëpunuan për t'i dorëzuar në mënyrë të sigurtë zyrtarëve amerikanë një amerikan që ishte burgosur nga Asadi. Zyrtarët amerikanë po vazhdojnë kërkimin për Austin Tice, një gazetar amerikan i zhdukur 12 vjet më parë pranë Damaskut. “Ne u kemi theksuar të gjithë atyre me të cilët kemi qenë në kontakt se sa e rëndësishme është për ne gjetja e Austin Tice dhe kthimi i tij në shtëpi,” tha zoti Blinken.

VOA

Video

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

Me këngë dhe valle është pritur dalja nga spitali e pacientes së fundit të trajtuar për Ebola në një qendër shëndetësore në Mongbwalu, në Republikën Demokratike të Kongos. Personeli mjekësor dhe banorët vendas festuan këtë moment të rëndësishëm, ndërsa organizata Mjekët pa Kufij (MSF) njoftoi se për herë të parë që nga muaji maj, në këtë qendër nuk ka më pacientë me Ebola. Megjithatë, epidemia vijon të mbetet shqetësuese. Sipas autoriteteve shëndetësore, janë regjistruar mbi 10 mijë raste të konfirmuara në Afrikë, shumica në Kongo.

Dyqanet e markave luksoze në rrugën e njohur Kurfürstendamm, një nga zonat kryesore tregtare të Berlinit, kanë nisur të marrin masa mbrojtëse përpara protestave të të rinjve, të planifikuara për të shtunën. Pronarët e bizneseve po mbulojnë vitrinat dhe hyrjet e dyqaneve me panele druri, me qëllim parandalimin e dëmeve të mundshme gjatë protestave. Kurfürstendamm është një nga rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit gjerman, e njohur për dyqanet e markave ndërkombëtare, butikët luksozë dhe aktivitetin e lartë tregtar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme