Politika 7 Gusht 2025, 13:27 Nga VNA

Qeveria mban sekret kontratat e konsulencës me kompaninë e Tony Blair

Ndaje në Whatsapp
Qeveria mban sekret kontratat e konsulencës me kompaninë e Tony Blair

 

Instituti i themeluar nga ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe një tjetër kompani konsulence britanike ofruan shërbime për qeverinë shqiptare dhe Bashkinë e Tiranës, por pagesat dhe kontratat e shërbimit mbahen sekrete dhe jotransparente.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair dhe kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së mbajtur në shkurt 2024 në Dubai. 

Në një konferencë për teknologjinë shkurtin e vitit të kaluar në Dubai, kryeministri Edi Rama u ngjit në podium me ish-kryeministrin britanik, Tony Blair dhe i dedikoi këtij të fundit karrierën e tij si politikan dhe kryeministër.

“Unë nuk do të isha as kryeministër dhe as njeri i përfshirë në politikë pa të,” i tha Rama audiencës, ndërsa Blair ishte në rolin e prezantuesit. “Dhe përpara se ta njihja [Blair], ai ishte modeli dhe frymëzimi im për të hyrë në politikë…,” shtoi ai.

Por lidhjet mes ish-kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama nuk janë vetëm politike.

Prej janarit të vitit 2024, organizata e themeluar prej tij, Tony Blair Institute, ka hapur një degë biznesi në Shqipëri  dhe ofron konsulencë për qeverinë shqiptare përmes kontratave që mbahen sekret.

“Tony Blair Institute for Global Change” [Instituti Tony Blair për Ndryshim Global] është një organizatë e themeluar nga ish-kryeministri Blair në vitin 2016 dhe punon aktualisht me liderët e 45 vendeve të botës.

Dega në Shqipëri e Tony Blair Institute drejtohet nga David Stephenson, ka të regjistruar tetë punonjës dhe për vitin e parë të aktivitetit ka deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit të ardhura në vlerën e 9.1 milionë lekëve [rreth 94 mijë euro].

Në katin e tretë të “Torre Drin”, e deklaruar si adresa zyrtare e Institutit, nuk gjendet asnjë punonjës i saj, ndërsa zyrat përdoren nga një kompani kontabiliteti që ka për klient edhe “Tony Blair Institute – Albanian branch”.

Nga të dhënat publike është e paqartë se çfarë shërbimesh konkrete ofron kjo kompani për qeverinë shqiptare dhe sa do t’u kushtojnë taksapaguesve këto shërbime.

Nga postimet publike të Tony Blair Institute duket se puna e tij lidhet më ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, por kjo agjenci mohoi të kishte një kontratë për kushtet e bashkëpunimit.

“Kontrata është me Këshillin e Ministrave dhe AKSHI si agjenci varësie, përfiton nga ekspertiza e Institutit në fjalë,” deklaroi AKSHI në një përgjigje me shkrim për BIRN.

Këshilli i Ministrave nuk e vuri në dispozicion kontratën deri në publikimin e këtij shkrimi dhe zyra e shtypit nuk u përgjigj një kërkese për të sqaruar marrëdhënien e konsulencës me Tony Blair Institute.

Vetë Rama u mburr në korrik për asistencën që ky Institut po ofronte për krijimin e një strukture të re organizative në Bashkinë e Tiranës – një model sipas tij që do të adaptohej edhe nga bashkitë e tjera, por ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore, Arbjan Mazniku  saktësoi për BIRN se konsulenca në Bashkinë e Tiranës po ofrohej nga një tjetër kompani britanike e quajtur ‘Delivery Associates’.

“Delivery Associates” është një firmë konsulence e themeluar në vitin 2013 nga Sir Michael Barber – një bashkëpunëtor i Tony Blair dhe pjesë e administratës së tij në vitet 2001-2005.

Marrëveshja me “Delivery Associates” u trumbetua në verën e vitit 2024 nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj si një auditim i punës së bashkisë, por kontrata dhe kostoja e këtij shërbimi nuk u bënë asnjëherë publike.

Mazniku i tha BIRN se raporti që “Delivery Associates”  ka bërë për bashkinë e Tiranës është ‘cilësor’ dhe udhëzimet do të përdoren edhe nga bashkitë e tjera ‘pa kosto’ për to dhe as për qeverinë.

Agjencia për Media dhe Informim nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN nëse ishte gafë e kryeministrit faturimi i punës së bërë nga Delivery Associates për Tony Blair Institute apo kishte një lidhje mes punës së tyre për qeverinë dhe për bashkinë e Tiranës.

Bashkia e Tiranës refuzoi të vinte në dispozicion kontratën me “Delivery Associates” me pretendimin se “sektori i Arkivit… konstatoi mungesë të të dhënave të nevojshme për identifikimin e dokumentacionit”. Në mënyrë absurde, Bashkia i kërkoi BIRN që t’i vinte në dispozicion numrin dhe datën e protokollimit të dokumentit për ta identifikuar atë.

Gjithashtu, Tony Blair Institute, Delivery Associates dhe drejtoresha e kësaj të fundit për Europën, Anna Sakiqi nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi.

Edhe punët e mëparshme të ish-kryeministrit Tony Blair në Shqipëri janë mbuluar nga mungesa e transparencës.

Blair ka këshilluar qeverinë e kryeministrit Edi Rama përmes “Tony Blair Associates”- një bashkëpunim që filloi në vitin 2013 dhe u deklarua i mbyllur në vitin 2016, por puna e tij në Shqipëri mbeti mister dhe nuk u zbulua kurrë realisht. Ndërkohë, studioja ligjore e bashkëshortes së tij, Cherrie Blair fitoi gjithashtu kontrata nga qeveria shqiptare në kohën që bashkëshorti i saj ishte këshilltar.

Reporter.al 

Video

Kosova do të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri të Republikës. Seancat e njëpasnjëshme kanë dështuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në votim. Në sallë kanë qenë vetëm deputetët e shumicës parlamentare, ndërsa LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe kanë bojkotuar procesin.

Një breshkë e llojit Caretta caretta është gjetur e ngordhur në bregdet, me dëmtime të rënda në pjesën e kokës. Dyshohet se ajo është goditur nga helikat e një anijeje, duke pësuar plagë serioze që i kanë shkaktuar ngordhjen. Breshka është konstatuar nga qytetarë që ndodheshin pranë bregut të detit.

Në Libanin jugor, dronët-bombë të Hezbollah po krijojnë probleme serioze për ushtrinë izraelite. Pamjet tregojnë një sulm ndaj një helikopteri Blackhawk që kishte shkuar për të marrë të plagosurit nga një pritë me dronë, ku një ushtar u vra dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Teksa helikopteri po ulej, dy dronë u afruan dhe shpërthyen pranë tij, ndërsa ushtarët izraelitë hapën zjarr për t’i rrëzuar. Hezbollah thuhet se po shton përdorimin e këtyre dronëve, ndaj të cilëve Izraeli ende nuk ka kundërmasa efektive.

Një problem i vogël për Laura Pausini gjatë koncertit live në Quito, në Ecuador. Popstarja ndërpreu koncertin dhe kërkoi t’i sillnin oksigjen. Një pengesë e vogël, me shumë gjasa e lidhur me lartësinë e qytetit (rreth 2800 metra mbi nivelin e detit), e cila mund të shkaktojë probleme të tilla, sidomos kur je i ekspozuar ndaj një stresi fizik si ai i një koncerti live. Këngëtarja e mori situatën me humor dhe, me maskën e oksigjenit në gojë, iu drejtua publikut duke pyetur: “A mund të flitet kur e mban këtë, apo është më mirë jo?”

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme