Bota 2026-09-06 12:46:57 Nga VNA

Monedha 10-centëshe që kushtoi 1.25 milionë dollarë/ Misteri i 24 ekzemplarëve të vitit 1894

Ndaje në Whatsapp
Monedha 10-centëshe që kushtoi 1.25 milionë dollarë/ Misteri

 

Një monedhë me vlerë nominale vetëm 10 cent është shitur për 1,250,500 dollarë në një ankand në Kaliforni. Bëhet fjalë për një monedhë të vogël argjendi të prodhuar në San Francisco në vitin 1894, e cila sot konsiderohet një nga objektet më të rralla të numizmatikës amerikane.

Monedha njihet si 1894-S Barber dime, ku shkronja “S” tregon se është prodhuar në Mint-in e San Franciscos, ndërsa emri Barber vjen nga Charles E. Barber, kryegdhendësi i U.S. Mint që projektoi monedhën.

Ajo që e ka kthyer një monedhë 10-centëshe në një objekt me vlerë milionëshe është numri jashtëzakonisht i vogël i ekzemplarëve të saj. Në vitin 1894, në San Francisco u prodhuan vetëm 24 monedha të tilla, ndërsa sot dihet me siguri për ekzistencën e vetëm nëntë prej tyre.

Një prej këtyre nëntë ekzemplarëve doli në ankand më 1 shtator 2026 në Kaliforni. Pas më shumë se tri dekadash larg ankandeve publike, monedha u shit për 1,250,500 dollarë, ndërsa identiteti i blerësit nuk është bërë publik.

Edhe historia e këtij ekzemplari është e pazakontë. Në vitin 1957, numizmati i njohur amerikan Q. David Bowers, atëherë vetëm 19 vjeç, e bleu monedhën për 4,750 dollarë. Shuma ishte aq e madhe për një monedhë në atë kohë sa transaksioni tërhoqi vëmendjen kombëtare dhe ndihmoi në ngritjen e karrierës së Bowers.

Më vonë monedha u shit për 6 mijë dollarë. Në vitin 1987 arriti në 77 mijë dollarë, ndërsa në vitin 1990 u shit për 93,500 dollarë. Pas kësaj, ajo u zhduk nga ankandet publike për 36 vjet, për t’u rikthyer këtë shtator me një çmim prej mbi 1.25 milionë dollarësh.

Por përtej vlerës së sotme, 1894-S Barber dime mbart edhe një mister që ka intriguar koleksionistët prej më shumë se një shekulli: përse u prodhuan vetëm 24 ekzemplarë?

Periudha pas Panikut financiar të vitit 1893 kishte sjellë një rënie të fortë të kërkesës për monedha të reja dhe kjo konsiderohet pjesë e shpjegimit. Megjithatë, numri jashtëzakonisht i vogël i monedhave të prodhuara ka ushqyer teori të ndryshme për mënyrën se si ato u krijuan dhe u shpërndanë.

Sot 1894-S Barber dime konsiderohet një nga monedhat klasike më të rralla të Shteteve të Bashkuara. Madje ekzemplari i shitur këtë javë nuk mban rekordin e çmimit. Vetëm pesë prej këtyre monedhave kanë dalë në ankand që prej vitit 2005 dhe një ekzemplar tjetër ka arritur një çmim prej 2.16 milionë dollarësh.

Në pamje të parë, monedha e saposhitur nuk duket si një objekt që mund të kushtojë sa një pasuri. Është e vogël, prej argjendi dhe mbi të vazhdon të jetë e stampuar e njëjta vlerë që kishte në vitin 1894: 10 cent.

Por në botën e koleksionistëve matematika është tjetër: 24 u prodhuan, vetëm nëntë dihet se ekzistojnë ende.

Dhe për të pasur njërën prej tyre, dikush sapo pagoi 1.25 milionë dollarë.

Video

Ilir Beqaj shfaqet në GJKKO për herë të parë që prej zbutjes së masës së sigurisë.

Deputeti i PD-së, Luan Baçi, paraqitet në SPAK, i shoqëruar nga avokati i tij.

Partia ime më shkarkoi…

Qielli i Nju Jorkut u ndriçua nga rreth 3 mijë dronë gjatë një prove spektakolare për ceremoninë përkujtimore që do të shënojë 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në vitin 2026. Dronët u ngritën mbi qytet dhe krijuan një shfaqje të koordinuar drite, si pjesë e përgatitjeve për një homazh që synon të nderojë viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit 2001.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Forgotten Stories

More news