Sociale 6 November 2026, 17:37 Nga VNA

Edhe bizneset gjermane kundër Paketës Fiskale 2027: Taksat e reja rrezikojnë investimet dhe rrisin kostot

Ndaje në Whatsapp

Edhe bizneset gjermane kundër Paketës Fiskale 2027: Taksat e reja

Kundërshtimeve ndaj Paketës Fiskale 2027 i janë bashkuar edhe bizneset gjermane që operojnë në Shqipëri. Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) ka paralajmëruar se rritja e taksave të propozuara nga qeveria mund të rëndojë aktivitetin e kompanive, të ndikojë në çmimet e konsumit dhe të kufizojë investimet e reja.

Në reagimin e saj, DIHA ngre shqetësimin se ndryshimet fiskale janë hartuar pa një konsultim të plotë me komunitetin e biznesit. Sipas shoqatës, projektligjet nuk janë publikuar për konsultim publik, ndërsa versionet përfundimtare i janë paraqitur Këshillit Tatimor vetëm pak kohë përpara dorëzimit në Parlament.

Përfaqësuesit e investitorëve gjermanë theksojnë se ndryshimet e parashikuara të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027 u lënë kompanive shumë pak kohë për të përshtatur kontratat, buxhetet dhe planet e tyre të investimit.

Një nga kundërshtimet kryesore lidhet me rritjen e tatimit mbi dividendët. Sipas DIHA-s, kjo masë mund ta bëjë Shqipërinë më pak tërheqëse për investitorët, veçanërisht në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Shqetësime ngrihen edhe për rritjen e TVSH-së standarde nga 20% në 21%, e cila sipas shoqatës mund të reflektohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve. Bizneset gjermane paralajmërojnë se kjo rritje mund të zbehë përfitimin që qytetarët pritet të kenë nga ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë.

Kritika ka gjithashtu për rritjen e TVSH-së në sektorin e turizmit dhe uljen e pragut të regjistrimit në TVSH. DIHA vlerëson se këto masa do të shtojnë kostot për bizneset e vogla dhe kompanitë turistike, duke ndikuar në konkurrueshmërinë e tyre.

Shoqata paralajmëron se barra më e lartë tatimore mund të kufizojë fondet që kompanitë përdorin për zgjerimin e aktivitetit, modernizimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Megjithatë, DIHA vlerëson pozitivisht vendimin për të mos rritur tatimin mbi fitimin e korporatave, si dhe lehtësimet e propozuara për familjet dhe punonjësit. Shoqata propozon gjithashtu uljen e TVSH-së për energjinë elektrike, me qëllim reduktimin e kostove për konsumatorët dhe sipërmarrjet.

Në përfundim, bizneset gjermane i kërkojnë qeverisë dhe Parlamentit të rishikojnë masat e kundërshtuara, të zhvillojnë konsultime përpara miratimit të paketës dhe të parashikojnë një periudhë tranzitore për zbatimin e ndryshimeve.

Reagimi i DIHA-s vjen pas kundërshtimeve të shprehura edhe nga organizata të tjera të biznesit vendas dhe të huaj, të cilat kanë ngritur shqetësime për ndikimin e taksave të reja në ekonomi, investime dhe punësim.

Video

🔴Policia largoi nga rruga studentët që protestonin para Ministrisë së Arsimit dhe shoqëroi disa të rinj për t’u gjobitur. Gjatë ndërhyrjes, efektivët shtynë gazetarët që po dokumentonin protestën.

111 vende për gjyqtarë: Plani i KLGJ-së për dosjet e prapambetura do të kushtonte 1,22 miliardë lekë në vit

Kryeministri Edi Rama është pritur me thirrje proteste nga një grup aktivistësh gjatë vizitës së tij në Bruksel. Ata kanë brohoritur “Rama në burg”, duke shprehur kundërshtimin ndaj kreut të qeverisë. Momenti është publikuar në një video, ku dëgjohen thirrjet e aktivistëve.

Letra nga qelia lexohet në GJKKO: Veliaj e quan transferimin “rrëmbim” dhe kërkon hetim për kërcënimet që ia atribuon Gogut

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme