Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale të Shqipërisë, që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Kreu i shtetit e ka shpallur ligjin me dekretin nr. 580, të firmosur më 31 tetor 2026.
Reforma u miratua në Kuvend më 9 tetor, me 85 vota pro dhe 34 kundër, pas rreth 14 orësh debate mes mazhorancës dhe opozitës.
Partia Demokratike kundërshtoi hartën e re, duke propozuar një ndarje me 100 bashki dhe 12 qarqe. Socialistët argumentuan se reduktimi i njësive vendore do të rriste efikasitetin e administratës dhe do të përmirësonte shërbimet për qytetarët.
Miratimi i reformës u shoqërua edhe me protesta në disa prej bashkive të prekura, përfshirë Patosin, Maliqin, Përrenjasin, Poliçanin, Klosin dhe Memaliajn. Banorët kundërshtuan bashkimin me njësi të tjera vendore, duke ngritur shqetësime për humbjen e identitetit lokal, largimin e shërbimeve administrative dhe dobësimin e përfaqësimit të komuniteteve.
Rezerva për disa ndryshime pati edhe brenda mazhorancës, ndërsa në Tiranë debatet u përqendruan te përfshirja e disa zonave brenda kufijve administrativë të kryeqytetit.






















